UNESCO: Inteligjenca Artificiale nuk njeh gjuhët afrikane
Inteligjenca artificiale has vështirësi në njohjen e gjuhëve indigjene afrikane, sepse është trajnuar kryesisht me gjuhë dominuese.
Studime të shumta në Nigeri kanë treguar se ChatGPT arrin të njohë vetëm rreth 20% të fjalive të shkruara në gjuhën hausa, edhe pse kjo gjuhë flitet nga më shumë se 80 milionë njerëz.
Kjo do të thotë se miliona nxënës që flasin hausa detyrohen të heqin dorë nga mësimi në gjuhën e tyre amtare dhe të kalojnë në anglisht kur përdorin këtë teknologji.
Sipas studiuesit James Maisiri, kërkues dhe doktorant në Universitetin e Johanesburgut, këto mjete nuk janë neutrale dhe mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën e të mësuarit.
Ai thekson se gjatë dekadës së fundit, Afrika ka importuar gjithnjë e më shumë teknologji arsimore të bazuara në inteligjencën artificiale, të cilat janë projektuar dhe trajnuar sipas realiteteve, kulturave dhe gjuhëve perëndimore.
Maisiri shpjegon se gjuha amtare është shumë më tepër sesa një mjet komunikimi: ajo përmban kulturën dhe mënyrën e të menduarit të një populli. Kur teknologjitë e inteligjencës artificiale anashkalojnë gjuhët lokale, ato dobësojnë edhe kornizat kulturore përmes të cilave nxënësit kuptojnë botën dhe njohuritë.
Për më tepër, këto sisteme shpesh prodhojnë përmbajtje të njëtrajtshme që pasqyron realitetin perëndimor dhe jo atë afrikan.
Për shembull, nëse pyetet sa stinë ka viti, sistemi përgjigjet katër, ndërkohë që në shumë vende të Afrikës Perëndimore njihen kryesisht vetëm dy: stina e shirave dhe stina e thatë.
Si rezultat, nxënësit mund të marrin informacione që nuk përputhen me realitetin e tyre, duke rrezikuar zhvillimin e një mendimi kritik të lidhur me kulturën e tyre. /os/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.