Taksa e re e pronës do të rrisë barrën për pronat me vlerë të lartë dhe shtëpitë e dyta
Flet Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë
Për ekspertin e çështjeve të pushtetit vendor, Agron Haxhimali, reforma e re për taksën e pronës pritet të rrisë ndjeshëm detyrimin për pronat në zonat me vlera të larta, për banesat e dyta, truallin dhe pronat tregtare.
Sipas tij, ndryshimi i bazës së taksimit, nga një sistem i pjesshëm drejt një modeli të bazuar në vlerën e përafërt të tregut, do të sjellë rritje të detyrimit për një pjesë të konsiderueshme të pronarëve.
A pritet të rritet detyrimi nga shkalla dhe formula e re?
Po, në përgjithësi pritet rritje e detyrimit, sepse ndryshon njëkohësisht baza dhe shkalla e taksimit: nga një sistem i pjesshëm drejt vlerës së përafërt të tregut të pronës. Për banesat propozohet shkallë 0.1–0.2%, për ndërtesat ekonomike 0.15–0.25%, ndërsa edhe parcelat do të hyjnë gradualisht në taksim mbi vlerën e tyre.
Por rritja nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë. Banesa e parë përfiton zbritje deri në 50% të vlerës, brenda pragjeve të përcaktuara sipas bashkive; ndërsa për familjet me ndihmë ekonomike dhe kategori të caktuara pensionistësh parashikohen përjashtime.
Megjithatë, për pronat në zonat me vlera të larta, për banesat e dyta, truallin dhe pronat tregtare, barra ka shumë gjasa të rritet ndjeshëm.
Duhet theksuar se sistemi i ri për ndërtesat parashikohet të nisë nga viti 2029 dhe për parcelat, nga viti 2031; pra sot nuk mund të jepet një faturë e saktë për çdo familje pa hartat e vlerës, metodologjinë e vlerësimit dhe vendimet konkrete të këshillave bashkiakë.
Por theksoj se taksimi bazuar mbi vlerën e tregut është më i drejti – sigurisht kur zbatohet drejtë.
A kanë bashkitë kapacitet për ta mbledhur taksën, apo barra do të mbetet kryesisht në Tiranë?
Në shkallë kombëtare, të ardhurat nga kjo taksë përbëjnë 0.27% të PBB, më e ulëta në rajon dhe vendet e BE-së etj. Ky është tregues edhe i mungesës së kapaciteteve për ta mbledhur, sikundër lidhet dhe me paaftësinë paguese nga qytetarët por jo vetëm.
Ky është testi kryesor i reformës. Sot, bashkitë kanë kapacitete shumë të ndryshme administrative, të dhëna kadastrale, jo gjithmonë të plota dhe nivele të ndryshme formalizimi të pronës.
Për këtë arsye, rreziku është që Tiranës dhe disa bashkive të mëdha t’u rriten më shpejt të ardhurat, ndërsa bashkitë e vogla të mbeten me potencial të ulët arkëtimi.
Projektligji synon të adresojë këtë problem përmes Kadastrës Fiskale dhe një Drejtorie të Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, që do të mbështesë e standardizojë administrimin.
Kjo është pozitive, por nuk mjafton vetëm krijimi i një strukture qendrore; duhen investime reale në regjistrin e pronave, ndërveprimin e të dhënave, stafin vendor, shërbimet online dhe komunikimin me qytetarët.
Pa një mekanizëm më të fortë ekualizimi fiskal, reforma mund të thellojë diferencat territoriale: më shumë të ardhura në qendrat e mëdha urbane dhe më pak mundësi financimi për bashkitë e vogla, rurale apo me treg të dobët të pasurive.
A është taksa e pronës burim i qëndrueshëm, apo rëndon familjet dhe bizneset?
Në parim, taksa mbi pronën është një nga burimet më të qëndrueshme për pushtetin vendor, sepse prona nuk zhvendoset, nuk fshihet lehtë dhe lidhet drejtpërdrejt me territorin ku bashkia ofron shërbime.
Kjo është arsyeja pse modeli i bazuar në vlerën e pronës përdoret gjerësisht në shumë vende.
Por qëndrueshmëria financiare nuk duhet ngatërruar me drejtësinë sociale. Një familje mund të ketë një banesë me vlerë të lartë në letër, por të ardhura të ulëta në praktikë. Prandaj, përveç zbritjes për banesën e parë, nevojiten mekanizma më të plotë mbrojtës: pagesa me këste, kufizim i rritjes vjetore të faturës, trajtim i veçantë për pensionistët me të ardhura të ulëta dhe procedura të thjeshta ankimi kur vlerësimi nuk përputhet me realitetin.
Për biznesin, norma duhet të jetë e matur dhe e lidhur me përfitimin real nga shërbimet vendore. Nuk duhet të krijohet një barrë që godet sipërmarrjen e vogël, prodhimin apo aktivitetet në zonat me zhvillim të dobët.
A është kjo mënyra më e drejtë për financimin e bashkive, apo ka alternativa?
Taksa mbi pronën duhet të jetë një shtyllë e financimit vendor, por jo e vetmja shtyllë dhe jo zëvendësim për përgjegjësinë financiare të qeverisë qendrore. Bashkitë nuk mund të financohen vetëm duke i transferuar më shumë barrë familjeve dhe bizneseve.
Alternativa më e drejtë është një kombinim politikash: rritje e transfertës së pakushtëzuar, forcim i taksave të ndara me bashkitë, përmirësim i administrimit të të ardhurave ekzistuese, taksim më i drejtë i pronave të dyta, luksoze, të pashfrytëzuara dhe spekulative, si dhe përdorim më i mirë i tarifave për shërbime.
Fillimisht duhet të mbyllen boshllëqet e regjistrimit dhe mbledhjes së taksës. Nuk është e drejtë që qytetari korrekt të paguajë më shumë, ndërsa prona të paregjistruara, ndërtime pa status të qartë apo subjekte me detyrime të papaguara të vazhdojnë të mbeten jashtë sistemit.
Instituti për Bashkitë e Shqipërisë, në raportin vjetor, raporton se për vitin 2025, të ardhurat nga kjo takse nga 61 bashkitë është 6.5 miliardë lekë.
Nëse buxheti i shtetit ka suficit, a justifikohet, rritja e taksës së pronës?
Suficiti buxhetor nuk e përjashton automatikisht nevojën për taksë prone, sepse kjo është një taksë vendore dhe lidhet me autonominë financiare të bashkive.
Por ai krijon një argument të fortë që përpara se të rritet barra për familjet dhe bizneset, qeveria duhet të shqyrtojë seriozisht rishpërndarjen e të ardhurave ekzistuese dhe financimin e duhur të funksioneve që u janë transferuar bashkive.
Pyetja e drejtë nuk është vetëm “a duhen më shumë të ardhura për bashkitë?”, por edhe: a po marrin bashkitë pjesën e drejtë nga të ardhurat kombëtare që krijohen në territorin e tyre?
Nëse shteti ka hapësirë fiskale, një pjesë duhet të shkojë për rritjen e transfertës së pakushtëzuar, fondin e ekualizimit dhe investimet në bashkitë me kapacitet të ulët fiskal.
Lexoni edhe:
Deri në dyfishim taksash për 3 milionë ndërtesa për banim, shembujt



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.