Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, mbi 36 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve në diasporë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa interesimi i diasporës mbetet i lartë që nga hapja e aplikimeve më 6 maj. Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi, ka deklaruar se deri të dielën e 10 majit përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 36,154 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë vendit.
Sipas tij, deri tani janë aprovuar 25,376 aplikime, 2,961 janë refuzuar, ndërsa 7,797 të tjera mbeten në pritje të shqyrtimit. Para nisjes së regjistrimit, KQZ ka miratuar listën e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike dhe ka përcaktuar numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik jashtë vendit.
Sipas vendimit të institucionit zgjedhor, votimi do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, përkatësisht në 33 ambasada dhe 15 konsullata, me gjithsej 70 vendvotime. Numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik është 66,450.
KQZ ka sqaruar se ky kufizim vlen vetëm për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, ndërsa regjistrimi për votim përmes postës mbetet pa kufizim numerik. Në rast se plotësohet kapaciteti maksimal në një përfaqësi diplomatike, aplikuesit do të orientohen drejt formave të tjera të votimit me postë.
Institucioni zgjedhor ka bërë të ditur gjithashtu se, sikurse në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, votuesve të regjistruar për votim me postë do t’u dërgohet pakoja me fletëvotim në adresat e tyre. Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Procesi i votimit do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në 19:00, sipas kohës lokale të shtetit përkatës. Ndërsa votimi përmes postës do të nisë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.