WTTC: Shqipëria e 96-a në botë për ndikimin e turizmit në ekonomi
Viti 2017 parashikohet të jetë pozitiv për Shqipërinë në të gjithë treguesit e tij. Është Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) që në raportin e tij për vitin 2017 për ndikimin në ekonomi, parashikon që turizmi shqiptar do të rritet me ritme pozitive.
Sipas raportit, të hartuar për 185 shtete, Shqipëria në vitin 2016 renditet në vendin e 96 për nga ndikimi absolut i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), në të 26-in për nga ndikimi relativ ndaj PBB-së, në të 61-in për nga parashikimi i rritjes për vitin 2017 dhe në vendin e 26-të për periudhën afatmesme.
Kështu të dhënat e WTTC-së tregojnë se kontributi direkt i turizmit shqiptar ndaj PBB-së u llogarit në afërsisht një miliard dollarë, ndërsa pritet që gjatë 2017-s, kjo shifër të rritet me rreth 5.2%, për të arritur në rreth 11% në 2027-n.
Edhe treguesit e tjerë të kësaj industrie, sipas raportit, janë në rritje.
Në vitin 2016, kontributi total i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet në rreth 3.2 miliardë dollarë ose rreth 26%. Për këtë vit, kjo shifër pritet të rritet me rreth 5.3%. Ndërsa në vitin 2027 parashikohet që turizmi shqiptar të kontribuojë me rreth 33% ndaj PBB-së.
Punësimi, është një tjetër tregues në rritje. Sipas WTTC-së, gjatë 2016-s, turizmi mbështeti direkt 85,000 vende pune (7.7% të totalit). Gjatë këtij viti parashikohet që kjo shifër të rritet me rreth 3.2% më shumë se në vitin paraardhës. Deri në 2027 numri i të punësuarve pritet të arrijë në 120,000.
Ndërsa në total, gjatë vitit të kaluar numri i të punësuarve (direkt dhe indirekt) arriti në 267,000 ose rreth 24% e totalit. Gjatë këtij viti, kjo shifër do të mund të rritet me rreth 3.2%, sipas parashikimeve të WTTC-së.
Raporti tregon se vizitorët shpenzuan në total rreth 1.7 miliardë dollarë në 2016-n duke zënë rreth 56.1% të totalit të eksporteve. Kjo shifër pritet të rritet me rreth 5% gjatë këtij viti, ndërsa pas dhjetë vitesh me rreth 6.2% për të arritur në rreth 3.4 miliardë dollarë.
Sa u përket investimeve në turizëm, WTTC bën të ditur në raportin e saj se gjatë 2016-s u llogaritën rreth 0.2 miliardë dollarë ose rreth 7% e totalit të investimeve. Gjatë 2017-s kjo shifër pritet të rritet me rreth 9.2%.
Në rang botëror, sipas WTTC-së, turizmi kontribuoi në krijimin e një në dhjetë vendeve të punës ose rreth 292 milionë.
Industria në tërësi gjeneroi 7.6 trilionë dollarë gjatë 2016-s ose rreth 3.3% më shumë se në vitin paraardhës. Shpenzimet e turistëve zunë 6.6% të totalit botëror të eksporteve dhe rreth 30% të totalit të shërbimeve.