Kosova

Zgjedhjet në Kosovë/ Numërohen 99% e vendvotimeve, fitore e thellë e Vetëvendosjes!

Sipas këtyre rezultateve Vetëvendosje në krye me Albin Kurti që njëherazi është edhe kandidati për kryeministër po prinë me 48, 17 përqind. Pas saj është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,35 përqind. Kjo parti udhëhiqet nga Enver Hoxhaj që njëherazi ishte edhe kandidati për kryeministër në këto zgjedhje të përkohshme parlamentare për të cilat u votua të dielën, pra më 14 shkurt. Ndërsa partia e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK). Deri më tani kjo parti e cila kishte kandidat për kryeministër Avdullah Hoti ka 13, 18 përqind. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7,42 përqind dhe Nisma me 2,59 përqind.

Këto janë rezultatet preliminare e të cila nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërsa mbrëmë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën për media tha se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të mbahet gjatë në mend dhe se në kujtesë do të jenë edhe rreshtat e gjatë pranë shkollave dhe votimi masiv i mërgatës.

Ai ndër tjera ka thënë se mandatin e ardhshëm qeverisës nuk do të hakmerret ndaj askujt, por që do të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi kudo.

Ndërkohë në konferencë për media, doli edhe kandidati tjetër për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj deklaroi se partia të cilën ai drejton nuk do të jetë pjesë e qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë ai ka thënë se rezultati është i qartë për ta dhe se është pranuar i tillë, madje ka uruar për këtë rezultat Lëvizjen Vetëvendosje.

Rezultatet u pranuan edhe nga partia e tretë, LDK. Avdullah Hoti tha se pas vlerësimeve të marra për rezultatin preliminare, do të merr përgjegjësi për humbjen e thellë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Ai falënderoi votuesit për besimin e dhënë, derisa theksoi se LDK do të jetë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës.

Kujtojmë që në dhjetorin e 2020-ës, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Avdullah, vendim ky që pasoi pas kërkesës së lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”.

Qeveria e Hoti u miratua me 61 vota në parlamentin me 120 vende, minimumi i mundshëm për konfirmimin e një qeverie të Kosovës, e cila kishte nevojë vetëm për një votë më shumë se 50 për qind për t’u miratuar. E që pa votën e Arifit, ky minimum nuk do të ishte arritur. Arifi më 3 qershor votoi në favor të ngritjes së qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti. Etem Arifi, në prill të vitit 2018, ishte dënuar me dy vjet burgim, për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove. Dënimi i zotit Arifi, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj.

Kurti: Nuk do të ketë hakmarrje

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të dielën mbrëma se zgjedhjet e së dielës ishin një “referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit” që u fitua. “Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”.

“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha zoti Kurti.

Ai tha se bisedimet me Serbinë nuk janë përparësi. “Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, tha ai në një paraqitje të përbashkët me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kandidate për postin e presidentes.

Zonja Osmani tha po ashtu se “ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandat i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”.

Ajo tha se si presidente do të sigurohet që “interesi ynë nacional të jetë mbi gjithçka tjetër, që kushtetuta të jetë udhërrëfyes ynë i përhershëm, që aleancat tona me miqtë të ruhen dhe thellohen e mbi të gjitha do të jem zëri juaj i munguar për kaq shumë kohë dhe do të sigurohem që gjithnjë të demonstrojë përgjegjësi në mënyrë që nesër të gjithë ne të kemi kurajën për ta parë njëri tjetrin në sy. Nesër lind diell i ri për Kosovën dhe me të edhe mundësia e artë për ta realizuar ndryshimin e pritur për kaq kohë”, tha ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button