Ekonomia

Vrojtimi, Bizneset austriake: Shqipëria nuk është tërheqëse për investimet e huaja

Shqipëria është një treg ndaj të cilit bizneset austriake kanë tërheqje të ulët për të realizuar investime direkte. Të paktën ky është perceptimi i 29% sipërmarrjeve austriake që veprojnë në Shqipëri. Advantage Austria Albania prezantoi rezultatet e vrojtimit të realizuar me sipërmarrjet austriake që gjenden në Shqipëri për periudhën shtator – tetor 2016.

Sipas rezultateve të këtij vrojtimi 43% e bizneseve austriake mendojnë se situata ekonomike është përkeqësuar gjatë vitit 2016, ndërsa 72% e tyre mendojnë se situata nuk pritet të ndryshojë përgjatë vitit 2017.

Bizneset austriake perceptojnë në rënie investimet e huaja direkt për vitin 2016, ndërsa parashikojnë që situata nuk pritet të ndryshojë në vitin 2017.

Ndërsa 29% e vlerësojnë shumë të ulët tërheqjen e tregut shqiptar për investime të huaja, shifër e njëjtjë kjo ( 29%) edhe për ata që e konsiderojnë të ulët interesin.

Sipas këtij vrojtimi problemet kryesore që bizneset austriake konstatojnë në Shqipëri janë: Korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit, por edhe burokracia e problemet me administrimin e klientëve.
Sipas Adventage Austria Albania rreth 52% e bizneseve austriake mendojnë se zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në qershor nuk do të shkojnë në favor të situatës ekonomike. Për shumicën e të anketuarve Reforma në Drejtësi është thelbësore dhe shumë e rëndësishme për kthimin e besimit, si dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte.

Nga vrojtimi rezulton se ajo që bizneset austriake kërkojnë në Shqipëri është: situatë e mirë financiare, stabilitet dhe siguri.

Por, perceptimet e bizneseve austriake duket se nuk u pritën mirë nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, të cilët ishin pjesë e panelit.

Drejtori i Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve Genti Beqiri tha se është e vështirë që Shqipëria të krahasohet me trendet ekonomike të Austrisë apo edhe Sllovenisë. Sipas tij, Në Shqipëri bizneset austriake janë të pozicionuara në majë duke qenë se gjenden kryesisht në fushën e sistemit bankar, të sigurimeve tregtisë apo edhe energjetikës.
Sipas z.Beqiri, vendi ynë është tradicionalisht më i lidhur ne marrëdhëniet tregtare me fqinjët si Greqia, Italia apo edhe Turqia. Ai tha se gjatë vitit 2016 Shqipëria arriti të tërhiqte një shëifër rekord të Investimeve të Huaja Direkte, në rreth 1 miliard euro e që i dedikohen kryesisht investimeve në sektorin energjetik, siç është TAP apo edhe Hec-i i Devollit.

“ Rezultatet e vrojtimit më duken më shumë si një puzzle, u shpreh z.Beqiri, sa i përket tërheqjes së investimeve austriake, të cilat kuotohen lart. E keqja mund të jetë te shembujt. AIDA, por edhe qeveria është treguar aktive për të përmirësuar klimën e të bërit të biznesit. Reformat më të rëndësishme janë duke kaluar. Ne kemi një bazë ligjore të plotë sa i përket investimeve strategjike. AIDA gjithashtu shërben si një One Stop Shop për bizneset”, tha z. Beqiri i cili duket se nuk ra dakord me perceptimin e bizneseve austriake.

Sipas tij edhe numri i bizneseve austriake ( por edhe të përbashkëta) për vitin 2016 arriti në 95, por kjo shifër u kundërshtua nga përfaqësuesit e Advantage Austria Albania, sipas së cilës ky numër është 50.

Ndërsa zëvendësministri i Financave Ervin Mete tha se situata makroekonomike e Shqipërisë referuar edhe statistikave zyrtare është pozitive. Flitet për një rritje ekonomike afërsisht në 4%, për shifra të larta të investimeve të huaja ( 1 mld euro), por edhe për ulje të normës së papunësisë. Sipas tij, perceptimet që vijnë nga biznesi dhe në këtë rast nga ai austriak duhet të shihen me kujdes nga qeveria dhe të ndihmojnë në orientimin e politikave që i shërbejnë klimës së biznesit.

Ndërsa, zëvendëskryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Arben Shkodra tha se i njëjti perceptim ndihet edhe te bizneset shqiptare. Sipas tij vendi po gjendet përballë një situate ku mungon dialogu politik, ku Kuvendi nuk po funksion si duhet dhe se po pritet zbatimi i Reformës në Drejtësi. Sipas tij, për të paktën 6 – muaj do të jetë një situatë e ‘ bardhë’ sa i përket vendimmarrjes për të investuar në Shqipëri. “ Kemi shifra të mira makro, po te perceptimi i biznesit po ndikon situata politike dhe ajo para e pas zgjedhore, por edhe korrupsioni që mbetet i lartë. Ndoshta do të na duhet të presim fundin e vitit 2017 për të pasur një vendimmarrje pozitive sa i përket investimeve të huaja direkte.
Pas bizneseve gjermane, amerikane apo edhe FIAA-s ishte radha e kompanive austriake që të analizonin klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button