UKRAINË – Wadephul viziton Kievin ndërsa Rusia shton sulmet me raketa
KIEV, 22 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul vizitoi sot Ukrainën, vetëm pak ditë para 35-vjetorit të pavarësisë së vendit, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa.
Pas mbërritjes me tren në stacionin kryesor të Kievit, Wadephul dënoi sulmet ruse, duke akuzuar Moskën për “vrasje pa dallim të civilëve” dhe për shkatërrim të qëllimshëm të infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Vizita e ministrit gjerman vjen disa ditë pas një sulmi me raketa ruse në kryeqytet, ku humbën jetën 16 persona. Një tjetër sulm, i kryer një ditë më parë në një qendër tregtare në Krivyi Rih, qyteti i lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, shkaktoi të paktën 16 viktima dhe 130 të plagosur.
Gjatë një aktiviteti ku morën pjesë Zelensky dhe Wadephul, në Kiev u aktivizuan sirenat e alarmit ajror. Në të njëjtën kohë, Rusia kreu një sulm me raketa balistike ndaj qytetit të Boryspil, ku ndodhet aeroporti ndërkombëtar i mbyllur që prej fillimit të luftës.
Sipas Forcave Ajrore ukrainase, të paktën tre raketa u lëshuan drejt Boryspilit, qytet që ndodhet rreth 30 kilometra në lindje të Kievit.
Wadephul deklaroi se Rusia po përpiqet të shkatërrojë kushtet e jetesës së popullsisë ukrainase dhe të thyejë vullnetin e saj për të vazhduar rezistencën.
Vizita zhvillohet në një moment të ndjeshëm për Ukrainën, e cila më 24 gusht shënon 35-vjetorin e pavarësisë, ndërsa sulmet ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike janë intensifikuar./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.