Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi dje se, zgjedhja e Drejtorit të ri të RTSH, Alfred Peza, shkel në mënyrë flagrante 4 kushtet e ligjit për papajtueshmërinë me pozicionin.
Në një deklaratë për mediet, Zhupa tha se, “siç e paralajmërova në dëgjesën me Këshillin Drejtues të RTSH në komisionin e medias, ishte paracaktuar nga kryeministri zgjedhja e Pezës, në mënyrën antiligjore, në krye të institucionit. Një garë false me miq e vartës së tij, pararendi shkeljen e ligjit me caktimin e tij si Drejtor”.
Zhupa tha se, “ janë 4 shkelje në 4 kushte. Drejtor i një media që s`duhet të ishte gjatë vitit të fundit, pronar i një media tjetër si “alpenews.al” dhe anëtar i Partisë Socialiste, anëtar i Asamblesë, zëdhënës i dikurshëm dhe sekretar digjital, ish-deputet i Partisë Socialiste”. “Kjo është një zgjedhje në vazhdën e zgjedhjeve të Edi Ramës për të kapur institucionet e këtij vendi, për të kapur median, për të vendosur një “ERTV” 2, 3, 4 dhe për ta kthyer Radio Televizionin Shqiptar në një mekanizëm të punësimeve politike dhe për ta forcuar atë në kapjen politike”, shtoi ajo.
Zhupa u shpreh se, “si anëtare e komisionit të medias do përdor çdo mekanizëm ligjor dhe çdo hapësirë parlamentare për ta kundërshtuar këtë kapje politike dhe shkelje të ligjit”.
“Si deputete e Partisë Demokratike u bëj thirrje monitoruesve të brendshëm dhe të jashtëm, organeve të respektimit të ligjit që të ngrenë zërin për këtë shkelje të hapur dhe të radhës të kryeministrit, i cili e ka kthyer ligjin në vend, siç e thotë vetë në ‘kinezëri’”, përfundoi ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.