Ekonomia

Zbardhet masterplani i Resortit të Mabetex në Divjakë, 370 vila dhe 2350 apartamente

Projekti “Resorti Divjakë Albania”, i kompanisë Mabetex Grup, i cili është në fazën e diskutimeve të nxehta për ndikimin negativ në mjedis që do të ketë në Lagunën e Karavastasë, një ndër zonat unike në Europë për disa specie, synon të ndërtojë kapacitete akomoduese për mbi 18 mijë e 200 turistë në një natë.

Sipas të dhënave të projektit në Divjakë (Karavasta), që është publikuar nga Ministria e Mjedisit, në kuadër të ndikimit mjedisor, do të ndërtohet resort turistik me përmasa të mëdha në një sipërfaqe prej 89 hektarësh. Janë planifikuar të ndërtohen 370 vila dhe 2350 apartamente.

Në dispozicion do të jenë 4,310 shtretër hotelerie, ku së bashku synohet një kapacitet prej 18,280 turistesh, sipas të dhënave zyrtare të projektit të dorëzuara në Ministrinë e Mjedisit.

Masterplani i “Resort Divjakë Albania” është planifikuar të shtrihet në një territor të gjerë rreth 12 km gjatësi në vijë bregdetare.

Sipërfaqja e përgjithshme e zonës së projektit është përafërsisht 1170 ha. Plazhi, pylli i pishave, toka bujqësore dhe lagunat mbulojnë rreth 2/3 e sipërfaqes. Sipërfaqja e zhvillimit të projektit do të jetë rreth 370 ha ose 32% e sipërfaqes.

Në sipërfaqen totale të zonës së Projektit tipizohet: tokë bujqësore 60 ha, tokë me përdorim të qëndrueshëm 370 ha, sipërfaqe plazh 370 ha, pyll pishe 210 ha dhe ligatina 160 ha) .

Ministria e Mjedisit thotë se përbërësit e Parkut kanë status të ndryshëm mbrojtës dhe në këtë mënyrë, kufizimet e zhvillimit të Projektit bazohen në rëndësinë e secilit habitat brenda parkut. Pylli me pisha është klasifikuar me nivelin më të lartë të mbrojtjes. Përreth Lagunës së Karavastasë zona midis grykëderdhjeve të Shkumbinit është klasifikuar me kufizime për zhvillim. Zona rreth plazhit të Divjakës, shtrirjet ranore në veri dhe në jug të tij, janë klasifikuar të dyja si zonat rekreative, me nivelin më të ulët të mbrojtjes.

Kundërshtimet

Projekti ka hasur kundërshti të shumta nga shoqatat mjedisore, të cilat kanë ngritur shqetësimin se masiviteti i ndërtimeve do të jetë tepër dëmtues për ekosistemin e zonës. Aleanca e Vendeve Kënetore të Mesdheut i ka kërkuar Qeverisë shqiptare të anulojë projektin për ndërtimin e resortit turistik “Resort Divjaka Albania” në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë. Aleanca ka shprehur shqetësimin për ndikimet negative dhe të pakthyeshme që ndërtimi do të ketë në park dhe trashëgiminë e tij natyrore: “Parku Divjakë-Karavasta është një nga dy ligatinat më të rëndësishme në pellgun e Adriatikut, që paraqet një vend shumë të rëndësishëm, kyç për kafshët e egra. Parku vizitohet çdo vit nga miliona shpendë në rrugën e tyre të migrimit dhe është një aset me shumë vlerë për ekonominë lokale.”

Si rrjedhojë, iniciativat për zhvillimin e “Resort Divjakë Albania” do të ishin jashtëzakonisht negative dhe të papranueshme. Do të ishte në kundërshtim të plotë me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadrin e Konventës së Ramsarit, Konventës së Bernës për Rrjetin Emerald, Konventës së Bonit”, thuhet në letër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button