Qeveritare

Veliaj: Krijimi i tregut të përbashkët në rajon do të sjellë zhvillimin e arsimit profesional

VELIAJ4-545x350Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, nënvizoi sot, gjatë konferencës rajonale “Mbi aftësimin profesional”, rolin e arsimit profesional në zhvillimin e vendit.

Në praninë e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia, Veliaj u ndal në paraqitjen e vizionit të qeverisë shqiptare në fushën e arsimit dhe formimit profesional, që synon krijimin e një tregu të përbashkët me profesionistët më të mirë dhe me asistencën e Bashkimit Europian në zhvillimin e arsimit profesional.

Duke iu referuar zhvillimit ekonomik të rajonit, Veliaj nënvizoi domosdoshmërinë e konkurrencës, për të rritur produktivitetin dhe për të kapërcyer mangësitë që vijnë si pasojë e tregjeve të vogla që janë prezente në Shqipëri.

“Ne jemi të vetëdijshëm që përtej ndikimit të rëndë që keqqeverisja dhe kriza ekonomike globale pati në rënien ekonomike, kjo rënie është edhe tregues i faktit që burimet janë tashmë të pamjaftueshme për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për të mundësuar kapërcimin e asaj që shpesh njihet si kurthi i vendeve me të ardhura mesatare të ulëta”, nënvizoi Veliaj. Ndërkaq, ai vuri theksin tek rritja e mundësive eksportuese për rritjen e produktivitetit të fuqisë punëtore.

“Produktiviteti i fuqisë tonë punëtore, aftësia e saj për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë sonë sot dhe nesër, e vendosin rritjen e cilësisë së sistemit tonë të arsimit dhe formimit profesional në qendër të vëmendjes sonë”, tha Veliaj.

Sipas tij, nga viti 2004, përqindja e nxënësve në sistemin e arsimit profesional nuk reshti së uluri, duke arritur deri në 17 për qind në vitin 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet.

“Nga 130 mijë nxënës që ndjekin gjimnazin, në Shqipëri, në arsimin profesional shkonin më pak se 20 mijë. Më lejoni të kujtoj që në një vend të zhvilluar si Zvicra, kjo përqindje shkon deri në 65 për qind” u shpreh Ministri i Mirëqënies Sociale.

Kalimi i arsimit profesional nën administrimin e MMSR ka mundësuar, sipas Ministrit Veliaj, vendosjen e një marrëdhënie të re ndërmjet këtij sistemi të përgatitjes profesionale dhe tregut të punës që mundësohet përmes shërbimit tonë Kombëtar të Punësimit dhe riorganizimit të skemës sonë të nxitjes së punësimit.
Ndërkaq, ai u shpreh se hapja e 10 zyrave të reja të punës, përfshirë dhe fushatën e gjerë të komunikimit, ka rritur në 40 % numrin e studentëve të regjistuar në vitin e parë në sistemin e arsimit profesional, krahasuar me ata që mbaruan vitin e parë vjet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button