”Nomad Lawyer”: Shqipëria, destinacioni kulturor me rritjen më të shpejtë në Ballkan
– Shqipëria është kthyer në një nga historitë më të spikatura të turizmit kulturor në Ballkan në vitin 2026, shkruan Naina Thakur për agjencinë e udhëtimeve ”Nomad Lawyer”.
”Dikur pothuajse e padukshme në itineraret ndërkombëtare të udhëtimeve, vendi është shndërruar në një prej destinacioneve evropiane të trashëgimisë që po tërheq më shumë vëmendje, i nxitur nga udhëtarët që kërkojnë autenticitet dhe përvoja larg turizmit masiv.
Pozicioni i Shqipërisë mbështetet në tre shtylla kryesore.
Së pari, Berati – i njohur gjerësisht si “qyteti i një mbi një dritareve” – dhe Gjirokastra, me banesat e tyre prej guri, kështjellat e periudhës osmane dhe pazaret e ruajtura, ofrojnë një panoramë të qytetërimeve dhe traditave që i paraprijnë me shekuj infrastrukturës turistike të Evropës Perëndimore.
Të dy qytetet janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Së dyti, Butrinti – një sit arkeologjik pranë kufirit me Greqinë – mbart gjurmët e kolonive greke, administrimit romak, murgjve bizantinë dhe tregtarëve venecianë.
Në një hapësirë të vetme, vizitorët mund të ndjekin gjurmët e qytetërimeve të ndryshme që kanë lënë shenjën e tyre në historinë e Mesdheut.
Sipas dokumentacionit të UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore, Butrinti përfaqëson një dëshmi të jashtëzakonshme të valëve të njëpasnjëshme të qytetërimeve mesdhetare.
Së treti, fshatrat tradicionalë të Shqipërisë, traditat e muzikës popullore, kuzhina rajonale dhe ajo malore, si dhe trashëgimia e Luftës së Ftohtë – përfshirë mijëra bunkerë prej betoni të shpërndarë në të gjithë vendin – ofrojnë një përvojë turistike të ndryshme nga ajo e destinacioneve të tjera të krahasueshme evropiane.
Tirana po ripozicionohet gjithashtu si një portë kulturore drejt vendit, me muzetë, qendrat kreative dhe lagjet historike të rivitalizuara, duke u ofruar vizitorëve një pikënisje urbane përpara udhëtimeve drejt pjesëve të tjera të Shqipërisë.
Fushat kryesore të rritjes së turizmit kulturor në Shqipëri:
- Eksplorimi i trashëgimisë së UNESCO-s në Berat dhe Gjirokastër
- Turet e arkitekturës osmane dhe pazareve historike
- Eksperiencat rurale dhe në komunitetet tradicionale
- Itineraret e ushqimit tradicional dhe kuzhinës malore
- Turizmi i trashëgimisë së Luftës së Ftohtë dhe bunkerëve
- Itineraret e kombinuara të kulturës dhe aventurës./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.