Politika

Vizita e Clinton në Tiranë tërheq vëmendjen e medias ndërkombëtare

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton zhvillon për herë të parë një vizitë në Shqipëri. Një ceremoni u zhvillua dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ishin të pranishëm edhe qytetarë të shumtë. Kjo vizitë ka tërhequr gjithashtu edhe vëmendjen e medias ndërkombëtare:

RADIO EVROPA E LIRË

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, kërkoi që t’i jepet zgjidhje situatës në veri të Kosovës, të cilën e cilësoi si ”marrëzi”.

Në fjalimin e tij para zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe qytetarëve të mbledhur në nder të tij në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ai theksoi se duhen mbajtur sa më shpejt zgjedhjet në veri të Kosovës.

”Në Kosovë tani po ndodh një mosmarrëveshje që do të doja të mos ndodhte kurrë. Nuk është më në dorën time. Por, kosovarët krijuan këto katër komuna për të mirën e serbëve, për t’iu dhënë atyre edhe katër kryetar komunash, por edhe vend në Kuvend. Prandaj, mendoj se ata bënë gabim që nuk votuan. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët tani në shumicë që të përpiqen ta shfrytëzojnë momentin për të paraqitur argumentin e tyre. Por, gjëja që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi”, tha Clinton.

”Duhet të përfitojnë nga momenti për ta ndalur këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ata njerëz në ato komuna kanë nevojë për një qeverisje të denjë dhe qytetarët duhet të votojnë”, shtoi ish-presidenti amerikan.

REUTERS

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton takoi dje 12 fëmijë dhe burra nga Kosova, të cilët mbajnë emrin i tij në shenjë mirënjohjeje për rolin e tij në ndalimin e Luftës së Kosovës  gjatë viteve 1998-1999.

Clinton, i cili shërbeu si president nga viti 1993 deri në vitin 2001, konsiderohet si një hero në Kosovë dhe Shqipëri për fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave të Serbisë në vitin 1999.

Sulmet ndaluan luftën dhe lejuan afro një milion refugjatë shqiptarë në Kosovë të kthehen në shtëpitë e tyre.

Takimi i Clinton-it me personat që mbanin emrin e tij, të moshave nga 1 deri në 23 vjeç, u zhvillua në bulevardin kryesor të kryeqytetit të Shqipërisë. Veprimtaria u organizua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili i dorëzoi Clinton-it, 76 vjeç, një medalje për rolin e tij në sjelljen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Një nga njerëzit me emrin Clinton, Klinton Berisha, i tha ish-presidentit se ”jemi shumë krenarë për atë që keni bërë për vendin tim dhe dua t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime”.

EURACTIV

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton u nderua me medaljen Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike, nderimi më i lartë i dhënë nga një kryeministër shqiptar, gjatë një vizite në Tiranë të hënën, ku ai bëri thirrje gjithashtu për t’i dhënë fund ”marrëzive” në veri të Kosovës.

Clinton, presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nderohet gjerësisht në Kosovë dhe Shqipëri për shkak të rolit të tij në përfundimin e luftës Kosovë-Serbi dhe qëndrimit të tij në mbështetje ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në një ceremoni në qendër të Tiranës, kryeministri Edi Rama i dha medaljen Clinton-it dhe shpjegoi rëndësinë e saj.

“Keni qenë me ne për një kohë të gjatë, sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori jo shumë e largët për të konfirmuar riangazhimin e Amerikës për paqen tonë dhe për të na thirrur edhe një herë të shpresojmë”, tha Rama.

Marrësit e mëparshëm të medaljes përfshijnë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ish-presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Rama iu drejtua turmës së diplomatëve, politikanëve, mediave dhe qytetarëve dhe foli për të kaluarën e Kosovës, duke i dhënë meritën Clinton-it që bëri të mundur çlirimin e Kosovës dhe Ballkanit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button