Vettingu në ekonomi: Kosto e drejtësisë së munguar
Sistemi jofunksional i drejtësisë, koston më të madhe ia ka dhënë zhvillimit ekonomik të vendit. Ekonomia e Shqipërisë po rritet poshtë potencialeve të saj dhe indekset e biznesit dhe organizatave të huaja bëjnë me faj sistemin e dobët të drejtësisë.
Mosrespektimi i kontratave dhe ligjeve po mban larg investimet e huaja, teksa proceset e stërgjata gjyqësore po pengojnë kthimin e kredive në banka. Mosdhënia e drejtësisë për çështjen e pronave po rrezikon një kolaps të ri buxhetor. Ekspertët shpjegojnë se si e ka ndikuar mungesa e drejtësisë ekonominë.
Banka e Shqipërisë pret që Reforma në Drejtësi do të jetë mbështetje e fuqishme për biznesin në treg dhe për rritjen e ekonomisë në përgjithësi.
Blerina Hoxha
Shqipëria duhet të gëzonte tani ditë të begata prej burimeve të bollshme natyrore, popullsisë së re në moshë dhe pse ndodhet në kontinentin më të zhvilluar. Por ekonomia e saj, vitet e fundit, është rritur me vetëm 2-3% edhe pse potencialet vlerësohen shumë më të larta. Një numër i madh vlerësimesh dhe indeksesh kanë gjetur se sistemi i dobët i drejtësisë është një faktor i madh që ka kontribuar që kjo të mos ndodhë.
-Së pari, sundimi i dobët i ligjit dhe keqpërdorimi i tij po i pengon investitorët të vijnë në Shqipëri. Kanë kaluar tre vite dhe asnjë kompani me reputacion nuk i është afruar vendit, teksa të tjera si Bankers Petroleum dhe gjermanët e Airport Partners, dy nga investitorët më seriozë, shitën aktivitetin në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Sakaq, indeksi i Klimës së Biznesit 2016 i Shoqatës së investitorëve të Huaj (FIA) më herët gjatë javës tregoi se 5 problemet më të mëdha të kompanive të huaja në Shqipëri kishin të bënin me vendimet e gjykatave, zbatimin e ligjit. Ndryshimi i kontratave me investitorët e HEC-eve në vitin 2014,ndaj të cilëve qeveria ndryshoi me ulje çmimin e shitjes së energjisë, ka cenuar rëndë imazhin e Shqipërisë ndaj vendeve partnere. Verën e kaluar, ambasadat e huaja i pohuan “Monitor” se kishin futur Shqipërinë në listën e zezë për investimet e huaja nisur nga sjellja e qeverisë me investitorët e HEC-eve.
-Së dyti, mungesa e drejtësisë në gjykata, për të vendosur dënime për kredimarrësit e këqij sa nuk po çon në kolaps sistemin financiar. Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive të këqija në rajon me rreth 20% dhe për këtë shkak, bankat kanë pushuar së kredituari ekonominë për vite me radhë e për pasojë, kursimet e shqiptarëve kanë humbur eficencën dhe zhvillimi i përgjithshëm i vendit është cenuar nga ky fakt. Një ligj për falimentin nuk po funksionon për 35 korporatat e mëdha që zotërojnë 65% të kredive me probleme dhe gjykatat zvarrisin në pafundësi vendimet për ekzekutimin e kolateraleve të kredimarrëseve të këqij. Banka e Shqipërisë pohoi për “Monitor” se zbatimi i Reformës në Drejtësi do të krijojë shanset e vërteta për të materializuar në mënyrë të suksesshme planin e përbashkët të ndërveprimit për uljen e kredive të këqija. Jemi të bindur se, zgjidhja efikase e këtyre problemeve do të çojë në mënyrë të pashmangshme në rritjen e kreditimit të ekonomisë, të investimeve të brendshme dhe të huaja e për rrjedhim, në vetë gjallërimin e ekonomisë.
-Së treti, mungesa e drejtësisë në trajtimin e pronës, përveçse ka copëzuar vendin në mbi 350 mijë miniferma, kur totali i banorëve është vetëm 2.8 milionë, është shndërruar në një burim konflikti për mijëra familje shqiptare. Përveç kostove sociale dhe në ekonomitë familjare, zhvillimi i qëndrueshëm i vendit është dëmtuar nga ky fakt. Por më e keqja do të ndodhë pasi mbi 100dosje qëpo trajtohen nga Gjykata e Strasburgut pritet t’i faturojnë buxhetit të shtetit me mbi 550 milionë euro për ish-pronarët. Pesë dosjet e para të shqyrtuara janë në favor të ish-pronarëve. Stabiliteti makroekonomik është vënë në rrezik.
-Së katërti, mungesa e sistemit të drejtësisë është bërë shkak për funksionimin e strukturave joligjore paralele me shtetin. Bizneset sidomos ne rrethe përveç tatimeve dhe taksave paguajnë ndaj grupeve kriminale gjoba në këmbim të mosushtrimit të dhunës. Një raport i BERZH cilëson se bizneset në rajon dhe në Shqipërinë paguajnë 6 për qind të ardhurave ndaj aktiviteteve kriminale. Pastrimi i parave që vijnë nga aktivitetet e paligjshme ka krijuar një katastrofë urbane dhe rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme që nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme. Qiraja nuk e justifikon çmimin për 32 vjet, teksa logjika pranon maksimumi kthyeshmëri të investimit prej 15 vitesh. Llogarite tregojnë se 50% e burimit të parave që përdoren për blerjen e një banese nuk kanë burim pagën. Nga ana tjetër, për shkak se drejtësia nuk ka funksionuar 60% e fondit të banesave sipas Censusit nuk kanë hipotekë, pra nuk administrohen dhe as nuk tregtohen në legalitet.
-Së pesti, mungesa e drejtësisë ka cenuar konkurrencën e lirë dhe ka prodhuar çmime të padrejta për kategoritë e bizneseve dhe konsumatorëve që realizojnë të ardhurat nga burimet të ligjshme. Kursimet e shqiptarëve kanë humbur vlerën këtë vit, teksa çmimet e mallrave të qëndrueshme, sidomos banesave, janë rritur ndjeshëm nga blerjet e banesave me para cash. Nga një vrojtim që “Monitor” bëri në fillim të muajit në tregun imobilar, menaxherët e shitjeve pohuan se u kërkohej të blihej një hyrje me para në dorë. Pranë stadiumit “Dinamo”, nga 1700 euro/m²që ishte çmimi në fillimet e ndërtimit, tani ka kapur nivelin e 2000 eurove. Ndërsa nga ana tjetër, kursimet disavjeçare të qytetarëve të thjeshtë ndër vite për të blerë shtëpi po zhvlerësohen me shpejtësi. Nga ana tjetër, biznese që prej vitesh operojnë në fusha të caktuara të tregut, pohojnë se janë në presionin e grupeve kriminale për gjoba apo më e keqja, për të shitur bizneset.
-Së gjashti, mungesa e drejtësisë ka rritur pabarazinë. Drejtësia e munguar ose shitja e saj, në rastin më të mirë, është bërë shkak për korrupsion të gjerë në të gjitha nivelet qeverisjes. Më e keqja lidhet me faktin se tashmë korrupsioni është shndërruar në një normalitet për shumicën. Kjo mendësi ka prodhuar një klasë politike që ndan të ardhurat me oligarkinë ekonomike duke çuar gjithnjë e më pak mirëqenie në shtresat e poshtme të shoqërisë. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në Raportin e Tranzicionit, tha se pabarazia në Shqipëri është thelluar së fundmi.
-Së shtati, mungesa e drejtësisë ka bërë që të lulëzojë informaliteti. Vlerësimet e INSTAT, Bankës Botërore dhe Shërbimit të inteligjencës Amerikane (CIA) e vlerësojnë ekonominë informale në vend në intervalet 35-60%. Ky fenomen ka prodhuar një buxhet publik të varfër që nuk i përmbush nevojat bazike për shërbime sociale arsimore dhe shëndetësore. Vendi ynë, në fund të vitit 2016, mblodhi pak më shumë se 26% të PBB taksa, teksa vendet e rajonit e kanë këtë tregues nga 35 deri në 45% të PBB. Madhësia e ekonomisë informale që ka lulëzuar më së shumti për shkak të mosndëshkueshmërisë dhe zbatimit të ligjit njësoj për të gjithë, e ka bërë vendin më pak të preferuar për investitorët, ndërsa shtresat e varfra të popullsisë më pak të mbrojtura nga shërbimet publike. Sipas indeksit të Bankës Botërore, gjysma e popullsisë në vend shpenzon më pak se 5 dollarë në ditë.
-Së teti, mungesa e sistemit funksional të drejtësisë e ka bërë Shqipërinë një parajsë për korrupsionin. Pagesat e paligjshme janë po aq popullore se të ligjshmet. indeksi i korrupsionit 2016 i publikuar nga Transparency International e rendit në vendin e83 në mes të 176 vendeve. indeksi që publikohet vit për vit e nxjerr Shqipërinë ndër më të korruptuarit në rajon dhe në Europë. Shqipëria mban rekord si vendi që paguan më shumë nën dorë doktorët, në indeksin e Shëndetit të Konsumatorit 2016, publikuar së fundmi nga HealthConsumerPowerhouse. Pas Shqipërisë, në zonën e kuqe renditen Hungaria, Bullgaria dhe Rumania. Vendet e tjera të rajonit kanë dhënë përgjigje më të moderuar, ku më keq renditen Greqia e Serbia dhe më mirë Maqedonia. Korrupsioni është identifikuar si pengesa më e madhe për sipërmarrjen nga 56% e bizneseve të pyetura në kuadrin e “Anketimit për Koston e Përputhshmërisë Tatimore” tëIFC-së në vitin 2013. Anketimi i fundit i ndërmarrjeve i IFC-së konstatontese 85.9% ndërmjet ndërmarrjeve të mesme dhe 100% ndërmjet ndërmarrjeve të mëdha paguajnë para nën dorë për të siguruar kontrata qeveritare. Pagesat korruptive kanë përfshirë më së shumti gjyqësorin. Në të gjitha indekset si ai i Transformimit i Fondacionit Bertelsmann, indeksi FreedomHouse, Projekti Botëror i Drejtësisë, Studimi i Forumit Botëror Ekonomik etj., tregojnë se, sistemi i drejtësisë në Shqipëri kryeson me korrupsionin. Ndërsa një studim i posaçëm i Komisionit Europian për reformën në drejtësi në vendet anëtare dhe jo anëtare ka gjetur se korrupsioni margjinalizon shtresat e varfra, duke u krijuar kosto për blerjen e drejtësisë edhe kur u takon.
Gjykatat dhe mungesa e drejtësisë mbajnë larg investitorët
10 problematikat më të mëdha që shqetësojnë investitorët e huaj aktualisht kanë të bëjnë me gjykatat, mosrespektimin e kontratave nga qeveria, zbatimin e drejtë të ligjit etj. Rezultatet e indeksit të klimës së biznesit 2016 nga Shoqata e investitorëve të Huaj (FIAA) në të cilat u përfshinë 70 kompani të rëndësishme që u përkasin sektorëve si shërbime, industrisë, treguan se problemi më shqetësues në aktivitetin e tyre në Shqipëri ishin gjykatat. Pas gjykatave, problematikat kryesore të evidentuara nga bizneset në anketë janë si më poshtë, gjykatat, korrupsioni, efikasiteti i Gjykatës Administrative, ndryshimet e shpeshta të Legjislacionit dhe procedurave tatimore, informaliteti dhe konkurrenca e pandershme, parashikueshmëria e politikave dhe kuptueshmëria e kuadrit ligjor dhe procedurave tatimore.78 për qind e investitorëve të pyetur kanë pohuar se funksionimi i gjykatës është problem.
Perceptimi negativ i investitorëve është rritur dukshëm në krahasim me vitin e kaluar, duke shënuar 12 pikë përqindje rritje.
Shqetësimi i dytë më i madh i investitorëve më 2016 është korrupsioni, ku 72% e të pyeturve e kanë vlerësuar problem të madh. Perceptimi për korrupsionin shënoi një rritje me 12% në krahasim me vitin e kaluar. Gjithashtu funksionimi i Gjykatës Administrative është problemi i tretë më shqetësues. indeksi i FIAA-s tregon se 68% e investitorëve janë të pakënaqur me eficencën e gjykimeve të kësaj administrate. Perceptimi negativ për këtë hallkë të drejtësisë që ka një histori të shkurtër funksionimi është rritur me 20% në krahasim me vitin e kaluar.
Më herët, një studim i Këshillit të investimeve vitin e kaluar ka gjetur se gjykatat administrative janë në pamundësi objektive për të shqyrtuar çështjet brenda afateve ligjore, për shkak të numrit të lartë të çështjeve të regjistruara përpara tyre dhe numrit të kufizuar të gjyqtarëve si dhe fakti që rreth 50% e çështjeve nuk kanë lidhje drejtpërdrejt me bizneset. Konstatohet se për hir të përmbushjes së afateve të shkurtuara të gjykimit, shpesh vihet në diskutim cilësia e vendimeve të tyre ku mbizotëron dukshëm një raport në masën mesatarisht 70% të vendimeve në favor të institucioneve të administratës publike.
Shqetësimi i katërt madhor i investitorëve të huaj lidhet me ndryshimet e shpeshta të ligjeve fiskale dhe procedurave tatimore. Edhe ky perceptim u rrit në krahasim me vitin 2015 me dy pikë përqindje. Gjithashtu shqetësimet i investitorëve u rritën edhe për konkurrencën e pandershme dhe ekonominë informale në krahasim me vitin2015. Shqetësimet e investitorëve për sistemin e drejtësisë nuk mbarojnë. Ligjet shqiptare, sipas 63% prej tyre, janë jo të kuptueshme dhe lënë vend për interpretime abuzime.
Investitorët të pyetur për faktorët që do të ndikonin pozitivisht në performancën e bizneseve të tyre u shprehën se ndër elementet kryesore që do të ndikonin pozitivisht në këtë aspekt janë: Lufta kundër korrupsionit, zbatueshmëria efektive e ligjit, formalizimi i ekonomisë, stabiliteti politik, reformat rregullatore të klimës së biznesit, respektimi i rregullave ndërkombëtare të arbitraritetit. Shumica e këtyre kërkesave kanë të bëjnë me vënien në vend të drejtësisë. Për rrjedhojë, besimi i investitorëve për të bërë biznes në Shqipëri është përkeqësuar më tej.
Drejtësia me “pagesë” ka deformuar tregjet dhe çmimet
Teksa blerja e banesave së dekadën e fundit është financuar nga kredia bankare, së fundmi po shihet blerja e tyre me para cash, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve të shtëpive me ritme të shpejta muajt e fundit (një problem i trajtuar më herët nga Monitor).
Sektori i ndërtimit edhe më parë është konsideruar nga strukturat e hetimore “lavatriçja e pastrimit të parave”.
Analiza e çmimeve të banesave në treg, sidomos në qendër të Tiranës, si zona më e preferuar e të gjithë republikës, tregon se janë shumë të pakta kategoritë e pagave që arrijnë të justifikojnë këto çmime. Çmimet e apartamenteve në Tiranë brenda zonës së parë që përshin unazën, variojnë nga 1000- 2000 euro për metër katror, teksa të ardhurat mesatare vjetore të shqiptarëve nga pagat nuk janë më shumë se 4800 euro në vit. Vlera e apartamenteve shumë herë përtej fuqisë blerëse nga të ardhurat e ligjshme tregon që se financimet për blerjen e tyre vijnë nga burime jo informale.
Ky lloj tregu i krijuar nga pastrimi i parave ka zhvlerësuar kursimet e qytetareve që i sigurojnë ato në mënyrë të ndershme. Miranda me profesion infermiere që mori një kredi në fund të vitit të kaluar u përball me kosto shtese teksa se pa se në zonën ku jeton pranë Kodrës së Priftit çmimet e banesave kishin pësuar rritje të paktën me 150 euro për metër katror qe kur kredia e saj u miratua.
Padrejtësitë me pronat, faturë e lartë për ekonominë
Çështjet e pazgjidhura të pronësisë e kanë mbajtur peng zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, pa përmendur konfliktet sociale që kanë krijuar, të drejtat e cenuara të ish-pronarëve dhe miliona eurot që buxheti i varfër i Shqipërisë detyrohet për kompensimin e kësaj shtrese.
Në krye të rrokopujës janë cenuar rëndë interesat e publikut. Faturat mbi 47 milionë euro të paguara dhe në proces nga buxheti i shtetit dhe 550 milionë eurot që priten nga 106 vendimet që janë në proces në Gjykatën e Strasburgut kanë vënë në dilemë aftësinë paguese nga fondet qeveritare.
Myrshit Vorpsi nga Shoqata Pronësi me Drejtësi, pohoi se Gjykata e Strasburgut ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin, duke sjellë shumë pranë një kolaps fiskal. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit.
Qeveria shqiptare rrezikon të paguajë një faturë të kripur për kompensimin e 82 dosjeve për kompensim prone në Gjykatën Strasburgut. Myrshit Vorpsi pohoi se Gjykata e të Drejtave të Njeriut nuk e ka pranuar kërkesën e qeverisë shqiptare për të kompensuar dosjet në proces në bazë të zërit kadastral 1944, ku toka truall kompensohet si tokë bujqësore.
Vlera e dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë e papërballueshme për arkën e shtetit.
Rasti Rista (çështja nr.24468/10) është ilustrimi i asaj që pritet të ndodhë me kompensimin e ish-pronarëve. Duke pasur parasysh faktin se në kohën e konfiskimit, ngastra e tokës kishte qenë bujqësore, qeveria propozoi që çmimi i referencës për tokën bujqësore dhe në bazë të hartave të vlerësimit të vitit 2014 që duhet të zbatohet, vlera e tokës është 230 lekë për metër katror.
Vendimi i njëjtë është marrë edhe për tre dosjet e tjera, si rasti “Karagjozi kundër Shqipërisë”, “Halimi kundër Shqipërisë” etj.
Ish-pronarët, nisur nga këto raste, komentojnë se nëse një gjykatë ndërkombëtare konstaton se Republika e Shqipërisë ka shkelur detyrimin që rrjedh nga një marrëveshje ndërkombëtare dhe, si rrjedhojë, janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të një personi fizik ose juridik nëpërmjet një ligji ose akti normativ, Gjykata Kushtetuese, me kërkesë, mund të shfuqizojë ligjin ose aktin normativ nëse konstaton se nuk ka mjet tjetër efektiv për të vënë në vend të drejtat e cenuara.
Teksa qeveritë shqiptare kanë dështuar në kthimin e kompensimin e pronës, ish-pronarët panë si zgjidhje Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe buxheti i shtetit është para një rreziku serioz.
Sipas Avokaturës së Shtetit, 106 çështje që janë në pritje të shpalljes së vendimit, që i përkasin periudhës pas vitit 2014, kanë një vlerë prej 556.524.809 eurosh, shumë kjo sa rreth 20% e të ardhurave të pritshme të buxhetit vjetor të shtetit.
Një taksapaguesi të rregullt, që nuk ka zënë pronën e askujt dhe as nuk ka për të rimarrë tokë ose para, e drejta është që taksat t’i kthehen në shërbime dhe jo të shkojnë pafundësisht për kompensimin e ish-pronarëve.
Amullia e pronave lidhet me mosfunksionimin e drejtësisë kryesisht. Gjykatat shqiptare kanë lëshuar një lumë vendimesh me të cilat kanë dubluar titujt e pronësisë. Përveç konflikteve sociale që janë krijuar, Shqipëria sot ka një treg të deformuar pronash që janë bërë shkak për zhvillimin e bujqësisë dhe investimeve të huaja. Në indeksin e Bankës Botërore për Klimën e Biznesit 2017 të Bankës Botërore, Shqipëria zuri vendin e 106 për regjistrimin e pronave në 186 vendet e marra në studim.
Reforma në Drejtësi, kritike për nxitjen e kredisë
Duket sikur nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, por mungesa e drejtësisë ka sjellë ditë të vështira për sistemin bankar. Zvarritja për ekzekutimin e kolateraleve për ata që nuk i kthejnë kreditë dhe zgjatja në pafundësi e gjykimeve për këto raste e ka bërë vendin me stokun më të lartë në rajon, (20%) të kredive të pakthyera në banka. Ky fenomen përveçse ka përkeqësuar bilancet e bankave, ka frenuar kreditimin për pjesën e shëndetshme të ekonomisë.