Kronika

Zhduket gardisti që lidhi Arben Ndokën me Kuliçajn, Ylli Memia nuk gjendet. Prej tre muajsh dyshohet të jetë larguar drejt Gjermanisë

Zhduket ish-gardisti Ylli Memia, i akuzuar nga Prokuroria për dëshmi të rreme në procedim gjyqësor ndaj Arben Frrokut për akuzën e vrasjes ndaj Dritan Lamajt.

“Panorama” shkruan sot se ish-punonjësi i Gardës së Republikës, i cili u arrestua dhe më pas u la i lirë më 12 nëntor të vitit 2014, nuk gjendet prej muajsh as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata.

Ish-gardisti Ylli Memia pas dëshmisë në Gjykatë

Në nëntor 2014, Ylli Memia u shoqërua nga Gjykata për në Drejtorinë e Policisë, pasi Prokuroria e akuzoi për deklarime të rreme në procesin ndaj Arben Frrokut. Sipas Prokurorisë, ndryshe nga dëshmia në hetimet paraprake, kur shkoi në Gjykatë për të dëshmuar, ish-gardisti ndryshoi thëniet.

Ai hodhi poshtë disa nga faktet e paraqitura nga dëshmitari i mbrojtur dhe, për këtë arsye, Prokuroria e nxori nga salla dhe filloi ndaj tij hetimet për dëshmi të rreme. Bashkë me procesverbalin e seancës së datës 12 nëntor 2014, Krimet e Rënda paraqitën kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj Ylli Memisë me akuzën e “dëshmisë së rreme”.

Por ndërsa ndaj tij filloi hetimi, ish-gardisti humbi pa lënë gjurmë, pasi nuk u paraqit asnjëherë në Prokurori. “I akuzuari është thirrur disa herë gjatë hetimeve paraprake, por nuk është paraqitur. Duke qenë se për të nuk ka pasur asnjë informacion, është caktuar një avokat kryesisht sipas ligjit për mbrojtjen e tij dhe në janar 2015, dosja penale është dërguar në Gjykatë me akuzën e ‘dëshmisë së rreme’”, thanë burimet e Prokurorisë. Dosja penale ndaj ish-gardistit është regjistruar në Gjykatë më 27 janar 2015.

Zhdukja e dëmshmitarit 
Pas Enver Stafukës që ka humbur gjurmët prej disa javësh, Ylli Memia është personi i dytë që është zhdukur ndërsa hetohej për dëshmi të rreme në lidhje me vrasjen e Dritan Lamajt. Seanca e parë gjyqësore ndaj ish-gardistit Ylli Memia u zhvillua në Gjykatë më datë 27 shkurt 2015.

Ai nuk është paraqitur në këtë seancë. Si pasojë e mosparaqitjes, gjykata mësohet se ka dërguar fletëthirrjen në adresën e banimit, por sërish i akuzuari për dëshmi të rreme nuk ka shkuar në Gjykatë as në seancën e radhës të mbajtur më 16 mars 2015. Gjykata i ka dërguar fletëthirrjen e dytë të akuzuarit me anë të Policisë, duke kërkuar gjetjen e tij, por sërish ish-gardisti nuk është gjetur dhe as është paraqitur në seancën gjyqësore të datës 30 mars 2015. Por këtë arsye, gjykata ka shtyrë seancën e tretë në radhë, me argumentin “për mosmarrje dijeni nga i pandehuri”.

Pas mungesës së përsëritur në proces, gjykata ka vendosur të përdorë mjetin e fundit ligjor për njoftimin e të akuzuarit Ylli Memia. Fletëthirrja e Gjykatës ndaj tij mësohet se është afishuar publikisht në Njësinë Bashkiake Nr.7, e cila mbulon vendbanimin e të akuzuarit. Seanca e radhës në Gjykatën e Tiranës për këtë proces është lënë më datë 13 prill 2015.

Burime jozyrtare nga Policia kanë thënë se ish-gardisti Ylli Memia, dyshohet të ketë ikur nga Shqipëria më tepër se tre muaj më parë. Sipas Policisë, i akuzuari ka dalë nga Shqipëria dhe mendohet të ketë udhëtuar drejt Gjermanisë. Policia ka të dhëna se Ylli Memia ka shkuar fillimisht në Kosovë dhe më pas është larguar në drejtim të Gjermanisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button