Politika

Vërejtjet e deritanishme për zgjedhjet, Glover: Kritika edhe për KQZ-në

Kur kanë mbetur edhe 13 ditë nga momenti kur shqiptarët do të votojnë për të zgjedhurit e tyre vendorë, britanikja Dame Audrey Glover, e cila drejton misionin e monitorimit të ODIHR, në një intervistë për Top Channel, flet për anët pozitive dhe negative të këtyre zgjedhjeve.

Ajo lëshon kritika për vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ambasadorja Glover ndalet edhe në problemit e vjetër të zgjedhjeve shqiptare, atë të shit-blerjes së votës. Sipas saj, deri më tani ODIHR-it i kanë ardhur pretendime për blerje votash, por jo prova konkrete për këtë dukuri.

Glover u jep përgjigje edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me kritikat e ish-kryeministrit Berisha se me ardhjen e saj, ajo ka ngjallur së paku mosbesim të madh në objektivitetin e monitorimit të zgjedhjeve tek populli opozitar.

Me ambasadoren Glover bisedoi gazetari Muhamed Veliu.

ODIHR publikoi të premten raportin e ndërmjetëm për zgjedhjet e 21 Qershorit. Sipas jush, cili është aspekti më shqetësues i identifikuar në këtë raport?

Ambasadorja Glover: Kur ne përgatisim raportet tona, qofshin ato të ndërmjetëm apo përfundimtarë, nuk shohim vetëm për aspektet negativë, por edhe ato pozitivë. Ndaj, siç e keni vënë re, nëse keni lexuar raportin, në të janë përfshirë edhe disa aspekte pozitivë. Mendoj që deri në një pikë, jemi të shqetësuar për KQZ-në, sepse me raste mendojmë që vendimet e marra prej këtij institucioni janë të njëanshme dhe sipas linjave partiake.

Gjithashtu, ka disa paqartësi, në lidhje me vendimet e marra. Mendoj që në lidhje me KZAZ-të duket se ato po funksionojnë mirë, por gjatë vizitave tona të shpeshta kemi vënë re që atyre u mungojnë pajisjet e nevojshme dhe burimet për t’i blerë ato.

Për më tepër, ka ndryshime në anëtarësinë e KZAZ-ve, duke u bërë më e vështirë për ta. Fushata vetë është e qetë. Kemi vënë re që partitë politike në Tiranë janë duke i përdorur këto zgjedhje sikur të ishin zgjedhje parlamentare dhe po vazhdojnë të përdorin praktikat e përdorura në të shkuarën, duke shkëmbyer akuza personale.

Por ne jemi shumë të kënaqur që, në zonat rurale po zhvillohet një fushatë e mirë. Atje ka forume të vogla, ku kandidatët dhe votuesit takohen për të bashkëbiseduar. Ka patur edhe debate me temë bashkiake, dhe përshtypja e përgjithshme është që kandidatët po afrohen me votuesit, që është shumë e rëndësishme për ne, sepse në fund të fundit, këto janë zgjedhjet e tyre e jo tonat. Duket që ka edhe një lëvizje pozitive në përpjekjet për të angazhuar komunitetin rom në këtë proces dhe, meqë bëhet fjalë për zgjedhje vendore, kjo është një gjë shumë e rëndësishme.

Por, ne kemi edhe shqetësime serioze për pretendime që dëgjojmë në lidhje me blerjen e votës, huazimin e kartave të identitetit, abuzime të zyrtarëve që përdorin ndërtesat publike etj. Gjithashtu, jemi të shqetësuar edhe për faktin se nga shumë bashkëbisedues kemi dëgjuar që edhe ata janë të shqetësuar për numërimin e votave dhe tabulatët në ditën e zgjedhjeve. Kjo ëshë një panoramë e asaj që ne kemi parë, por siç e thashë, kemi një ligj të zbatueshëm këtu, i cili mund të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button