Kronika

Veliaj inspekton punimet për infrastrukturën arsimore e rrugore në zonën e Bregut të Lumit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në zonën periferike të Bregut të Lumit në Tiranë, për të inspektuar punimet që po kryhen për ndërtimin e godinave të reja arsimore e sociale dhe 14 ndërhyrje në infrastrukturë, me financim nga Bashkimi Evropian.

“Garancia që kemi ofruar, që kur jemi zgjedhur, është se do të trajtojmë njësoj çdo komunitet, si ata që jetojnë në ish-Bllok, si ata që jetojnë në periferi të Tiranës. Më vjen mirë që në mes të korrikut, shkolla më e mirë, kopshti e çerdhja më e mirë dhe qendra më e mirë sociale në Tiranë do të jenë në Bregun e Lumit”, tha Veliaj.

Ai theksoi se e gjithë zona e Bregut të Lumit është kthyer në një kantier të punëve publike për Bashkinë e Tiranës, në bashkëpunim me BE-në.

“Për të gjithë kritikët që mendojnë se ne investojmë vetëm në Parkun e Liqenit për fëmijët, kjo është prova më e qartë se ne po investojmë në të gjithë Tiranën, por sigurisht nuk do të shmangim as zonat tradicionale për kalimin e kohës së lirë. Nuk do të hezitojmë të investojmë siç po bëjmë në këtë komunitet, edhe në zonat periferike në zonën e Bregut të Lumit, ku ata që i përdorin gjërat politikisht e vizitojnë këtë pjesë të Tiranës vetëm në raste fatkeqësish”, u shpreh Veliaj.

projekt 2Me tej, Veliaj theksoi se administrata e bashkisë është duke punuar çdo ditë në këtë zonë, për më shumë cilësi jete dhe për kopshte, çerdhet dhe shkolla me standarde për fëmijët. Sipas tij, nga shtatori i këtij viti, fëmijët e zonës së Bregut të Lumit nuk do duhet të shkojnë në shkolla jashtë lagjes së tyre, por do të kenë një shkollë me të gjitha standardet në këtë lagje.

Paralelisht, me ndërtimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale, ai sqaroi se po punohet edhe për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore.

“Jemi duke investuar në 14 rrugë të njësisë 4 dhe njësisë 8, që i kanë territoret e tyre pranë zonës informale të Bregut të Lumit”, tha Veliaj. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar dhe lehtësuar zbatimin e këtij projekti.

Për ndërtimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale projekti parashikon ndërtimin e tre objekteve, qendra sociale, çerdhe dhe kopshte, dhe një shkollë. Gjithashtu, do të ketë një qendër polifunksionale, kinema dhe mencë, e cila do jetë në shërbim të komunitetit. Midis palestrës së shkollës dhe vetë shkollës është parashikuar edhe ndërtimi i një godine për shërbimet, si dhe dhomat e zhveshjes për palestrën. Si për kopshtet, edhe për qendrën sociale, janë parashikuar të gjitha standardet termike, për t’u siguruar një qëndrim sa më komod të fëmijëve në shkollë. Kapaciteti i shkollës do të jetë 800-1000 nxënës, në varësi të nevojave që ka komuniteti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button