Ushtarët e FSK-së dhurojnë gjak
Sot, në ambientet e Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës (MFSK) në organizim të Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak dhe Departamentit të Mjekësisë të MFSK-së, dhe në realizim të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës dhe të Kompanisë së Mjekësisë të FSK-së, filloi aksioni humanitar-vullnetar për dhurimin e gjakut me moton “Një pikë gjak për shpëtimin e një jete”.
Aksioni humanitar vullnetar i gjakut në MFSK është miratuar nga ministri Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Në ditën e parë të aksionit vullnetar për dhurim të gjakut, interesimi i pjesëtarëve të MFSK/FSK-së, ishte i madh edhe përkundur që ky aksion, po mbahet në kohën e pushimeve verore.
Aksioni humanitar i dhurimit të gjakut është bërë tani më tradicional dhe organizohet për çdo vit (dy herë) nga Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Pjesëtarët e FSK-së i janë përgjigjur gjithmonë aksionit humanitar për dhurimin e gjakut. FSK-ja, po organizon aksionin humanitar të dhurimit të gjakut dy herë në vit, gjatë janarit dhe gjatë këtij muaji, por ata po dallohen edhe jashtë këtyre organizimeve të rregullta. FSK-ja tani më ka një traditë në këtë drejtim, dhe janë dhuruesit më të suksesshëm në nivel vendi”, tha Albana Gashi, menaxhere e marketingut në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës.
Edhe mjekja, Kymetane Bela e cila po e udhëheq këtë aksion humanitar u shpreh mese e kënaqur me përkrahjen dhe përgjigjen aksionit për dhurimin e gjakut të pjesëtarëve të FSK-së, si dhe stafit civil të Ministrisë së FSK-së.
Ndërsa, majori Limon Salihu nga Departamenti për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak i MFSK-së, njoftoi se aksioni humanitar për dhurimin e gjakut, që nga dita e sotme, do të vazhdojë në të gjitha njësitet e FSK-së, deri më datë 31 gusht 2016, kur pritet të përfundojë.