Vatikani: Martesat homoseksuale janë “humbje për njerëzimin”
Vatikani shprehet hapur kundër rezultatit të referendumit të fundit në Irlandë. Kardinali Pietro Parolin, në një aktivitet në Romë, tha se nuk mund të flitet vetëm për një humbje të principeve të krishterimit, por edhe për një humbje të njerëzimit
Vatikani e ka cilësuar rezultatin pro martesave mes çifteve homoseksuale, si një “humbje për njerëzimin”. “Unë jam shumë i dëshpëruar mbi këtë rezultat. Kisha duhet ta njohë realitetin, por në bazë të detyrimeve të saj dhe të forcojë ungjillëzimin”, tha sekretari i shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin të martën gjatë një aktiviteti në Romë. “Unë besoj se nuk mund të flitet vetëm për një humbje të principeve të krishterimit, por edhe për një humbje të njerëzimit”, u citua të thoshte kardinali në Radio Vatikan.
Irlanda katolike, me anë të një referendumi të mbajtur në fundjavë, votoi pro martesave gej, ose e thënë më saktë, brenda të njëjtit seks. Duhet bërë gjithçka që familja të mbrohet, pasi aty varet e ardhmja e njerëzimit dhe e Kishës, tha kardinali sekretar Shteti, që shihet edhe si dora e djathtë e Papës në funksionin që mbulon.
Homoseksualiteti në axhendën e sinodit të familjes
Parolin u shpreh edhe për diplomatin homoseksual Laurent Stefanini, të cilin Franca e ka emëruar ndërkaq si Ambasador të vetin në Selinë e Shenjtë, në muajin janar. Një përgjigje e shtetit papnor në këtë çështje deri më tani, sidoqoftë nuk ka mbërritur. “Mes Selisë së Shenjtë dhe Francës, dialogu ka qenë e do jetë gjithnjë i hapur, dhe ne shpresojmë që ai të përmbushet në një mënyrë të mirë”, tha Parolin.
Sjellja me homoseksualët në Kishën Katolike aktualisht po diskutohet prej kohësh e është bërë një nga temat qendrore në Vatikan. Të hënën dhe të martën, Këshilli i Sinodit u mblodh edhe një herë, për të përgatitur “Sinodin e Familjes” që mendohet të organizohet në tetor në Vatikan. Në këtë mbledhje të të gjithë peshkopëve të botës, do të diskutohen tema si martesat mes të divorcuarve, apo madje edhe ato që lidhen me homoseksualët.
Papa jep shpresë për homoseksualët – por ndryshime nuk do ketë
Shumë besimtarë shpresojnë që të kenë një fjalë të Papës në lidhje me këto çështje, duke dëgjuar hapur mendimin e tij rreth tyre. Për vetë Papën, në fakt këto janë bërë tema për të cilat ai preferon të flasë hapur, si askush tjetër para tij, edhe pse mbi to realisht nuk ka pasur ndonjë vendim të qartë e përfundimtar dhe as nuk pritet të ndodhë ndonjë “revolucion” në takimin e ri të sinodit.
“Nëse dikush është homoseksual dhe ai po kërkon Zotin dhe tregon vullnet të mirë, kush jam unë, që ta gjykoj”, pati thënë Ati i Shenjtë në vitin 2013.
Të dielën e shkuar të Pashkëve në Romë, Pontifikati u shpreh se: Kisha nuk do të bjerë në izolim. Ajo nuk është e mbyllur, por ajo ka një identitet, të cilin e përqafon e mbarë bota, pa përjashtuar askënd. Kisha Nënë nuk ia përplas derën në fytyrë askujt. As edhe mëkatarit më të madh”.
Pas një votimi që u cilësua si “historik”, Irlanda bëhet kësisoj vendi i parë në botë që legalizon martesat mes të njëjtit seks, vendosur nga vota popullore. Kanë qenë 3.2 milionë njerëz që morën pjesë në referendum dhe rezultatet e numërimit treguan se shumica prej 62% e votuesve ishin në favor të ligjërimit të martesave gej.
Vota pro martesave gej vjen pas një fushate intensive në vendin me traditën më të fortë katolike në botë. Kryeministrja Enda Kenny, sikurse dhe të gjitha partitë e tjera të mëdha në vend, patën bërë fushatë pro martesave gej, ndërsa Kisha Katolike u hodh në sulm për të mos lejuar votën pro.
Shumë skandale, duke ia nisur që nga abuzimi me fëmijët e deri tek sjelljet homoseksuale brenda priftërinjve, kanë bërë ndërkaq që institucioni që dikur ka qenë shumë i fuqishëm në shtetin ishullor, ta ketë humbur peshën, çka sipas specialistëve mendohet se ka sjellë – përpos plot arsyeve të tjera – edhe rezultatin e së dielës.
Megjithatë, Irlanda, përtej rekordeve të shpeshta që ka sjellë, nuk është e vetmja në këtë aspekt, pasi në rang botëror, më shumë se 18 vende të tjera e kanë legalizuar tashmë martesën gej. Sidoqoftë, Irlanda është vendi i parë që i ka thënë pro asaj, përmes një referendumi mbarëkombëtar dhe jo si pasojë e një vendimi të marrë nga parlamentarët apo qeveria.
Sidoqoftë, edhe pse e përfshirë në debate të forta, shumica e vendeve të BE-së ngurrojnë ta ligjërojnë martesën mes çifteve homoseksuale, duke u lejuar atyre, nga ana tjetër, shumë të drejta e liri, për të cilat komuniteti i gejve dhe i lesbikeve lufton prej dekadash t’i arrijë.