Kronika

Verifikimi pas vetëdeklarimit, 16 institucione do të kontrollojnë formularët

Faza më e rëndësishme e ligjit të dekriminalizmit është ajo e verifikimit të vërtetësisë së të dhënave të shënuara në formularët e vetëdeklarimit.

Sipas ligjit të dekriminalzimit, i miratuar me konsensus javë më parë, janë 16 institucionet që do të kryejnë verifikimet e para të formularëve të plotësuar nga të zgjedhurit dhe të emëruarit në poste publike.

Komisoni Qendror i Zgjedhjeve do të verifikojë deklaratat e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, Departamenti i Administratës Publike, DAP do të verifikojë formularët e vetëdeklarimit të plotesuar nga punonjësit e administratës, KLD ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, Kuvendi të drejtuesve të institucioneve kushtetuese që emërohen nga ky institucion.

Ndërkaq, Presidenca do të verifikojë ambasadorët e vendit tonë në botë, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, plus çdo funksionar tjetër publik të emëruar prej tij, me përjashtim të kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Në listën e  isntitucioneve të verifikimt janë edhe Kryeministri, Prefekti, drejtori i Shërbimit Infromativ apo ai i Policisë së Shtetit për vartësit përkatës. Verifikimi nga këto institucione ku dorëzohet formulari do të bëhet në javet dhe muajt në vazhdim sipas parashikimit të ligjit dhe në rast se do të ketë dyshime për deklarata të rreme, atëherë secili prej këtyre institucioneve i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme.

Kjo e fundit, që në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit ka ngritur një grup të posaçëm, që përbëhet nga 2 prokurorë, tre oficerë të policisë gjyqësore dhe një punonjës IT, të cilët do të hetojnë çdo rast që do t’u paraqitet brenda 3 muajve.

Edhe pse ligji e parashikon prokurorinë si një institucion të shkallës së dytë për verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, kjo nuk ia heq të drejtën organit qendror të akuzës që në rastet kur ka dyshime të iniciojë vetë verifikimet për të zgjedhurit dhe emëruarit në poste publike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button