Ekonomia

Ulja e TVSH për turizmin, sektori lehtësohet me 2 milionë dollarë

Ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar për fjetjen në hotel eliminon një disavantazh jo të vogël për sektorin e turizmit.

Prej vitesh Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, ku turizmi taksohet me shkallën standarde të TVSH-së prej 20 për qind, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera, zbatojnë një shkallë tatimore dukshëm më të ulët.

Në Maqedoni, tatimi mbi vlerën e shtuar që paguhet për akomodimin është vetëm 5 për qind. Në Mal të Zi qeveria e takson fjetjen në hotel apo struktura të tjera akomoduese me 7 për qind TVSH, ndërsa në Kosovë dhe Serbi kjo taksë është respektivisht 8 për qind dhe 10 për qind.
Edhe në Kroaci, ku taksa standarde e TVSH është 25 për qind, mbi turizmin zbatohet një shkallë e diferencuar, që është 13 për qind.

Listës së vendeve që aplikojnë taksa të ulëta mbi turizmin së shpejti i bashkohet edhe Shqipëria. Pak ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi një projektligj, i cili e ul taksën e fjetjes në hotel nga 20 për qind që është aktualisht në 6 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e financave ulja e taksës i lehtëson hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese me rreth 2 milionë dollarë në vit. Qeveria shpreson se kjo masë do të nxisë formalizimin e sektorit dhe do e bëjë turizmin shqiptar më konkurrues në garën e ashpër rajonale për thithjen e turistëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button