Opinion

Zinxhiri Gjyqësor

Pse aktorët e ndryshëm në procedurat penale duhet të bashkëpunojnë 

Aleksandar Momirov*

Cornelie Peeck**

Vendim-gjyqesorKur shohim efektivitetin e gjykatave në një sistem të caktuar ligjor, shpesh harrojmë se numri i dënimeve dhe lirimeve nga akuzat nuk varet vetëm nga gjyqtarët. Ç’mund të themi për cilësinë e provave të mbledhura nga prokuroria? Apo për mënyrën se si policia ka kryer aktivitetet hetimore? Për më tepër, si do ta vlerësonim ne një sistem ligjor, në të cilin vendimet – e një gjyqësori të themi efikas – zbatohen dhe ekzekutohen në mënyrë të vakët? Dhënia e drejtësisë, në veçanti në procedurat penale, është një proces ku duhet të bashkëpunojnë aktorë të ndryshëm. Efektiviteti dhe efikasiteti i procedurave penale do të varet mjaft nga mënyra se si zhvillohet ky bashkëpunim. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet se aktorët e ndryshëm në faza të ndryshme të procedurës penale, d.m.th. policia, prokuroria, gjyqësori, institucionet penitenciare, shërbimet e provës dhe Ministria e Drejtësisë janë të ndërlidhura – ata formojnë një zinxhir. Dhënia e drejtësisë kushtëzohet nga bashkëpunimi i të gjithë aktorëve të zinxhirit dhe ashtu si çdo zinxhir, ai është aq i fortë sa edhe hallka më e dobët e tij.

Bashkëpunimi në kuadër të këtij zinxhiri aktivizohet nga një akt kriminal. Nëse në një shtëpi kanë hyrë me dhunë, në polici do të hapet një dosje me një raport penal, në bazë të të cilit do të fillojë një hetim policor. Në një pikë të caktuar gjatë hetimit do të përfshihet një prokuror. Në varësi të sistemit ligjor në fuqi, prokurori mund të drejtojë hetimet e policisë. Nëse është identifikuar një i dyshuar, ai do të marrë ndihmë nga një avokat mbrojtës. Pasi hetimi të ketë përfunduar, prokurori mund të vendosë për ta çuar çështjen në gjykatë. Gjatë gjykimit, një gjyqtar do të vlerësojë provat e mbledhura nga ana e policisë gjatë fazës së hetimit. Situata do të varet shumë nga cilësia e hetimit të kryer. Nëse i pandehuri gjendet fajtor, do të pasojë dënimi dhe sapo ky dënim të bëhet përfundimtar, do të vendoset një sanksion penal. Në varësi të vendimit të gjykatës, autori i veprës penale do të dërgohet në burg, do të paguajë dëmet ose një gjobë, do të bëjë punë në komunitet ose do të bashkëpunojnë me shërbimin e lirimit me kusht nëse është shqiptuar një dënim i tillë.

Rezultati i çdo faze brenda këtij procesi varet nga bashkëpunimi i dy ose më shumë aktorëve të përfshirë, ndërsa objektivi i përbashkët i të gjithë aktorëve brenda zinxhirit është dhënia e drejtësisë. Nëse aktorët brenda zinxhirit nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e punës së tyre për të tjerët brenda zinxhirit, kjo mund të çojë në një humbje të rasteve ose në një proces joefikas dhe të gjatë në mënyrë të panevojshme. Kjo nuk do të komprometonte vetëm ofrimin e drejtësisë efektive dhe efikase, por besimi i qytetarëve në rezultatin e procedurave gjyqësore do të binte, duke rezultuar kështu në dobësimin e sundimit të ligjit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që duhet konsideruar sa i përket besimit në procedurat gjyqësore është ndryshimi i vlerave të vendosura në shoqëri. Duke pasur parasysh kapacitetet e kufizuara brenda sistemit të drejtësisë penale, është e pamundur të shpenzohet një kohë e barabartë për të gjitha krimet me të cilat përballet shoqëria. Të marrim një shembull tipik holandez: vjedhja e një biçiklete. Qindra mijë biçikleta vidhen çdo vit në Vendet e Ulëta. Nëse policia dhe aktorët pasues të zinxhirit do të hetonin për çdo biçikletë vjedhur deri në masën e plotë të aftësive të tyre, ndjekja penale e krimeve të tjera me siguri do të vuante. Për këtë arsye, aktorët në zinxhirin e drejtësisë penale duhet të përcaktojnë përparësitë dhe të gjejnë një ekuilibër mes të gjitha interesave të përfshira, interesave të individit, të shoqërisë dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Qeveritë e Malit të Zi dhe të Vendeve të Ulëta organizuan një konferencë rajonale dyditore më 11 dhe 12 dhjetor në Budva të Malit të Zi me temën e bashkëpunimit në kuadër të zinxhirit gjyqësor. Të gjitha shtetet potenciale për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor morën pjesë në këtë konferencë me delegatë nga institucione të ndryshme, të cilat janë pjesë e këtij të ashtuquajturi zinxhir gjyqësor. Tema e këtij viti sillej rreth nevojës për të bashkëpunuar dhe jo rreth një modeli të veçantë bashkëpunimi. Konferenca synonte grumbullimin e praktikuesve dhe agjentëve të ndryshimit, të cilët, bazuar në përvojën e tyre, mundën të shkëmbejnë idetë dhe praktikat më të mira me homologët e tyre nga rajoni.

“Iniciativa për të organizuar këtë konferencë së bashku me Malin e Zi është një shenjë e njohjes së rëndësisë themelore që Vendet e Ulëta i japin sundimit të ligjit”, thotë Onny Jalink, kreu i njësisë rajonale të sundimit të ligjit të përbërë nga oficerë të përkushtuar të politikave që punojnë në ambasadat e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në rajon. “Vendet e Ulëta kanë intensifikuar politikat – përparësitë në fushën e sundimit të ligjit në rajon; nëpërmjet projekteve të ndryshme të financuara përmes fondit tonë MATRA, por edhe përmes projekteve të binjakëzimit të BE-së, Vendet e Ulëta mbesin të angazhuara në mënyrë aktive në rajon për çështjen. Duke qenë në gjendje të analizojmë proceset transformuese në sistemet e veçanta të shteteve të ardhshme anëtare të BE-së, ne besojmë fort se do të jemi të pajisur më mirë për të kontribuuar në përpjekjet e bëra nga shtetet e rajonit në kapërcimin e sfidave të ndryshme që lindin si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE.”

Fokusi i rritur nga qeveria holandeze në forcimin e sundimit të ligjit në rajon ndjek qasjen e re “Në fillim bazat” – të miratuar nga Komisioni Europian. Dimensioneve të ndryshme të konceptit të gjerë të sundimit të ligjit – të tilla si përmirësimi i efikasitetit, pavarësia dhe efikasiteti të gjyqësorit, respektimi i të drejtave themelore, lufta kundër korrupsionit – i është dhënë përparësi në procesin e zgjerimit të BE-së. Të grupuara në kapitujt 23 dhe 24 të EU Acquis, këto tema trajtohen në fazat e hershme të procesit të pranimit. Këta kapituj janë ndër të parët për t’u hapur dhe mes atyre për t’u mbyllur në fund. Në fakt, edhe kur negociatat mbi kapitujt 23 dhe 24 të mbyllen, përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit do të vazhdojnë. Një nga qëllimet e konferencës ishte për të reflektuar mbi faktin se sistemet ligjore janë vazhdimisht në zhvillim dhe në ndryshim, për t’u përshtatur me realitetet e reja dhe avancimin teknologjik. Në mbështetje të kësaj, kjo konferencë rajonale idealisht do të kthehet në një ngjarje të përvitshme, e organizuar çdo vit nga një shtet anëtar i BE-së së bashku me një shtet kandidat potencial, ku do të theksohet edhe një temë për konferencën e ardhshme në lidhje me sundimin e ligjit. Mbretëria e Bashkuar do të organizojë konferencën pasuese në vitin e ardhshëm, duke siguruar vazhdimësinë e kësaj iniciative.

*Këshilltar i lartë politik, ambasada e Vendeve të Ulëta në Beograd

**Gjykatës Penal, Gjykata e Distriktit të Roterdamit, Vendet e Ulëta

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button