Zgjedhjet lokale në Bullgari: Mbi 6 milionë votues, për 265 kryetarë bashkish dhe 5053 këshilltarë bashkiakë

Znj.Kamelija Nejkova është emëruar kryetare e KQZ të Bullgarisë më 7 maj 2021. Ajo është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Ruses. Ka punuar si konsulente ligjore pranë Institutit Kombëtar të Sigurimeve dhe ka qenë drejtoreshë rajonale e Agjencisë për arkëtimeve shtetërore dhe shefe e departamentit në Agjencinë Kombëtare të të Ardhurave-Sofje. Zëvendësministrе е Mbrojtjes në vitet 2008-2009. Anëtarее KQZ-së në vitet 2009-2011, si dhe nga viti 2014 deri në vitin 2019. Ka marrë pjesë si ekspert në punën e Komisionit të Përkohshëm për hartimin e Kodit Zgjedhor në Kuvendin Kombëtar në vitet 2010, 2013 dhe 2014. Ndërkohë ka punuar si Referente ligjvënës në Kuvendin Popullor të Bullgarisë.

Faleminderit për intervistën zonja Nejkova. Me 29 tetor, në Bullgari zhvillohen zgjedhjet lokale. Si janë përgatitjet për këto zgjedhje dhe çfarë rëndesie kanë ato? 

-Përgatitjet për zgjedhjet për këshilltarë bashkiakë dhe për kryetarë bashkie në Bullgari po ecin normalisht, qetësisht dhe sipas afateve të miratuara në kronogram. Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme për qeverisjen demokratike të çdo vendi, por zgjedhjet e pushtetit vendor janë të një rëndësie të madhe për zhvillimin e ardhshëm lokal. Pushteti vendor është më afër popullit dhe është normale që të gjithë të interesohen se cili është kryetari i bashkisë, cilët janë këshilltarët bashkiakë dhe kush do të qeverisë qytetin e tyre në katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet nuk janë përgjegjësi vetëm e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai funksionon në sinkron me pushtetin ekzekutiv, i cili gjithashtu ka angazhimet e tij në organizimin dhe përfundimin me sukses të zgjedhjeve.

Sa forca politike apo kualicione janë regjistruar për këto zgjedhje? Si do te votohet: me fletë votimi në letër apo me makineri, apo me të dyja bashkë? Kush është më prioritare? A ka skepticizëm për votimin elektronik?  

-Për këto zgjedhje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 58 parti dhe 9 koalicione, por në nivel rajonal ka shumë koalicione vendore, si dhe komitete nismëtare që kanë kandidatët e tyre të pavarur, kështu që numri total i pjesëmarrësve është shumë më i lartë. Kodi Zgjedhor parashikon se votimi mund të bëhet kudo me fletë votimi në letër dhe në seksionet me mbi 300 zgjedhës – edhe me makineri. Pra, në shumicën e seksioneve në vend, votuesit do të mund të zgjedhin se si do të votojnë – me fletë votimi në letër ose me makineri. Në të dyja rastet zgjedhjet janë plotësisht të barazvlefshme. Votuesit bullgarë tashmë kanë pasur mundësi të votojnë në të dyja mënyrat, ata janë njohur me hapat e votimit si me letër ashtu edhe me makineri. Gjatë zgjedhjeve, KQZ-ja organizon një fushatë shpjeguese në shkallë të gjerë, me të cilën informon votuesit e saj në detaje për afatet dhe hapat e nevojshëm për të dy llojet e votimit.

Sa është numri i votuesve dhe sa kryetar bashkie e antarë të këshillit bashkiak do të zgjidhen? Besoj se rivaliteti më i madh është në Sofje e Plovdiv? 

-Qytetarët bullgarë me të drejtë vote në zgjedhjet lokale janë pak më shumë se 6 milionë banorë. Më 29 tetor ata do të zgjedhin 265 kryetarë bashkish, 35 kryetarë rajonalë, 3041 kryetarë fshatrash dhe 5053 këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin. Në qytetet e mëdha, gara është tradicionalisht mes më shumë kandidatëve, por kjo nënkupton edhe më shumë ide për zhvillimin e rajoneve dhe më shumë mundësi zgjedhjeje për votuesit.

Në zgjedhjet parlamentare, 2 prill 2023, në rregjistrimin e numrimit të votave u përdor telefoni inteligjent. Po në zgjedhjet e 29 tetorit si do të veprohet? 

-Vëzhgimi dhe regjistrimi me video i numërimit të rezultateve të zgjedhjeve është i sanksionuar në ligj, ndaj do të jetë sërish pjesë e procesit zgjedhor. Nuk parashikohet ndryshim në pajisjet teknike, do të përdoren sërish të njëjtat paisje. Anëtarët e komisioneve zgjedhore nëpër qendrat e votimit tashmë kanë përvojë nga zgjedhjet parlamentare të pranverës dhe kjo nuk do të jetë diçka e re për ta.

A e kishit menduar, kur morët mandatin, në maj 2021, si kryetare e KQZ-së, se vetëm në dy vite do të bëheshin 5 palë zgjedhje parlamentare? Si e keni menaxhuar këtë volum kaq të madh pune?   

-KQZ-ja duhet të jetë gjithmonë e gatshme për të organizuar zgjedhje të parakohshme apo të rregullta, kjo është puna jonë. Po, të bësh shumë zgjedhje në një kohë të shkurtër është një sfidë, dhe kjo sidomos kur kemi të bëjmë me afate të shkurtra. Nga pikëpamja organizative, është gjithmonë mirë të kesh kohë të mjaftueshme për planifikim dhe organizim më të qetë të proceseve. Nuk është sekret që puna e KQZ-së është mjaft dinamike. Si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund t’ju siguroj se komisioni ka pasur gjithmonë një qëndrim shumë të përgjegjshëm dhe deri më tani gjithmonë ia ka dalë me sukses në organizimin e zgjedhjeve në mënyrën më të mirë të mundshme sipas rrethanave dhe kohës në dispozicion. Është fakt tregues se deri më tani pjesëmarrësit në zgjedhje i njohin dhe i pranojnë rezultatet.

A keni kontakte apo komunikime me Komisionin Qendror te Zgjedhjeve në Shqipëri?  A do të ishte me interes bashkëpunimi në këtë fushë? 

-KQZ-ja është gjithmonë e hapur për bashkëpunim me komisione të tjera zgjedhore. Ne marrim pjesë në shkëmbime ndërkombëtare të praktikave të mira të organeve zgjedhore, merr pjesë në organizata ndërkombëtare si A-WEB, merr pjesë në nisma partneriteti të organeve të Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës etj.

Për sa kohë del rezultati i zgjedhjeve, a ka ankesa nga forcat politike?   

-Sipas Kodit Zgjedhor, komisionet bashkiake të zgjedhjeve brenda 48 orëve pas përfundimit të votimit shpallin rezultatet e zgjedhjeve dhe këshilltarët bashkiakë të zgjedhur, kryetarët e bashkive, kryetarët rajonalë dhe ata të fshatrave. Aty ku nuk ka kryetar të zgjedhur, shpallet raundi i dytë, i cili do të zhvillohet më 5 nëntor dhe në të marrin pjesë dy kandidatët e parë që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë.

Në Bullgari, komisioni zgjedhor nuk është partiak. Kush i zgjedh anëtarët e komisionit, kush i propozon ata?

-Po, komisioni është organ i pavarur shtetëror për zhvillimin e të gjitha llojeve të zgjedhjeve. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përcaktohet në Kodin Zgjedhor. Ai përbëhet nga 15 anëtarë të cilët propozohen nga partitë dhe koalicionet parlamentare. Organizatat joqeveritare bullgare mund të bëjnë gjithashtu propozime për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Komisioni emërohet me dekret presidencial.

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *