Ekonomia

Anëtarësimi i detyrueshëm në dhoma: Taksa e fshehtë deri 22 mln euro në vit për bizneset

Taksa e re e fshehtë e shtuar për bizneset për anëtarësimin e detyrueshmën në dhoma do të jetë sa rreth 12% e tatim fitimit që ata paguan në 2015-n. Janë rreth 151 mijë biznese që do të jenë të detyruara nga 1 janari, që të paguajnë për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë, pas miratimit të ligjit të ri të Dhomës së fundmi nga Kuvendi.

Sipas të dhënave të INSTAT, për “Ndërmarrjet  aktive sipas qarqeve  dhe formës ligjore”, deri në fund të vitit 2015 ishin rreth 133 mijë biznese persona fizikë dhe juridikë të regjistruar në vend (përjashtuar fermerët). Duke shtuar dhe rreth 18 mijë biznese që janë hapur këtë vit, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në total numri i tyre është në rreth 151 mijë. Rreth 121 mijë biznese janë persona fizikë, që do të paguajnë nga 1000 lekë në vit, sipas përcaktimit në ligjin e ri, pra rreth 900 mijë euro.

Barrën më të lartë do ta kenë subjektet juridike, që do të detyrohen të paguajnë është jo më pak se 3. 000 (tremijë) lekë dhe jo më shumë se 100. 000 (njëqindmijë) lekë, pa dhënë një përcaktim të qartë se si do bëhet ndarja, por duke ia lënë në dorë Asamblesë së dhomës sipas kategorizimit.  Janë rreth 30 mijë subjekte juridike në vend, sipas INSTAT, që do të duhet të paguajnë maksimalisht deri në 2.9 miliardë lekë, apo rreth 21 milionë euro.

Në total, nëse të gjitha bizneset do të paguanin për anëtarësimin e detyrueshëm në dhomën e tregtisë, ata do të shpenzonin më tepër maksimumi rreth 3 miliardë lekë, apo 22 milionë euro në vit, krahas detyrimeve të tjera që i paguajnë shtetit.

Gjysmën e kësaj shume për dhomat, pritet ta paguajnë bizneset e Tiranës, ku janë të përqendruara 50% e subjekteve juridike dhe 37% e personave fizikë. Teksa sipas të dhënave të buxhetit 2015, rezulton se të ardhurat nga tatim fitimi ishin rreth 25 miliardë lekë (rreth 181 milionë euro), taksa e re e fshehtë e shtuar për bizneset për anëtarësimin e detyrueshmën në dhoma do të jetë sa rreth 12% e tatim fitimit që ata paguan në 2015-n.

Reagimi i ashpër i dhomave

Një ditë më parë Organizatat përfaqësuese të Biznesit në Shqipëri si: Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri, Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, Dhoma Britanike e Tregtisë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve,  shprehin shqetësimin e tyre dhe të të gjithë anëtarëve të tyre, pjesë e komunitetit shqiptar dhe të huaj të biznesit në vendlidhur me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të miratuar gjatë seancës së fundit parlamentarenë Kuvend. Organizatat theksuan se, rezultatet e Indekseve të ndryshme të Biznesit në vitet 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend ka qënë niveli i taksave. Edhe në Raportin Global të Konkurrueshmërisë, i cili u botua këto ditë, niveli i taksave zë vendin e dytë në listën e faktorëve më problematikë për biznesin. Pikërisht në këtë kohë, ky ndryshim i ligjit shton një pagesë më tepër për bizneset, e cila rrit barrën fiskale mbi biznesin, dhe vepron për të frenuar rritjen ekonomike në vend.

Ata shtuan se me gjithë përpjekjet nga biznesi për të shtuar transparencën dhe përgjegjshmërinë e palëve, proçesi dhe ligji i miratuar nuk pasqyroi konsultimet e zhvilluara në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese.

Ndryshimet ligjore

Rivendosja e anëtarësimit të detyrueshëm pranë dhomave të tregtisë dhe industrisë të personave juridikë; Kuota e anëtarësimit në dhomë për të gjithë subjektet tregtare që regjistrohen për herë të parë në QKB është 100 (njëqind) lekë. Kuota vjetore e anëtarësimit në dhomë për të gjithë personat fizik është jo më shumë se 1000 (njëmijë) lekë. Kuota vjetore e anëtarësimit në dhomë për të gjithë personat juridik është jo më pak se 3. 000 (tremijë) lekë dhe jo më shumë se 100. 000 (njëqindmijë) lekë. Anëtarët e dhomës paguajnë kuotën vjetore të anëtarësisë brenda datës 31 Mars të çdo viti. Masa dhe procedurat e vjeljes se kuotës përcaktohen nga Asambleja e dhomës sipas kategorizimit. Dhomat transferojnë pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë 25% të fondeve të mbledhura nga kuota e anëtarësisë brenda datës 15 prill te çdo viti. Dhomat e qarqeve jane te detyruara të dergojne prane Bashkimit te Dhomave te Tregtise dhe Industrise, brenda dates 15 prill te çdo viti, listen e anetaresise dhe çdo 3 muaj perditesimin e kesaj liste per efekt te pageses se kontributit. Të gjitha subjektet tregtare sipas përcaktimit të këtij neni, detyrohen të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në zbatim të pikës 3, të nenit 43, të Ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për Regjistrimin e Biznesit”, të ndryshuar, edhe dokumentin që vërteton pagesën e kuotës vjetore të anëtarësimit në dhomë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button