Ekonomia

Viti i të papriturave

Të orientuar nga kërkesa, sidomos turizmi, bizneset pritet të shtojnë investimet në vitin 2017, duke shtruar rrugën për një përmirësim të aktivitetit ekonomik. Ecuri pozitive parashikohet edhe për eksportet, ndonëse kostot e biznesit do të vijojnë rritjen edhe këtë vit (paga minimale dhe tarifat e energjisë si rrjedhojë e liberalizimit të tregut), duke goditur më tej industrinë përpunuese. Normat e interesit dhe inflacioni do të vijojnë tendencën rritëse të konstatuar që në muajt e fundit të 2016-s. Pavarësisht pritshmërive pozitive, zgjedhjet e përgjithshme në qershor 2017, kriminalizimi dhe ekonomia e kanabisit, së bashku me pasiguritë globale, mund të shkaktojnë të papritura të pakëndshme…

 

Nga Ornela Liperi

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian, referendumi i së cilës nisi si një lojë që do të fitohej lehtë, dhe zgjedhja e Donald Trump, një tipi kontrovers si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës na mësuan se bota nuk është më ajo e para. Ndjenjat antiglobaliste janë rritur, duke u fajësuar (me pa të drejtë) si shkaktare të varfërimit dhe rritjes së pabarazisë që po përjeton bota, duke çuar individët drejt zgjedhjeve që vite më parë ishin thjesht të paimagjinueshme. Në Bashkimin Europian, eurospektikët sa vijnë e po rriten, duke rrezikuar që në zgjedhjet e pritshme në Francë e Gjermani të vijnë në pushtet kandidatë që janë kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, teksa proteksionizmi sa vjen e po shtohet në çdo vend.

E në këtë mjedis të jashtëm të vështirë e të pasigurt do të tentojë të rritet ekonomia shqiptare. Të papriturat nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. E para ishte moti i keq i ditëve të fundit, që mund të shkaktojë pengesën e parë për zgjerimin ekonomik, që këtë vit, sipas institucioneve ndërkombëtare, pritet të jetë në rreth 3.5%. E dyta janë zgjedhjet elektorale, që pritet të mbahen në një situatë të tensionuar, teksa reforma në drejtësi pritet të marrë udhë gjatë këtij viti. Së treti, nëse vazhdon masivizimi i kanabisit mund të deformojë treguesit ekonomikë.

Përfundimi i marrëveshjes detyruese me FMN-në mund të çojë në “shthurjen” e qeverisë nga angazhimi i saj për konsolidimin fiskal, sidomos në pjesën e parë të vitit. Në një intervistë për Monitor, Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, e vë fort theksin në domosdoshmërinë që qeveria t’i qëndrojë angazhimeve të saj në lidhje me reformat, veçanërisht në taksat dhe menaxhimin e financave publike.

Pavarësisht pengesave, biznesi shqiptar do të tentojë rritjen, i udhëhequr nga turizmi, ndërtimi, investimet e mëdha që pritet të vazhdojnë dhe nga një rigjallërim i konsumit. Profesor Adrian Civici thotë se pas rënies së 2010-2015, ekonomia ka hyrë tashmë në një cikël rritjeje.

 

Kërkesa orienton investimet, qeverisjet pa vizion

Ashtu si pas ’90, kur bizneset u orientuan nga kërkesa, edhe sot vijon e njëjta tendencë. Në vite, qeverisjet nuk ia kanë dalë të orientojnë një model ekonomik që t’u paraprijë tendencave të tregut. Kjo pritet të ndodhë këtë vit me turizmin. Kërkesa e lartë nga të huajt, pas krizës politike e terroriste në Turqi, e ka gjetur të papërgatitur Shqipërinë, që në vite kishte zhvilluar një turizëm spontan, pa kapacitete të mëdha. Bizneset u janë kthyer tashmë projekteve për investime në resorte në bregdet dhe disa prej tyre i kanë nisur ato.

Ky orientim, së bashku me zbatimin e planit rregullues për Tiranën, pritet të rikthejë ndërtimin në një cikël pozitiv rritjeje. Në fakt kjo ka filluar, teksa të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2015, pesha e ndërtimit u rrit me një pikë përqindjeje në 9.7%, por që gjithsesi mbetet larg viteve të arta prej 12%.

 

Eksportet në gjallërim

Për dy vite radhazi, eksportet kanë shënuar një tendencë rënëse, prej -5% në 2015-n dhe -1.6% për 11-mujorin 2016, duke qenë larg viteve të arta kur kishin rritje dyshifrore. Rënia e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji” ishte arsyeja kryesore e kësaj tendence, ndërsa në vite eksportet nuk kanë arritur të diversifikohen, duke u varur ndjeshëm nga ky grup dhe ai i tekstileve e këpucëve. Negativisht në 2016-n ndikoi dhe shpallja e falimentit të prodhuesit të çelikut Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj.
Në vitin 2017, tendenca pritet të jetë më pozitive. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, ka deklaruar rifillimin e shpimit të puseve, ndërsa dhe rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është në favorin e tyre.
Industria e tekstileve e këpucëve (kryesisht fason), që udhëhoqi rritjen në 2016-n mbetet pozitive edhe këtë vit, pavarësisht se aftësitë e saj konkurruese po dëmtohen nga rritja e kostove. Në një zhvillim negativ, eksportuesit e fasonit nuk presin që të hapin vende të reja pune në 2017-n (lexo shkrimin në vijim).

Edhe Kurum, që është në proces ristrukturimi, ka rifilluar pjesërisht punën, përmes Albametal. Eksportet e metaleve kanë shënuar rritje që në muajt e fundit të 2016-s. Edhe prodhuesit e materialeve të ndërtimit (çimenton) kanë shpresa se aktiviteti i tyre do gjallërohet këtë vit, si rrjedhojë e investimeve më të larta kapitale në prag të zgjedhjeve. Produktet e ushqimeve, pijeve e duhanit, me një rritje dyshifrore në 2016-n, pritet që të vijojnë zgjerimin edhe këtë vit, nëse moti nuk do të bëjë shumë kapriço.
Më pesimistë janë bizneset e agroindustrisë, që nuk presin një rritje të eksporteve më shumë se 10%, ndryshe nga viti i kaluar, kur u zgjeruan mbi 20%.

Problemi afatgjatë i eksporteve vijon të mbetet varësia nga Italia, mungesa e vlerës së shtuar dhe diversifikimi i ulët i produkteve që ne shesim jashtë vendit (kryesisht lëndë të parë dhe produkte që kanë si avantazh kryesor krahun e lirë të fuqisë punëtore, si fasoni).

 

Rritja e barrës fiskale pritet të vazhdojë indirekt

Tre vitet e fundit, shtimi i vazhdueshëm i barrës fiskale (përmes taksave direkte e të fshehura, tarifave dhe shtrenjtimit të energjisë) ka rritur kostot te biznesi, sidomos industrinë përpunuese, duke i bërë ato më pak konkurruese, në pamundësi për ta transferuar atë te çmimet, sidomos eksportuesit.

Këtë vit, ndonëse nuk ka rritje direkte të taksave, shtimi i barrës fiskale do të vazhdojë. Elementi i parë është rritja e pritshme e pagës minimale nga 22 mijë lekë në 23 mijë lekë, që prek më së shumti industrinë e fasonit, por edhe përpunuesit e tjerë. Sipërmarrësit e kanë kundërshtuar këtë rritje, për sa kohë ajo nuk është e lidhur me produktivitetin. Sipërmarrësit paralajmërojnë se kjo do të ndrydhë investimet dhe punësimet e reja, si një formë për të amortizuar këto kosto. Biznesi fason, por edhe ai i agroindustrisë janë pesimistë për hapjen e vendeve të reja të punës.

Liberalizimi i tregut të energjisë mund të sjellë një tjetër valë shtrenjtimi të çmimeve. Me ligjin e ri të energjisë, 6200 biznese që furnizohen në linjën 20 kv duhet të dalin në tregun e lirë (të gjejnë vetë furnizuesin e energjisë me çmime tregu) në gjysmën e dytë të vitit dhe 82 kompani të tjera që marrin energji në tensionin 35 kv duhet të dalin që në shkurt. Kjo dalje në tregun e lirë do t’i bëjë ata të pambrojtur ndaj periudhave kur mund të ketë kufizim oferte, si p.sh., në kohë thatësire. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e reja të aksesit të bizneseve në rrjetin e shpërndarjes. Përveç çmimit të energjisë elektrike, bizneset që furnizohen në 35 kilovolt do t’i paguajnë edhe 1.5 lekë për kilovat tarifë OSHEE-së për përdorimin e rrjetit dhe bizneset 20 kilovolt do të paguajnë mbi çmimin 11 lekë të energjisë për kilovat edhe 3.9 lekë të tjera si tarifë përdorimi për rrjetin e OSHEE-së. Me këtë vendim, të 6200 bizneset që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë për shkak të tarifës së re deri në 35% më shtrenjtë energjinë dhe 82 bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt do të paguajnë 15% më shumë. Por ekspertët e OSHEE shpresojnë se bizneset do të mund të gjejnë furnizues me çmim më të lirë, e cila mund të amortizojë tarifën e re të përdorimit të rrjetit.

 

Punësimi, pesimizëm nga dy sektorët kryesorë

Fati i kompanive call center, që dei tani kishin qenë burimi më i shpejtë i rritjes së punësimit në vend, me rreth 25 mijë të punësuar në total, është i paqartë, pas sanksioneve shtrënguese që ka vendosur qeveria italiane për delokalizimin. Kompanitë e mëdha pritet të përballojnë presionin e fqinjëve, që janë të shqetësuar për ikjen e vendeve të punës drejt Shqipërisë, por është vështirë të shpresohet se do vazhdojë lulëzimi i këtij sektori.
Edhe industria fason nuk shfaqet shumë optimiste për vende të reja pune, si rrjedhojë e shtimit të kostove dhe rendjes së fasonistëve drejt teknologjisë.
Të dy këta sektorë punësojnë zyrtarisht mbi 60 mijë persona, por numri real vlerësohet të jetë më i lartë.

 

Dy anët e medaljes së tregtisë me pakicë

Konsumi pritet të jetë në një përmirësim të lehtë, si rrjedhojë e gjallërimit të punësimit dhe shtimit të hyrjes së valutës nga burime informale, por dhe parave që hidhen në prag të zgjedhjeve.

Zinxhirët e organizuar të tregtisë me pakicë pritet të vijojnë rritjen, duke marrë tregun e të voglave dhe kanë plane për të zgjeruar dhe për të diversifikuar aktivitetin.

Vitet e fundit, një problem që po kalon pa marrë vëmendjen e duhur është goditja e vetëpunësimit. Me rreth 25% të totalit të atyre që punojnë në vend, që i sigurojnë vetë të ardhurat e tyre, Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Greqisë, për nga pesha e lartë e të vetëpunësuarve në raport me totalin e të punësuarve në ekonomi. Dhe teksa rrjeti i organizuar i tregtisë me pakicë dhe qendrave tregtare ka marrë përhapje të gjerë në vend në dekadën e fundit, bizneset e vogla po marrin gjithnjë e më shumë goditje, duke rrezikuar një nga burimet kryesore të punësimit në vend.

Zhvillimi i qendrave të mëdha dhe supermarketeve ishte një dukuri e pashmangshme. Supermarketet ofrojnë kushte më të mira tregtimi higjieno-sanitare, çmime më të ulëta, më shumë shumëllojshmëri produktesh, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve, si dhe më shumë ulje në formën e ofertave të vazhdueshme dhe eventeve promocionale.

Por, kjo tendencë, në këndvështrimin e konkurrencës te biznesi i vogël tregtar po rezulton gjithnjë e më problematike për shkak të peshës së rëndësishme që kanë njësitë e vogla tregtare në punësim dhe sidomos vetëpunësim. Investimet e mëdha, që do të hapnin vende të reja pune po mungojnë së fundmi, duke mos pasur një alternativë zëvendësuese për të amortizuar këtë tendencë ciklike të ekonomisë.

 

Kredia në përmirësim

Pas më shumë se dy vitesh në ngërç, bankierët presin që huadhënia të gjallërohet këtë vit, e udhëhequr nga ardhja e turistëve. Kjo pritet të sjellë aplikime të pranueshme në disa sektorë, si në ndërtim, restorante, hoteleri.

Tendencën e pritshme për rritje të kreditimit e konfirmon dhe prof. Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës së Bankave. “Bankat janë të përgatitura dhe në pritje për të mbështetur një rritje më të konsiderueshme të biznesit se në këto vitet e fundit”, pohon ai. Sektorët që do të shihen me përparësi nga bankat janë turizmi, agro-përpunimi dhe projektet me partneritet publik-privat.

 

Investimet e huaja priten në rritje, sërish shpresa te TAP

Pas një përkeqësimi në gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja e morën veten në gjysmën e dytë të 2016-s, të udhëhequra nga fillimi i punimeve për projektin e gazsjellësit TAP. Ky projekt pritet të jetë në kulmin e vet edhe në 2017-n. Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP për Shqipërinë, thotë se përveç vijimit të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit, nisin edhe punimet për ndërtimin e stacionit të kompresorëve në zonën e Fierit. Gjithashtu, gjatë këtij viti, pritet që të fillojnë punimet edhe në sektorin lindor të gazsjellësit, në zonën e Korçës, për të vijuar drejt zonës malore të Skraparit, ku është edhe pika më e lartë e gazsjellësit TAP, 1800 metra mbi nivelin e detit.Në sektorin e naftës, që në 2016 ishte tërësisht i tkurrur, pritet që investimet të rriten sërish në rreth 150 milionë euro këtë vit.
Statkraft, kompania norvegjeze që po ndërton hidrocentralin e Devollit, ka futur në eficencë HEC-in e Banjës në fund të 2016-s, ndërsa ka nisur ndërtimet për HEC-in e Moglicës.
Pavarësisht vlerës së lartë, që u afrohet 1 miliard dollarëve, investimet e huaja në ekonominë shqiptare janë përgjithësisht pa vlerë të shtuar në hapjen e vendeve të reja të punës, teksa në pjesën më të madhe janë puse nafte, apo tubat që po futen nën tokë nga TAP.

 

2016-a ishte fundi i interesave të ulëta

Banka e Shqipërisë ka dhënë sinjale se politika monetare do të vijojë të qëndrojë lehtësuese edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2017 dhe më pas mund të merret në konsideratë të kthehet kahu në shtrëngues.
Por tregu ka filluar tashmë vetë të shkojë drejt rritjes, i orientuar nga yield-i (interesi i bonove të thesarit). Norma në ankandin e fundit të vitit të kaluar, yield-i i bonove 12-mujore kërceu në 3.22%, me një rritje të ndjeshme në krahasim me janarin 2015, kur ishte 2.11% dhe nivelin më të ulët të 2016-s prej 1.22% që arriti në korrik.
Normat e interesit të depozitave për disa afate maturimi kanë shënuar rritje të fortë në nëntor, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

 

Çmimet në rritje

Edhe presionet inflacioniste pritet të jenë në rritje, duke e detyruar Bankën e Shqipërisë të rrisë normën bazë për disa arsye. Së pari, çmimet e karburanteve këtë vit pritet të jenë të larta në bursa dhe kjo është reflektuar që në janar në tregun e brendshëm. Së dyti, inflacioni i importuar do të jetë më i lartë (në dhjetor inflacioni në Eurozonë ishte më i madhi që nga viti 2013). Së treti, gjithnjë në periudha zgjedhore ka një rritje të parasë jashtë bankave që shoqërohet me inflacion të shtuar. Së katërti, luhatjet e motit (ngricat, apo përmbytjet) mund të shtrenjtojnë produktet vendase. Bizneset pritet të reflektojnë edhe rritjen e vazhdueshme të kostove nga taksat, tarifat dhe shtrenjtimi i energjisë.

 

Informaliteti, sërish problem shqetësues

Një fushatë agresive informaliteti e ndërmarrë në fund të 2015-s, rezultoi e dështuar, pavarësisht qëllimit të mirë të saj. Edhe për vitin 2016, të ardhurat në buxhet për 11-mujorin kanë shënuar një rritje minimale prej 6.8%, sipas të dhënave nga financat, të ndihmuara nga performanca e mirë e institucioneve të energjisë (OSHEE, KESH, OST), që kanë paguar 11% të tatimfitimit, dhe 18.5% të TVSH-së, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë.
Rendimenti i ulët i të ardhurave reflekton si informalitetin që vijon të mbetet i lartë, ashtu dhe gjendjen jo të mirë të bizneseve që me vështirësi arrijnë të mbijetojnë.
Nikollaq Neranxi, sipërmarrës, thotë se është një problem shumë i madh, limiti i xhiros që i kanë vënë biznesit të vogël. Në këtë mënyrë ata refuzojnë të marrin faturat tatimore që të mos kalojnë pragun dhe të mos futen në biznesin e madh, që të paguajnë më shumë detyrime në shtet. Kjo ka rritur informalitetin dhe i ka krijuar shumë probleme biznesit të madh i cili s’ka se ku të shkarkojë TVSH-në. Ai thotë se kjo është një situatë që duhet të marrë fund, sepse po krijon probleme të mëdha.

 

Ekonomia shtrembëruese e kanabisit

Ekonomia e kanabisit tashmë ka filluar të shtrembërojë ekuilibrat e brishtë makroekonomikë. Në mënyrë të pazakontë, euro zbriti në 134.5 lekë në fund të vitit nga 139 lekë në janar, duke pasur një sjellje të kundërt nga vitet e kaluara, kur pavarësisht rënies së monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare, ajo qëndronte në nivelin e 140 lekëve në tregun vendas. Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja lidhet me ofertën e lartë në euro. Konsumi rezulton në rritje, por është e vështirë të dallohet se sa ka ardhur nga përmirësimi i ekonomisë dhe sa nga paraja e aktiviteteve kriminale. Në mënyrë paradoksale, papunësia po ulet nga rritja e të punësuarve në bujqësi, kur vetë sektori zyrtarisht, sipas të dhënave të INSTAT, rezulton me rënie. Çmimet e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet, po rriten për shkak të blerjeve me para në dorë, me të ardhurat informale.

 

2017, më shumë elemente penguese se lehtësuese

Faktorët negativë

-Normat e interesit të kredisë në rritje
-Inflacioni në zgjerim, i nxitur nga faktorë të brendshëm e të jashtëm
-Rritja e inflacionit mund ta çojë politikën monetare në kahun shtrëngues
-Rritja e pritshme e pagës minimale do të shtojë kostot e biznesit
-Liberalizimi i tregut të energjisë për bizneset do t’i lërë këta të fundit të pambrojtur ndaj një shtrenjtimi të çmimit, p.sh., në raste thatësire
-Tensione politike në periudhën elektorale
-Investitorët do të qëndrojnë larg, për sa kohë që nuk do të zgjidhet qeveria e re
-Ndryshimet klimatike mund të sjellin pasoja të paparashikueshme, si ngricat dhe dëbora e ditëve të fundit, apo përmbytje, me kosto të larta për ekonominë dhe buxhetin
-Përfundimi i marrëveshjes detyruese me FMN-në mund të çojë në “shthurjen” e qeverisë nga angazhimi i saj për konsolidimin fiskal, sidomos në pjesën e parë të vitit
-Informaliteti vijon të jetë i lartë dhe përpjekjet për ta luftuar atë pritet të jenë më të dobëta në prag të zgjedhjeve
-Vazhdimi i ekonomisë së kanabisit
-Rritja e vazhdueshme e kostove dhe taksave i ka bërë bizneset më pak konkurruese
-Biznesi fason, por edhe ai i agroindustrisë janë pesimistë për hapjen e vendeve të reja të punës.
-Nëse euro do të vijojë të jetë e nënçmuar do të godasë eksportuesit shqiptarë
-Call center vështirë se do të jenë gjeneruesi kryesor i punësimit në vend, ashtu siç po ndodhte tre vitet e fundit

Faktorët pozitivë

-Kërkesë e lartë nga turistët e huaj, që do të shtojë prurjet valutore
-Investime private në rritje të orientuara nga kërkesa e lartë e turistëve
-Eksportet pritet t’i kthehen tendencës rritëse
-Mjedis më i butë fiskal, pa rritje taksash dhe pa presion tatimor, në prag të zgjedhjeve
-Rritje e shpenzimeve kapitale, sidomos në pjesën e parë të vitit, që do shtojnë likuiditetet në ekonomi
-Zbatimi i reformës në drejtësi mund të krijojë një mjedis më të favorshëm për investimet e huaja, por dhe klimën e biznesit në Shqipëri
-Investimet e mëdha do të vazhdojnë. TAP do të jetë në fazën e tij kulmore në 2017-n, ndërsa HEC-i i Devollit pritet të fillojë nga puna
-Interesat e depozitave mund të fillojnë rritjen, duke rikthyer kursimet në lekë në banka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button