Zekeria Cana, figura që mbeti në ‘hije’ për kontributin e madh kombëtar
Në historinë e Kosovës, shpesh është vërejtur një prirje që kontributi i shumë figurave të rëndësishme të mbetet në ‘hije’, pavarësisht rolit të tyre vendimtar në procese politike, shoqërore dhe kombëtare.
Në historinë e Kosovës, shpesh është vërejtur një prirje që kontributi i shumë figurave të rëndësishme të mbetet në ‘hije’, pavarësisht rolit të tyre vendimtar në procese politike, shoqërore dhe kombëtare.
Diskursi publik dhe kujtesa institucionale shpesh përqendrohen vetëm te disa emra, duke lënë në hije shumë veprimtarë e intelektualë që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për vendin.
Në këtë rast, figura si e Prof. Dr. Zekeria Cana shërbejnë si shembull i mungesës së vlerësimit të plotë për rolin e tij në ndërtimin e institucioneve, rezistencën dhe mobilizimin qytetar.
Prof. Dr. Zekeria Cana, njëri ndër veteranët e histografisë shqiptare, figurë e dalluar e historisë sonë kombëtare, u lind në Gjakovë, më 15 mars 1934 dhe vdiq më 10 janar 2009).
Cana ishte një figurë e shquar shqiptare, historian, shkrimtar dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Ai njihet si një nga veteranët e historiografisë shqiptare, i angazhuar aktivisht në mbrojtjen e të drejtave shqiptare në Kosovë dhe si një ndër figurat kryesore në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve. Dje, u bën 34 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit. Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milionë shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.
Për veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Zekeria Cana nuk është ngritur as shtatore nga institucionet e vendit. Po ashtu asnjë institucion publik qoftë arsimor nuk mban emrin e profesorit dhe veprimtarit Zekeria Cana. Sikur u harrua angazhimi i tij i madh për vendin veçanërisht si një ndër figurat kryesore në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve.
Përveç, kësaj as një organizim nuk bëhet nga institucionet e shtetit edhe në përvjetorët e vdekjes së tij.
Profesori univeristar Milazim Krasniqi që ka bashkëpunuar nga afër me Zekeria Canën ka vlerësuar lart kontributin e tij në lëvizjen për pavarësinë e Kosovës, aktivitetin në fushën e të drejtave të njeriut dhe angazhimin në pajtimin e gjaqeve, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të viteve ’80-ta dhe ’90-ta.
“Zekeria Cana padyshim është një nga figurat qendrore të lëvizjes tonë për pavarësi të viteve fund viteve 80 dhe viteve 90. Ka qenë njëri prej themeluesve të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, ku kemi qenë bashkë, ai ka qenë sekretar i Këshillit. Pastaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit Nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku roli i tij ka qenë gjithashtu i rëndësishëm. Ka qenë pjesë edhe e atij këshilli për pajtimin e gjaqeve dhe në çdo pikë ku ka pas ndonjë gjendje kur u dasht kontributi i intelektualëve dhe i patriotëve, Zekeria Cana ka qenë prezent. Ka qenë figurë jashtëzakonisht impulsive, ka qenë një trim i jashtëzakonshëm sepse në atë periudhë ka qenë shumë e vështirë të përballeshin të gjitha ato presione që vinin nga Serbia përmes kërcënimesh edhe shantazhesh. Kështu që në të gjitha këto segmente të lëvizjes ai ka qenë prezent. Ashtu që është një figurë, po them ndër figurat qendrore e cila me siguri që në të ardhmen do të vlerësohet realisht sepse deri tash në një farë mënyre ka mbet paksa në hije.”, tha Krasniqi.
Profesori Krasniqi thekson se Cana ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës përmes Këshillit për të Drejtat e Njeriut, duke organizuar konferenca dhe duke paraqitur dëshmi për dhunën e ushtruar nga regjimi serb.
Duke folur për rolin e tij në pajtimin e gjaqeve, profesori vlerëson se kontributi i Canës është shpesh i paadresuar sa duhet në histori, pasi figura të caktuara dominojnë narrativën publike.
“Kjo tregon për një, në fakt trashëgimi fisnore që ende është aktive në mendësinë shqiptare sepse ne shqiptarët e kemi prirjen për ta identifikuar të gjithë lëvizjen me një kryetar, me një prijës, ose siç ka qenë në të kaluarën me një bajraktar. Lëvizje të tilla, siç ka qenë lëvizja për pavarësi të Kosovës, siç ka qenë edhe Këshilli për pajtimin e gjaqeve, janë lëvizje në të cilat kanë marrë pjesë shumë njerëz dhe nuk do të mundet t’i organizonte një person. Ndërsa në rastin konkret të baca Zeqë, është njëri prej njerëzve kryesorë, padyshim që ka bërë organizimin në terren, që i ka mobilizuar njerëzit me fjalimet e tij e të gjitha këto, por që ka mbet që e gjithë është identifikuar vetëm me Anton Çettën. Padyshim Anton Çetta meriton respektin e të gjithë shqiptarëve sepse ka qenë prijës i vërtetë, ka qenë një intelektual dhe një burrë i jashtëzakonshëm dhe sigurisht që meritat e tij janë shumë të mëdha për masivizimin e asaj lëvizje për pajtimin e gjaqeve. Por edhe njerëz si Zekeria Cana janë në epiqendër të atij suksesi. Prandaj po them ne duhet të dalim nga kjo ideja e bajraktarëve.” ,tregoi Krasniqi.
Ai theksoi se kjo qasje e përqendrimit vetëm te disa figura kryesore e dëmton kuptimin e plotë të historisë, duke anashkaluar kontributin kolektiv që ka qenë themelor në ndërtimin e lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë.
“Kështu është edhe te LDK-ja për shembull, thuhet Ibrahim Rugova. Okej, Ibrahim Rugova ka qenë kryetar, por ne kemi qenë me dhjetëra, me qindra, me mijëra njerëz aktivë që e kanë mbajtur për shembull atë lëvizje. E njëjta gjë është edhe në lëvizjet e tjera. Kështu që në atë kuptim ne kemi nevojë tashmë prej distancës së tashme që të fillojë të shkruhet historia kritike e lëvizjes tonë, duke përfshirë edhe lëvizjen për pajtimin e gjaqeve, edhe lëvizjen për pavarësi, edhe ato që thashë për Këshillin për të Drejtat e Njeriut, në mënyrë që kontributet e secilit të identifikohen dhe të vlerësohen, sepse kjo mënyrë se si ne veprojmë duke i harruar kontribuuesit, duke harruar kontributet, në fakt e redukton, e ngushton si me thënë botëvështrimin tonë për të kaluarën dhe në këtë mënyrë e ngushton edhe bazën mbi të cilën sot ekziston liria edhe pavarësia jonë.”,tha Krasniqi.
Profesori ndau për Kosovapress kujtime personale me Canën, duke e përshkruar si njeri të guximshëm dhe pa frikë përballë policisë dhe situatave të tensionuara të kohës.
“Në një nga protestat që ishin në Prishtinë, kam qenë bashkë me të tek teatri dhe kur policia filloi të hidhte gaz lotsjellës dhe t’i rrahte demonstruesit në mënyrë brutale, baca Zeqë u ul në një karrige të asaj kafes së teatrit dhe unë ndejta me të se s’kisha si me e lanë. Kur edhe policët i thanë me u çu, ai tha: “Nuk dua me u çu se dua me pi kafe”… Në kuptimin sepse ai është gati mit që thuhet, por nëse ka një njeri të cilin e kam njohur dhe që e kam parë që nuk e din çka është frika, ka qenë Zekeria Cana. Ai bukfalisht nuk ka pasur frikë nga policët, nuk ka pasur frikë nga asgjë. Ndoshta ajo pak ka qenë e dëmshme sepse shumë herë ka rrezikuar më shumë se që duhet, por i tillë ka qenë. Dhe pa njerëz të tillë në kushtet e okupimit të rëndë, unë jam i bindur që shumë gjëra nuk do të ndodhnin sepse njerëzit janë të prirur të frikësohen… Baca Zeqë ka qenë njeri që ka qenë në gjendje me i mobilizu njerëzit me fjalime, në protesta, kështu që në këtë aspekt po them është sigurisht një nga figurat jo vetëm qendrore por edhe unikate të lëvizjes tonë për pavarësi, sidomos kësaj periudhe të viteve 90-ta.”, u shpreh Krasniqi.
Në fund, ai thekson se Cana mbetet një nga figurat unike të lëvizjes për pavarësi, veçanërisht në vitet ’90, për shkak të aftësisë së tij për të mobilizuar njerëzit në protesta dhe përmes fjalimeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.