Kronika

Verifikimi i pasurive dhe jashtë Shqipërisë, SHISH dhe DSIK hetojnë gjyqtarët e prokurorët

Të gjitha llogaritë bankare, deklaratat e pasurisë, asetet paluajtshme, blerjet e shitjet e makinave, hyrjet e daljet jashtë shtetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jenë objekt i kontrollit të imtësishëm të komisionit të posaçëm, që do të krijohet pas miratimit të ligjit të Vetingut.

Drafti “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe me emrin “Veting” parashikon që një komision i posaçëm, së bashku me Kolegjin e Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të hetojnë mbi pasuritë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, duke mos u mjaftuar vetëm në ato që kjo “armatë” e gjyqësorit shqiptar do të deklarojnë nëpërmjet një formulari të posaçëm të deklarimit të pasurisë.

Në nenin 45 të këtij projektligji jepet në mënyrë të detajuar se çfarë të drejte ka struktura e posaçme në përbërje të së cilës janë dhe ndërkombëtarët. Sipas këtij neni ndërkombëtarët që kanë rolin e vëzhguesit, Komisioni, Kolegji i Apelimit bashkëpunojnë me organet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë, vendase ose të huaja, për të konfirmuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve të bëra nga subjektet e rivlerësimit.

Më tej përcaktohet se “Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë akses të plotë në të gjitha të dhënat, pranë SPAK-ut si dhe në të dhënat që vijojnë: a) në dosjet personale të subjekteve të rivlerësimit, të dhënat statistikore, dosjet e zgjedhura për vlerësim, vetë-vlerësimet, mendimet e eprorëve, të dhënat mbi trajnimet, mbi ankesat ndaj personave që i nënshtrohen vlerësimit dhe rezultatet e verifikimit ankesave, si dhe mbi vendimet për masat disiplinore ndaj të vlerësuarve; b) në të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme të subjektit të rivlerësimit të regjistruara në regjistrin e pasurive të paluajtshme, ose të përfituara nga një akt noterial i paregjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.

Për këtë qëllim, Komisioni ose Kolegji i Apelimit ka të drejtë të kërkojë informacion nga regjistri i pasurive të paluajtshme, ose nga regjistri noterial shqiptar: në llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet, të dhënat për hyrje–daljet në kufi; në të dhënat mbi të drejta apo interesa pasurore të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm ose i paluajtshëm, i trupëzuar ose i patrupëzuar, material ose jomaterial, përfshirë dhe ato të evidentuara në formë elektronike apo numerike, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në instrumente të tilla si kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur apo vlerë tjetër që buron prej tyre.

Gjithashtu do të kërkohen të dhëna dhe nga bankat e nivelit të dytë, si dhe të dhënat mbi marrëdhëniet të mundshme biznesi, veprimtari tregtare ose veprimtari të tjera profesionale që mund të kenë gjyqtarë prokurorët apo familjarët e tyre.

Pjesë e punës hulumtuese është hetimi “në të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike ose mjeteve apo instrumenteve të tjera të tregut të parasë dhe/ose të pagesave, ku përfshihen por pa u shteruar, çeqet, dëftesat, certifikatat e depozitave, kartat e debitit ose të kreditit, kartat elektronike të pagesave, titujt, si dhe çdo dokument tjetër që vërteton ekzistencën e një detyrimi monetar ose një vlere tjetër të depozituar ose për t’i paguar subjektit një shumë korresponduese në para fizike, ose në një formë tjetër; g) Të dhënat që provojnë ekzistencën e trusteve ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme”.

Ndërsa është përcaktuar se kjo strukturë e posaçme ka për detyrë që të hetojë edhe jashtë Shqipërisë nëse ka të dhëna për llogari bankare, e kjo do të kryhet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Me kërkesë të Komisionit ose Kolegjit të Apelimeve, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera që ushtrojnë aktivitete bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë janë të detyruara të japin informacion mbi depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera nga subjekti i rivlerësimit apo personat e lidhur më të. Institucionet private rimbursohen për çdo kërkesë, duke përfshirë kërkesat në bazat e të dhënave dhe kopjet e dokumenteve të lëshuara…. Brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, çdo organ shtetëror ose ent publik detyrohet të bashkëpunojë me Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit për dorëzimin, aksesin dhe verifikimin e të dhënave, fakteve ose rrethanave.

Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e procesit të verifikimit raportohet ne zyrën e prokurorisë si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal dhe përbën shkelje disiplinore.

Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtën të kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar brenda kuadrit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kanaleve diplomatike. Kërkesat trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme”, thuhet më tej në nenin 45.

SHISH dhe DSIK në hetimin e figurës

Në procesin e verifikimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve do të përfshihen një numër i madh i institucioneve shqiptare. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI), Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK), Hipotekat (ZRVPP) do të angazhohen në këtë proces.

Për kontrollin e figurës SHISH, DSIK por dhe Zyra e Çështjeve të Brendshme në Ministrinë e Brendshme do të hetojnë mbi figurën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Këto tre institucione krijojnë një grup pune ku kanë bërë të detyrë të verifikojnë në gjyqtarët kanë lidhje me persona të inkriminuar ose jo.

“Kontrolli i figurës zhvillohet bazuar në prova të sakta, në informacione konfidenciale, si dhe informacione të tjera të disponueshme. Kontrolli i figurës, kryhet në mënyrë objektive pa ndikime të karakterit personal, armiqësore dhe miqësore, të cilat mund të favorizojnë apo disfavorizojnë subjektin e rivlerësimit.

Rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, janë kur: a) subjekti i rivlerësimit është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar; b) subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një telefonatë me një person të përfshirë në krimin e organizuar;. c) subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar. ç) subjekti i rivlerësimit ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar. d) subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në disa takime, aktivitete, vakte ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Anëtarësia e dyshuar e personit në krimin e organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të jetë një çështje e skeduar në regjistrat përkatës.

  1. Rrethanat lehtësuese që merren parasysh ne konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar janë kur : a) subjekti i rivlerësimit në mënyrë të besueshme parashtron se nuk është në dijeni të faktit se personi është i përfshirë në krimin e organizuar. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me rrethanat e parashikuara sipas paragrafit 3 gërma “a”.
  2. b) Marrëdhënia familjare e subjekti të rivlerësimit me personin e përfshirë në krimin e organizuar është e largët, ose ka kontakte familjare të rralla. c) Subjekti i rivlerësimit ka qenë i hapur, i besueshëm dhe i plotë në lidhje me kontaktet dhe është distancuar prej tyre. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me kohëzgjatjen e kontakteve ose me perceptimin e arsyeve të veprimeve të ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit. ç) subjekti i rivlerësimit i ka qenë në dijeni që personi është i përfshirë në krimin e organizuar, por nuk ka qenë në dijeni të faktit se, ai do të ishte i pranishëm në një takim, vakt apo është mashtruar për një takim të tillë. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me rrethanat e parashikuara nën-paragrafi 3, shkronja “a”. d) kontaktet e subjektit të rivlerësimit kanë qenë pesë vjet më parë dhe nuk ka ndonjë tregues që ato vazhdojnë ende. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me shkallën e seriozitetit të kontakteve dhe/ose me rrethanat e parashikuara në paragrafin 3 gërma “a””, thuhet në nenin 33 të draftit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button