Kronika

Vajza 18 vjeçe zhduket një muaj para dasmës

Këlcyrë

Adoleshentja iku para pesë ditësh. I fejuari nuk di gjë. Prindërit: Na ndihmoni

Prej pesë ditësh, një 18-vjeçare nga fshati Gur në Këlcyrë, rezulton e zhdukur, ndërsa familja e saj nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e vajzës. Ruzie Spahiu, prej dy vitesh ishte e fejuar, por as i fejuari nuk ka informacion për vendndodhjen e vajzës, me të cilën kishte caktuar datën e martesës, 10 tetorin e këtij viti. Vetë prindërit e Ruzie Spahiut kanë vënë alarmin tek autoritetet policore. Këto të fundit janë vënë në kërkim të gjetjes së vajzës që dje mbushi 18 vjeç. Vajza është parë për herë të fundit nga e ëma dhe i ati i saj, në orët e mëngjesit të së hënës, nga ku dhe u largua në drejtim të paditur, teksa i kishte lajmëruar se do të shkonte te një shoqe. Prej atij momenti prindërit nuk kanë dijeni rreth vendndodhjes së vajzës, ndërsa dyshimet bien mbi një largim me dëshirë me të djalë, me të cilin kishte nisur një lidhje dashurie. Nëna e saj, Mekoja Spahiu, sqaron se vajza e saj komunikonte me një shoqe që quhej Anxhela, për të cilën gruaja pohon se di shumë pak për të. “Vetëm fliste gjithë ditën në telefon me një çupë. Me kë flet, me Anxhelën, një shoqe. Me kë flet rrugës, me Anxhelën. Unë nuk e njoh, çupa e njihte atë. Unë nuk e kam parë asnjëherë, se mos jam unë vendase dhe e njoh. Ku është njohur me këtë shoqen? Ajo në shkollë ka qenë që në fillim. Asaj i ka vdekur i ati siç më thotë çupa, unë s’di gjë”, thotë nëna e vajzës. Për sa i përket caktimit të datës së martesës, nëna thotë se “nuk më jepte përshtypje të keqe. Do të lajmë e do të fshijmë mama se do të kërcej e do të vij me motrat në dasmë të gëzohemi, se unë e fundit jam”. Vajza 18 vjeçe ishte e fejuar prej dy vitesh dhe me datë 10 tetor kishte ndarë datën e martesës, ndërsa edhe i fejuari nuk ka asnjë dijeni për vendndodhjen e saj. Fqinjët e familjes Spahiu thonë se Ruze Spahiu mund të ketë krijuar një lidhje të fshehtë dashurie me një tjetër person dhe mund të jetë larguar me këtë të fundit. Ndërkaq, babai i 18-vjeçares thotë se “vajza, ditën e hënë, në orën 10:00 shkoi për të psonisur. Pasi nuk u kthye në shtëpi, bëmë kallëzimin në polici. Ju lutemi na ndihmoni që vajza të kthehet në shtëpi. Personi që e ka rrëmbyer ose që ka ikur me dashje, ta kthejë. I lutemi edhe ministrit të na ndihmojë me këtë rast”. Nga ana tjetër, prej burimeve policore mësohet se kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e vajzës, ndërsa dyshimet e para janë për largim me dëshirë të 18-vjeçares. Megjithatë, policia nuk i përjashton edhe pistat e tjera hetimore dhe po vijon kërkimet. Mësohet gjithashtu se janë marrë deklarimet e shoqeve të vajzës dhe të personave që mund të kenë dijeni rreth vendndodhjes së saj. Janë informuar edhe autoritetet e pikave kufitare për këtë rast.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button