Politika
Zgjedhjet e 14 majit/ PS dërgon në KQZ kërkesën për regjistrim
Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon zyrtarisht të regjistrohet në zgjedhjet vendore të 14 majit. Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmojnë se në këtë institucion ka mbërritur kërkesa zyrtare e firmosur nga Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PS, Eridian Salianji, ku kërkohet regjistrimi i këtij subjekti.
Në ditët në vijim pritet dhe mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin formal të kësaj kërkese.
Kujtojmë se dy ditë më parë në KQZ dërgoi kërkesën për regjistrim Partia e Lirisë nën drejtimin e Ilir Metës.
Aktualisht vetëm Partia Demokratike ka mbetur pa dërguar shkresën për regjistrim në KQZ.
Për momentin “timoni” i Partisë Demokratike do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, i cili është në cilësinë e nënkryetarit, deri kur të jepet një vendim tjetër nga Gjykata e Tiranës.
Pasi Apeli hodhi poshtë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, do të jetë Alibeaj ai që do të futet në zgjedhje me PD-në. Ndërsa nuk dihet ende vendimi që do të marrë Berisha, nëse do t’i regjistrojë kandidatët si të pavarur apo do krijojë koalicion me parti të tjera.