Venezuela “joshet” nga dollari për zgjidhjen e inflacionit në vend
Bizneset po kalojnë ngadalë në valutën e dollarit në Venezuelën socialiste, ku qeveria e ka ndaluar përdorimin e monedhës amerikane nga frikën se kësisoj do përmbysej revolucionit vendas
Është ende e mundur të blesh një kamion “Ford” në Venezuelë, të marrësh me qira një apartament në Karakas dhe të fluturosh me një linjë ajrore amerikane për në Majami. Vetëm se nuk mund t’i bësh këto me monedhën zyrtare vendase.
Teksa shteti i Amerikës Jugore i bie vërdallë një kaosi ekonomik, një numër në rritje produktesh, nuk janë vetëm figurativisht jashtë mundësisë së klientëve të zakonshëm, por edhe realisht nuk mund të blihen nga monedha e Venezuelës.
Bizneset dhe individët po i kthehen dollarit edhe pse retorika antiamerikane e administratës socialiste po bëhet më e fortë. Ky është një ndryshim që po lejon pjesë të dobëta të ekonomisë, të ecin para, pavarësisht mungesës së parave dhe inflacionit më të lartë në botë.
Por përdorimi i dollarit mund ta nxjerrë jashtë mundësisë “klasën punëtore”, mirëqenia e së cilës ka qenë pika kryesore e revolucionit socialist 16-vjeçar në vend.
Shenja më e fundit e një sistemi në rritje me valutë të dyfishtë, erdhi herët gjatë këtij muaji, kur zyrtarët nga Sindikata e “Ford Motor Co”. lajmëruan se kompania ka arritur një marrëveshje me zyrtarët për të shitur kamionë vetëm në dollar.
Disa javë më parë, American Airlines tha se nuk e pranonte më monedhën vendase për secilin prej 19 fluturimeve të përjavshme nga Venezuela. Klientët duhet të përdorin tanimë një kartë të huaj krediti për të blerë bileta online. Virtualisht, të gjithë linjat e huaja ajrore bënë të njëjtin ndryshim me pëlqimin e qeverisë, sipas Shoqatës së Linjave Ajrore të Venezuelës.
Arsyeja që po nxit ndryshimin, është valuta vendase në rënie, “Bolivar”, e cila ka humbur më shumë se gjysmën e vlerës këtë vit duke u këmbyer me normën 400 për dollarë në tregun e lirë, teksa venezuelasit luftojnë për t’i kthyer kursimet e tyre në një valutë më të qëndrueshme. Të dëshpëruar, njerëzit po shesin bolivarët me një normë deri në 60 herë më të ulët se sa tre normat zyrtare të këmbimit më të forta të vendit.
Është një situatë politikisht e parehatshme për Presidentin Nicolas Maduro, që rregullisht bën thirrje kundër amerikanëve dhe thotë se spekulimi i valutës është një nga mjetet kryesore të përdorura nga armiqtë, në përpjekje për të sjellë kaos dhe për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Nuk janë vetëm bizneset që po ndryshojnë valutën. Kontratat e pronave të paluajtshme bëhen ende në bolivarë për të plotësuar një kërkesë të imponuar nga Presidenti i mëparshëm, Hugo Chavez, por në lagjet e pasura, shumica e pronarëve veprojnë jashtë ligjit dhe i shesin pronat ose i japin me qira vetëm në dollarë. Një grup personash që merren me shitjen e pronave në lindje të Karakasit, ka krijuar një uebsajt të mbrojtur me fjalëkalim për çmime në dollarë.
Analistët thonë se qeveria me gjasa e sheh një dollarizim të limituar, si mënyrën e vetme të ndalimit të shumëkombësheve nga largimi i vendit, ashtu siç bëri Clorox vitin e shkuar, duke cituar problemet e shkaktuara nga kontrollet shumëvjeçare të valutës, mungesës së furnizimit dhe inflacionit që arriti 68 për qind vitin e shkuar dhe ekonomistët besojnë se tani është me tri shifra.
Prodhimi te Ford ka rënë me 90 për qind, teksa kompania lufton për të fituar akses ndaj dollarëve të nevojshëm për pjesët e importuara. Klientët tani i transferojnë Fordit dollarë paraprakisht për të paguar për importin e pjesëve që duhen për makinat e dëmtuara në Venezuelë.
Linjat e huaja ajrore e bënë ndryshimin e tyre në dollarë, pasi qeveria refuzoi t’i linte të konvertonin dhe të riatdhesonin 4 miliardë dollarë në shitje biletash të mbajtura në vend.
Ndërkohë, inflacioni po rritet aq shumë saqë bankomatet e kanë pasur të vështirë të mbajnë ritmin. Shumë marrin vetëm 1.5 dollarë në bolivar për transaksione. Disa dyqane qëndrojnë larg parave në dorë, duke u mbështetur më shumë te kartat e kreditit që të paguajnë më vonë për blerjet, kur ato të kushtojnë më pak në dollarë falë inflacionit.
Kontrollet e çmimeve të vjetra sa një dekadë i bëjnë artikujt e kushtueshëm fare të lirë për të gjithë venezuelasit. Një shishe vaji ulliri kushton 20 cent në normën e tregut të zi, një pako oriz kushton sa gjysma e kësaj dhe një pako sheqer akoma edhe më pak.
Ende, shumë persona nga klasa e mesme po kërkojnë mënyra që të mbledhin valutë amerikane duke u ofruar shërbime klientëve të pasur dhe të huaj.
“Është e vetmja mënyrë me të cilën mund të mbijetojmë”, tha një instruktor palestre që ka një rrogë prej 25 dollarësh falë ofrimit të trajnimit te klientët që paguajnë në dollarë.
Ai i mban faturat të fshehura derisa një mik ose klient të mund t’i depozitojë ato në llogarinë e tij bankare në Majami.
Lëvizja drejt dollarit ka hasur në vështirësi përballë mbështetësve të qeverisë, të cilët ia kanë vënë veshin propagandës së Chavez për “diktaturën e dollarit”. Me frikën se SHBA po përdor kartëmonedhën e saj për të sabotuar revolucionin, dollari shihet si imperializëm i dëmshëm për vendin.
Por ekonomistët nga jashtë vendit thonë se do të ishte veprim i zgjuar të përqafohej dollari në këtë moment.
Steve Hanke, një ekonomist në universitetin “Johns Hopkins”, që ka këshilluar për një kohë të gjatë qeveritë që përballen me krizën e valutës, thotë se zëvendësimi i bolivarit me dollarin, do të zgjidhte problemin e inflacionit të Venezuelës, pothuajse brenda natës. Gjithashtu, ai do dhe do të bëhej një strehë e stabilitetit ekonomik, megjithëse do të kërkonte masa shtrënguese të kursimit.
*Burimi: Associated Press