Zbrazja
Të dhënat e fundit të Eurostat dhe INSTAT vizatojnë një Shqipëri që po lëngon nga një “gjakderdhje” kronike demografike, ku vetëm gjatë vitit 2024 kemi humbur rreth 29,000 banorë si pasojë e emigrimit neto.
Shifra prej -12.1 persona të larguar për çdo 1,000 banorë është norma më e lartë e tkurrjes në të gjithë Europën — një bilanc tragjik për një vend që nuk ndodhet në luftë.
Në dy vite (2023-2024), ky tregues ka fshirë mbi 72 mijë banorë, ndërsa mosha mediane e popullsisë rezidente ka kërcyer në 44.3 vjeç.
Nga ana tjetër, çfarë po shohim në zyrat e bizneseve vendase dhe në sportelet e e-Albania. Për të mbijetuar përballë kësaj zbrazjeje, tregu shqiptar po importon masivisht fuqi punëtore nga Azia, kryesisht nga Bangladeshi dhe Filipinet, me një ritëm që arrin në 10,000 deri në 15,000 leje unike pune dhe qëndrimi në vit.
Ky zëvendësim mekanik po kthehet në një paradoks të thellë strukturor që po transformon jo vetëm tregun tonë të punës.
Sektorët që dikur mbanin peshën e punësimit të rinjve shqiptarë, sot po ndryshojnë fytyrë me shpejtësi. Ky ndryshim nuk është i njëjtë për të gjithë, pasi bizneset kanë krijuar profile të qarta për secilën kombësi që vjen.
Sektori i Shërbimeve dhe Hoteleri-Turizmi po mbahet gjithnjë e më shumë nga shtetasit filipinezë. Ata preferohen në resortet e bregdetit, strukturat SPA dhe si staf shtëpiak për shkak të njohjes së gjuhës angleze dhe një stabiliteti më të madh në respektimin e kontratave.
Ndërtimi, Manifaktura dhe Infrastruktura janë kthyer në destinacionin kryesor për punëtorët nga Bangladeshi. Ata plotësojnë vendet e zbrazura nëpër kantieret e ndërtimit të resorteve apo rrugëve, si dhe në fabrikat fasonere që vuajnë prej vitesh mungesën e krahut vendas të punës.
Por kjo është vetëm një fasho e përkohshme mbi një plagë të hapur. Përse vendi nuk aplikon strategji për të mbajtur rininë?
Ndryshe nga Shqipëria që mbetet peng i këtij fenomeni kronik, vendet e Europës Qendrore dhe Lindore (si Polonia, Hungaria, apo shtetet Baltike si Estonia e Lituania) arritën ta ndalnin këtë cikël vite më parë.
Polonia, nga një eksportues masiv i krahut të punës, sot është kthyer në një magnet rajonal. Si ia dolën? Përmes një strategjie të dyfishtë. Rritje agresive të pagave për të frenuar largimin dhe politika të forta mbështetëse për familjet e reja për të përmirësuar bilancin natyror.
Orientimi i Shqipërisë drejt një modeli ekonomik të bazuar kryesisht te turizmi sezonal dhe shërbimet me paga të ulëta po tregon limitet e veta dramatike.
Të dhënat e Eurostat janë një alarm i qartë. Importi i fuqisë punëtore nga Filipinet apo Bangladeshi është thjesht një fasho e përkohshme mbi një plagë të hapur. Për sa kohë që Shqipëria nuk do të krijojë kushte reale jetese dhe paga dinjitoze për të vetët, zëvendësimi i popullsisë do të mbetet një ekuacion i pamundur, dhe ekonomia vendase do të vazhdojë të vuajë pasojat e një zbrazjeje që nuk po njeh ndalesë. /DITA/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.