Kronika

Veliu: Brenda 3 vitesh ulim moshën mesatare të Policisë së Shtetit

“Asetet kriminale të hequra nga duart e krimit llogariten në rreth 90 milion euro për vitin 2019, një dëshmi e luftës së ashpër e të pakompromis që i kemi shpallur paligjshmërisë dhe krimit të organizuar në vend”, deklaroi sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

I pranishëm në inaugurimin e ambienteve të reja të Repartit special RENEA, Veliu u shpreh se, “njëri prej Reparteve me reputacionin më të lartë, jo vetëm brenda vendit dhe tek agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, por edhe tek partnerët tanë të huaj që kanë bashkëpunuar me këtë Njësi Speciale, do të ketë nga sot shtëpinë e re. Inaugurojmë këto ambiente vërtet moderne, me të njëjtat standarde si ato të Policive partnere më të zhvilluarat në Europë, të bindur se ky është një investim që Reparti RENEA do t’ia kthejë pas gjithë shoqërisë duke prodhuar më shumë siguri”.

Veliu theksoi se, “ndërtimi i këtij Reparti u bë i mundur falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, me iniciativë të Kryeministrit Rama, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme, sipas standardeve bashkëkohore për përgatitjen fizike, taktike, profesionale dhe akomodimin e forcave speciale në një mjedis të sigurt. Implementimi i këtij projekti u mbështetet nga financimet e buxhetit të shtetit dhe ato të BE-së, nëpërmjet programit IPA. Në total, për realizimin e këtij projekti u investuan 10 milion euro, nga të cilat 7.6 milion euro nga buxheti i shtetit dhe 2.4 milion euro nga Bashkimi Europian”.

“Në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është kënaqësi e dyfishtë, që kjo ditë e përurimit të ambienteve ku do të stërviten e qëndrojnë forcat RENEA, sot përkon me 107-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit. E kemi zgjedhur jo pa qëllim, që këto dy evente të ishin në të njëjtën ditë. Gjithë trupa e Policisë është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit e paligjshmërisë, por në jo pak raste më të rrezikuarit e kësaj lufte janë këta burra, djem e gra, që punojnë në forcat RENEA. Publiku nuk njeh fytyrat, por njeh aktet dhe ka parë shpesh sakrificat e tyre”, tha Veliu.

Ky, shtoi Veliu, “është momenti, ku së pari dua që të gjithë së bashku të nderojmë e përkujtojmë me respekt 224 Dëshmorët e Policisë, që nuk kursyen jetën në mbrojtje të ligjit, jetës e pronës së qytetarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre”.

Veliu theksoi se, “Policia e Shtetit është në sytë e publikut dhe aleatit tonë më të madh, qytetarit, institucioni më i besueshëm.

Duke folu për vitin 2019, Veliu tha se, “ne mbyllëm një tjetër vit me rezultate domethënëse, duke garantuar parametrat normal të sigurisë dhe rendit publik, edhe pse e them pa drojë se 2019-ta ishte një ndër periudhat me mbingarkesën më të madhe për Policinë e Shtetit, këto vitet e fundit”.

“Numri i personave të rrezikshëm të vendosur prapa hekurave është me qindra, për t’i përballur ata me drejtësinë. Në disa raste ishim të tradhtuar nga disa vendime të gjyqësorit. Por kjo nuk ishte për asnjë moment dekurajim për ne, përkundrazi’, tha Veliu.

“Duke qenë një partnere e besueshme tek partnerët, Policia e Shtetit zhvilloi në bashkëpunim, me dhjetëra operacione ndërkombëtare, në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit”, u shpreh Veliu.

Ne vijoi Veliu, “ia dolëm të mbajmë të pastër dhe jashtë hartës së kultivimit të kanabisit Shqipërinë, duke e kthyer këtë në një arritje të konsoliduar tashmë. Të ashpër me shkelësit e ligjit kudo e kushdo qofshin ata, do të jemi edhe në vijim”.

“Sezoni turistik me gjithë volumin e madh e të pakrahasueshëm me disa vite më parë, u përballua falë dhe bashkëpunimit me institucione të tjera me shumë sukses dhe pa asnjë ngjarje kriminale, që do të cenonte jetën e pushuesve të huaj e vendas, apo cenonte imazhin e Shqipërisë”, shtoi Veliu.

“Përballimi i situatës pas tërmetit të datës 26 nëntor, ku mijëra punonjës Policie lanë familjet e tyre në panik e frikë dhe të parët u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit mes rrënojave. Sot në këtë ditë të shënuar për Policinë, dua t’i falënderoj edhe njëherë për sakrificën dhe përkushtimin. Janë me dhjetëra jetë të shpëtuara dhe qindra të tjerë që u ndihmuan e asistuan. Ky është misioni ynë, e ndihemi krenarë që veshim këtë uniformë e shërbejmë”, theksoi Veliu.

Duke folur për marrëdhëniet e Policisë me komunitetin, ai tha se, “njohën zhvillim epokal. Duke parë tek qytetari aleatin e vyer, punonjësit e Policisë nuk janë padronë të qyteteve, por janë shërbëtorë të qytetarëve. Ky zhvillim, kjo marrëdhënie dhe ky ndryshim është rezultat i aplikimit të metodave më të përparuara të policimit në komunitet, falë edhe mbështetjes së programeve nga qeveri e policitë mike. Një ndihmesë mjaft të madhe kanë dhënë edhe partnerët tanë OSBE, misionet PAMECA-s e ICITAP-it, si dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese të huaja, duke ndihmuar Policinë e Shtetit me trajnime, arsimim e bazë logjistike”.

Për vitin 2020, Veliu tha se, “objektivat janë shumë të qarta, duke veçuar si prioritet luftën kundër krimit të organizuar. Policia e Shtetit do të demonstrojë në këtë luftë se ka kapacitetet, motivimin, përgjegjësinë për t’ju përgjigjur pritshmërive të larta të publikut. Kapacitetet tona rriten dita-ditës. Besoj brenda muajit të ardhshëm do të kompletojmë flotën tokësore me mjete të reja e dinjitoze”.

Më tej, tha Veliu, “falë mbështetjes së qeverisë ndër projektet kryesore për 2020 e në vijim janë ngritja e një godine, më modernia e profesionalja në rajon për Policinë Shkencore. Akademia e Sigurisë do të pësojë një transformim rrënjësor, duke vijuar traditën e mirë të arsimimit të dhjetëra të rinjve e të rejave, që janë forca dhe inteligjenca e nesërme e Policisë së Shtetit”.

Në 2019, shtoi Veliu, “ne rekrutuam numrin më të madh të të rinjve, gati 700 vetë, duke rritur kështu edhe numrin total të Policisë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në 2020, duke i dhënë frymëmarrje organizatës, duke ulur moshën mesatare, duke rinovuar me të rinj të motivuar kryesisht shërbimet me të cilat përballet qytetari çdo ditë, si Policinë Kufitare dhe Qarkullimin Rrugor”.

“Hapësira që na u dha me vendimin e fundit të qeverisë për trajtimin financiar të punonjësve mbi 55 vjeç, është një tjetër mundësi për të rritur kapacitetet e brendshme, duke ulur moshën mesatare në 3 vitet e ardhshme, me të paktën 1 vit e gjysëm. Sigurisht që dhe organizata e Policisë si vetë shoqëria ka nevojë për përmirësim, ndryshim e vetëpastrim. Besoj fort se procesi i vetingut që ka nisur prej muajsh me gradat e larta, si dhe puna në vijim do të pastrojë nga radhët e Policisë së Shtetit elementet e padëshiruar dhe do ta bëjë më të shëndetshme atë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button