Vlahutin: Operacioni “Forca e Ligjit”, hap vendimtar në luftën ndaj krimit
Krimi në Shqipëri ka sjell kosto të madhe dhe institucionet duhet të bëjnë detyrën e tyre duke e luftuar atë.
Ky ishte mesazhi që përcolli sot Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, gjatë aktivitetit të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të çeljes së operacionit “Forca e Ligjit”, që ka si synim luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit ekonomik. Në këtë kuadër do të ngrihet Taks Forca, në të cilën do të bëjnë pjesë dhe specialistë të FBI-së amerikane.
Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, në fjalën e saj u shpreh se në të gjitha vendet e Bashkimit Europianë, ligji është i barabartë për të gjithtë. Ajo shtoi se dhe në këto vende ka probleme me krimin, por institucionet i luftojën ashpër ato, kjo duhet të ndodh dhe në vendin tuaj.
“Krimi i organizuar ekziston në shumë vende dhe nuk do t’ia dijë për asgjë por në shumicën e vendeve jepet një përgjigje e fortë nga institucionet. Këtu është dallimi, aftësia e institucioneve ta luftojnë krimin, ta ndëshkojnë. Të jesh kriminel s’do të thotë të jesh njeriu më i zgjuar, por s’ke vlera morale. Vendi juaj nuk e meriton të asociohet me njerëz të tillë. Shqiptarët janë të talentuar, të zgjuar, vendi ka shumë burime, por krimi sjell kosto tepër të madhe në shoqëri. Besoj që ky operacion do jetë hap vendimtar drejt një shteti që do luftojë krimin”, tha diplomatja e BE.
Vlahutin theksoi se “ne nuk mund të bëjmë punën tuaj për ju, por do bëjmë çdo gjë të mundemi që ju ta bëni punë siç duhet, që të ketë sukses. Ne e dimë që kjo është një betejë sfiduese dhe ju keni nevojë të tregoni rezultate të pakthyeshme. Më shumë se 1 milion euro janë investuar, por asnjë shumë parash nuk mund ta bëjë atë që mund të bëni ju me veprat tuaja”, tha Vlahutin.