Zaev: Hetim ndërkombëtarë për të vërtetën në Kumanovë
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se tha të martën në Prishtinë se Shkupi është i hapur për një hetim ndërkombëtarë të incidentit të Kumanovës të majit të vitit 2015, në të cilin qenë vrarë tetë pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 14 pjesëtarë të një grupi të armatosur në të cilin ishin përfshirë edhe qytetarë të Kosovës.
Kryeministri Zaev i cili po qëndron për një vizitë në Prishtinë, të parën të një kryeministri maqedonas në Kosovë, tha se kjo është një çështje e ndjeshme dhe se qytetarët duhet të dinë të vërtetën për këtë incident.
“Jemi pajtuar që të ketë qoftë një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen ekspertë, të cilët do t’i përballin të gjitha elementet dhe provat dhe e gjithë kjo me qëllim që t’iu jepet qytetarëve përgjigjja e vërtetë. Kjo është edhe në interes të bashkëpunimit tone dhe nuk duhet që kjo çështje të mbetet si pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se është çështje shumë e ndjeshme, sepse aty u vranë edhe disa policë. Pra, do të ketë një hetim ndërkombëtar, gjithmonë me qëllim që të arrihet e vërteta”, tha kryeministri Zaev.
Hetim ndërkombëtar për këtë çështje kishte kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas dënimit muajin e kaluar të pjesëtarëve të grupit të armatosur në çështjen e njohur si rasti i Kumanovës.
Të dy kryeministrat thanë pas takimit në Prishtinë se se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe Bashkim Evropian ndërsa u zotuan për mbështetje të ndërsjellë në në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Këto komente u bënë në Prishtinë, ku kryeministri Zaev po qëndron për një vizitë, të parën të një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se të dyja vendet i lidh e ardhmja euro-atlantike.
“Kjo vizitë është e rëndësishme, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë jemi fqinjë dhe jeta na lidh, fati dhe perspektiva euro-atlantike na lidh pra na bashkon dhe në këtë vizitë të sotme kemi mundur që marrëdhëniet tona të përparojnë, ato janë të mira, por të përparojnë dhe sot kemi marrë shumë obligime që besoj do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive në interes të qytetarëve të vendeve tona”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të mira dhe së është pajtuar me kryeministrin Haradinaj për rritjen edhe më tej të bashkëpunimit.
“Ne jemi dy shtete që ndajmë aspiratat e njëjta për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian dhe i premtuam njëri tjetrin që do të mbështesim shtetet tona sepse e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha kryeministri Zaev.
Ai nënvizoi sërish ndërkaq vullnetin e tij për të gjetur një zgjidhje me Greqinë rreth emrit të Maqedonisë. Ai tha se zyrtarët maqedonas dhe ata grekë po punojnë në “rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të rifilluar bisedimet thelbësore rreth emrit”, një çështje që po zgjatë prej gati dy dekadash duke penguar edhe proceset integruese të Maqedonisë.