Ekonomia

Drafti: Nuk do shisni dot shtëpinë pa certifikatë energjie

Shumë kohë më pas, edhe Shqipëria po kujtohet për të futur në kulturën e jetesës një element që shtetet rreth nesh e kanë bërë me kohë: eficencën e energjisë. Në 25 vitet e demokracisë, lajmet për furnizimin me drita nuk kanë munguar, por kemi harruar ndoshta një element më thelbësor: ne mund të paguajmë fatura më pak duke kursyer, ne mund të ngrohemi me burime alternative, ne duhet të llogaritim si kosto jetese edhe energjinë!

Sot nuk ka statistika të sakta se sa ka investuar vendi për të ndërtuar godina të cilat kanë një konsum të ulët energjie. Sektori i ndërtimit ka njohur rritjen më të madhe në ekonomi gjatë dekadës së fundit, ngritja e e pallateve në kryeqytet por dhe zona të ndryshme turistike është një çështje që ka interes për të gjithë, por jo të gjithë arritën që të ndërtojnë ashtu si duhet. Arben Dervishaj, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, thotë se në vend ka ndërtesa të cilat merren model edhe nga vendet në botë. Ai përmend një sërë pallatesh të ndërtuara kryesisht në kryeqytet, por edhe në zona turistike, të cilat përveç termoizolimit kanë një sërë veshjesh të cilat kursejnë energjinë. “Ka shumë ndërtime në Shqipëri të cilat kanë zbatuar standardet e kursimit të energjisë, kanë shtresa metalike brenda tyre, veshje polisteroli, termoizolim. Shumë ndërtues seriozë kanë ndërtuar godina cilësore dhe ata në këto kohë kanë jetuar në mjedisin e një konkurrence të pandershme. Çmimi i këtyre ndërtesave është më i shtrenjtë sepse kostoja reflektohet në të. Por askush nuk di të kuptojë se ble sot një apartament në Tiranë p.sh., me 50 euro/m² më shumë, por kursen shumë më shumë nesër. Ekspertët e fushës e kuptojnë por jo qytetarët, ata drejtohen aty ku çmimi është më i lirë” – thotë Arben Dervishaj.
Dervishaj kujton se në Shqipëri ka pasur më parë një kod energjie i cili nuk u zbatua kurrë, dhe moszbatimi i tij solli standarde të ndryshme për të gjithë bizneset ku u penalizua ata që zbatuan rregullat. “Ka pasur edhe më parë rregulla për të bërë ndërtesa brenda pallateve por shumica nuk i zbatuan. U penalizuan ndërtuesit e ndershëm që bënë punime cilësore. Kërkesë-oferta bëri që ata të detyroheshin të mbanin një çmim tregu, pavarësisht kostos që shpenzuan për të ndërtuar më mirë dhe me cilësi”, shton ai.
Por më shumë se problemet me ndërtesat e reja, ndërtuesit mendojnë se shteti shqiptar duhet të zgjidhë eficencën e energjisë në godinat e vjetra, të cilat kanë nivel më të lartë të shpenzimit të energjisë elektrike. “Po të marrim modelin gjerman, nuk mund të numërohet sasia e parave që u investuan për të rinovuar godinat e vjetra si shtetërore dhe ato private, të qytetarëve. Këto u bënë me fonde të posaçme për të ndihmuar qytetarët që donin të kursenin energjinë. Ata bënë restaurimin e të gjithë ndërtesave parafabrikate, sidomos ato të pjesës lindore. Po të shohim dhe sot në Shqipëri, gjermanët po investojnë në eficencën e godinave. Është KFW që po jep çdo vit donacione për restaurimin e konvikteve etj.” thotë Dervishaj.
Por jo vetëm Gjermania, një vend me ekonominë më të zhvilluar në botë, ka investuar shumë më shumë se ne në këtë fushë, por dhe Kosova ka eficencë më të lartë të ndërtesave se sa Shqipëria.
Më e ftohtë se ne, por në disa fusha edhe shumë më përpara, Kosova, shteti më i ri në Europë ka në përvojën e saj mënyra alternative të kursimit të energjisë elektrike më të mira se Shqipëria. Në shumë forma, ndërtesat në Kosovë mund të quhen më të pavarura nga energjia elektrike, sidomos në aspektin e ngrohjes. Si pallatet e reja, edhe ato të vjetra, kanë të instaluar sistemin e kaldajave, në pjesën më të madhe të rasteve, ngrohja në to është me qymyr, e në disa godina më të mira ngrohja është me pelet ose naftë. Kosova është një hap përpara nesh edhe sa i takon ngritjes së agjencive që orientojnë institucionet, bizneset dhe qytetarët për të marrë politika të energjisë së gjelbër. Që në vitin 2013, ajo ka krijuar Agjencinë e Kosovës për Eficencë të Energjisë, e cila ka orientuar një sërë komunash për të bërë ndriçimin e qyteteve me llamba merkuri që shpenzojnë pak energji, e po ashtu është në dispozicion të qytetarëve për t’i dhënë këshilla se si mund të kursejnë e të paguajnë më pak drita.
Shoqata e Ndërtuesve thotë se duhet që strukturat e autoriteteve lokale të angazhohen për të evidentuar godinat me eficencë dhe të zbatojnë parametrat e çdo leje që jepet për ndotjen në mjedis, ruajtjen e energjisë etj. “Deri tani nuk është dhënë asnjë subvencion nga shteti shqiptar për ndërtuesit që zbatojnë rregulla dhe bëjnë godina të cilat kursejnë energjinë”, shprehet Dervishaj.

Shqipëria kthen sytë tek eficenca e energjisë
Gjergj Simaku, ekspert energjie por dhe drejtor i përgjithshëm i burimeve alternative dhe energjisë së rinovueshme në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, ka dy vite që po merret me hartimin e një ligji i cili do të vendosë rregulla për të gjithë ata që ndërtojnë jashtë këtyre standardeve. Simaku kujton se Shqipëria ka pasur më parë një kod energjetik, i cili nuk u zbatua kurrë për shkak të mungesës së kontrollit në ndërtimet e viteve të fundit. “Një nismë e tillë ligjore ka qenë dhe më parë, daton në vitin 2002. Ka nisur si një ligj që ka të bëjë me ngrohjen e ndërtesave. Në atë kohë ne aprovuam një ‘Kod energjetik të ndërtesave’, por bumi i ndërtimeve nuk e respektoi këtë ‘kod energjetik’. Ky lloj ligji që doli në atë kohë, për izolim termik apo për eficencën e energjisë së ndërtesave, nuk pati ndonjë impakt të posaçëm. Në Shqipëri rëndom njihet si ligji i izolimit të ndërtesave, veshjes së tyre nga jashtë, një praktikë e njohur në vend nga firma të ndryshme që merren me izolimin termik”, shpjegon ai.
Simaku thotë se fillimisht, përpara se të vendosen të gjitha rregullat se si duhet të ndërtosh, dhe ky kusht të vihet po ashtu edhe në lejet e ndërtimit, duhet që të gjithë të dimë se sa konsumon shtëpia e gjithsecilit. “Është një gjë e re dhe e panjohur më parë. Çdo ndërtesë duhet të ketë një certifikatë që quhet ‘certifikata e performancës së energjisë’. Duhet të dihet se sa energji shpenzon për një metër katror në një vit kjo ndërtesë. Nëse marrim ndërtesën ku banoj, për shembull, unë konsumoj për të gjitha proceset energjetike që ndodhin brenda shtëpisë sime, që mund të jetë në pjesën më të madhe të rasteve energji elektrike, por mund të jetë gaz, naftë, dru zjarri, energji e rinovueshme, pra lloje të ndryshme të energjisë, të paktën 14 mijë kilovat orë në vit, dhe i bie që çdo metër katror e shtëpisë sime mund të konsumoj të paktën 120 deri në 130 kilovat orë për metër katrorë në një vit”, thotë nismëtari i ligjit “Për performancën e energjisë së ndërtesave”.

Nuk shet dot shtëpi pa certifikatë energjie
Projektligji, i cili pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare shumë shpejt, do të bëjë të detyrueshëm rregullin se përpara se të shesësh, japësh me qira apo të nisësh projektimin e një godine apo banese, duhet që fillimisht të nxjerrësh një certifikatë energjie të saj

Projektligji, i cili pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare shumë shpejt, do të bëjë të detyrueshëm rregullin se përpara se të shesësh, japësh me qira apo të nisësh projektimin e një godine apo banese, duhet që fillimisht të nxjerrësh një certifikatë energjie të saj. Por çfarë do të përmbajë certifikata e energjisë?
a) llogaritjen vjetore të performancës së integruar të energjisë së ndërtesës ose të njësisë së ndërtesës;
b) treguesin e llogaritur për performancën e energjisë së ndërtesës ose të njësisë së ndërtesës;
c) treguesin numerik të konsumit të energjisë primare të ndërtesës ose të njësisë së ndërtesës;
d) karakteristikat e përgjithshme të ndërtesës ose të njësisë së ndërtesës, përfshirë këtu dhe periudhën e datën e ndërtimit;
e) informacion për vlerësuesin e performancës së energjisë për ndërtesën ose njësinë e ndërtesës, si dhe autoritetin e miratuar që e ka lëshuar certifikatën;
f) vlerat krahasuese, të tilla si kërkesat minimale të eficiencës së energjisë për të njëjtën kategori ndërtesash dhe të atyre që janë tipike për stokun referent të ndërtesave, në mënyrë që pronarët apo qiramarrësit e ndërtesës apo njësisë së ndërtesës të krahasojnë performancën e energjisë për ndërtesën e tyre që po vlerësohet;
g) rekomandime për përmirësimin e kostove optimale ose kostove efektive të: i. sistemeve teknike të ndërtesës; ii. elementeve të mbështjelljes së ndërtesës dhe njësisë së ndërtesës; iii. udhëzuesit për gjetjen e një informacioni më të detajuar;
h) informacionin mbi hapat që duhet të ndërmerren për të zbatuar rekomandimet;
i) referencën me Metodologjinë Kombëtare të Llogaritjes (data dhe botimi) dhe versionin e programit kompjuterik të miratuar;
j) datën e lëshimit dhe kodin e regjistrimit.
“Kjo e dhënë duhet nxjerrë për të gjithë stokun e ndërtesave. Në stokun aktual i ndajmë ndërtesat në dy grupe kryesore: grupi që ka të bëjë me ndërtesat e shtetit dhe grupi që ka të bëjë me ndërtesat rezidenciale private. Sigurisht që në këto dy grupe, kemi dallime kryesore, ku target grupi për këtë lloj ligji do të jenë fillimisht ndërtesat shtetërore. Por në këtë ligj ne kemi futur klauzolën ashtu sikurse dhe Bashkimi Europian, që çdo ndërtesë që shitet e re, që blihet, e re apo e vjetër, që jepet me qira, duhet të shoqërohet me një certifikatë të performancës së energjisë. Kjo do të thotë që personi që e merr me qira këtë ndërtesë, ose që e ble, duhet të ndërgjegjësohet për konsumin që ka ajo. Është njësoj siç blemë një makinë, e para gjë që pyesim është sa kushton dhe sa konsumon. Ky është pak a shumë qëllimi që do të arrijë ligji”,- shprehet Simaku.
Lefter Sila, agjent i vjetër imobiliar, i cili prej 20 vitesh merret me tregun e shitblerjeve të pasurive të patundshme, thotë se interesi për konsumin e energjisë ka qenë në rritje për të gjithë të interesuarit që kërkojnë të blejnë një banesë. Madje në shumicën e rasteve, nënvizon ai, konsumi i pajisjeve elektro-shtëpiake dhe termoizolimi përfshihen në çmimin e shitjes së saj apo qirasë. “Krahasuar me vitet e mëparshme, sot mund të shohim një numër në rritje të qytetarëve që kërkojnë shtëpi dhe pyesin si janë kushtet e banesës. Ne sigurisht që i shesim më shpejt shtëpitë me termoizolim dhe kjo, në disa raste, përfshihet edhe në çmim”,- sqaron Sila.
Megjithatë ai thotë se detyrimi për të nxjerrë një certifikatë energjie mund të jetë një kosto shtesë për qytetarin, pasi rrit çmimin e shtëpisë sidomos në momentin që ajo jepet me qira. “Procesi i certifikatës do vështirësojnë shitjen dhe dhënien me qira, sepse nuk dimë ende se si do të jetë kjo procedurë apo çfarë tarifash duhen paguar. Është më e vështirë në rastin e qirasë, sepse është një godinë ose banesë që jepet për një kohë shumë të shkurtër”, shprehet Sila.
Ligji ka marrë parasysh edhe mënyrën e nxjerrjes së certifikatës së energjisë. Në një kapitull të tij, ai vendos kushtet për audituesit e energjisë, të cilët do të kenë të drejtë nxjerrjen e këtyre certifikatave. Agjencia për Eficencën e Energjisë do të botojë listën e audituesve të licencuar dhe në bazë të rregullave dhe standardeve mbi mënyrën e llogaritjes kombëtare të energjisë, formulë e cila do të dalë me vendim të Këshillit të Ministrave, do të bëhet auditimi i banesave.

Ndërtesa eficente ose nuk merr “leje”.
“Ligji bën fjalë për disa kërkesa minimale të performancës. Clat janë ato? Një ndërtesë, nëse ajo i nënshtrohet një rinovinimi apo një rikonstruksioni, që përfshin ndërtesat që rinovojnë mbi 25% të sipërfaqes së tyre, duhet të ketë disa kërkesa minimale. Kërkesat minimale kanë të bëjnë jo vetëm me izolimin e jashtëm të mbështjelljes së ndërtesës, pra izolimit termik, por edhe me 5 elemente kryesore, që quhen minimalë, që duhet t’i ketë një ndërtesë. Ngrohja, ftohja, ventilimi, uji i ngrohtë sanitar dhe ndriçimi. Nëse një ndërtesë rikonstruktohet duhet t’i ketë këto 5 elementë. Ne shikojmë rëndom që shumë ndërtesa shtetërore rikonstruktohen, qoftë kjo një shkollë, një kopsht, një konvikt, një zyrë, një ndërmarrje etj., dhe nuk i zbatojnë këto standarde, por ne po e vendosim kusht që të kenë këto kritere të performancës së energjisë elektrike.” thotë Gjergj Simaku. Një leje që duhet të japin institucionet lokale dhe ato qendrore duhet që fillimisht të ketë një vërtetim të përmbushjes së kritereve të performancës së energjisë. “Në këto kërkesa minimale përfshihen të gjithë ndërtesat. Nëse dikush dëshiron që të bëjë rikonstruksionin e një ndërtese, bashkia nuk do t’ia japë lejen nëse ajo nuk i plotëson këto kushte. Po kështu bëhet fjalë dhe për ndërtesat e reja. Të gjithë e dimë se si i marrin blerësit në dorëzim ndërtesat e reja, kemi vetëm një prizë, nuk kemi oxhak, nuk kemi një sistem të vendosur dhe vëmë kusht që t’i kenë të paktën këto kërkesa që thashë”, – sqaron Simaku.
Por ndërtuesit thonë se certifikimin e standardeve të energjisë nuk kanë pse ta bëjnë audituesit e energjisë të certifikuar, por vetë pushteti lokal. “Kjo shton kostot për ndërtuesit. Nuk është detyra e audituesit të vijë dhe të thotë nëse leja, në momentin që është ndërtuar godina e përmbush ose jo kriterin e performancës. Këtë e bën punonjësi në njësinë vendore që bën kolaudimin e ndërtesës. Është bashkia që thotë e ke ose nuk e ke!”, thotë Arben Dervishaj. Këto konsiderohen nga ndërtuesit si burokraci shtesë.
“Ndërtesat private nuk e kanë të detyrueshme këtë ligj, për to bëhet e detyrueshme kur kërkojnë të marrin një leje, ose kur e shesin dhe e blejnë ndërtesën. Në këtë rast bëhet i detyrueshëm auditimi i energjisë ose marrja e certifikatës, por jo vetë rikonstruksioni. Ne mendojmë se fillimisht duhet nisur me ndërtesat shtetërore, sepse vetë shteti duhet ta japë këtë shembull. Nëse ne shikojmë se ndërtesat e shtetit do të ndërtohen me këto kushte, atëherë mund ta aplikojmë lehtësisht edhe te ndërtesat e tjera”, – thotë Simaku.

Si të paguash më pak drita?
Jo shumëkush e di që duke tentuar të zbatosh disa rregulla të thjeshta, mund t’i ulësh faturës mujore të dritave një përqindje të konsiderueshme të shpenzimeve. Por cilat janë këto mënyra?
– Nëse ulet temperatura e ambientit vetëm me 1 gradë Celsius, mund të kursesh 5% të energjisë për ngrohje.
– Për çdo gradë Celsius më të ulët në termostatin e kondicionerit gjatë sezonit të verës, shpenzohet 3-5% më shumë energji.
– Llambat eficiente shpenzojnë deri në 6 herë më pak energji elektrike dhe kanë 10 herë më shumë jetëgjatësi.
– Pajisjet shtëpiake të kategorisë “A” shpenzojnë deri në 45% më pak energji në krahasim me të njëjtat pajisje të kategorisë “D”.
– Me vendosjen e valvulave me termostat në radiator dhe me rregullim në kaldajë mund të kurseni 20% të energjisë vjetore për ngrohje.
– Shtëpia me izolim termik dhe xhama me shkallë të ulët të transmetimit të nxehtësisë shpenzon 6 herë më pak energji.
– Vendosja e kolektorëve diellorë në ngrohjen e ujit redukton me 50% energjinë për këtë qëllim.
– Kërkoni një shtëpi, e cila të ketë orientimin drejt jugut. Në anën jugore dritaret duhet të jenë më të mëdha duke shfrytëzuar maksimalisht rrezet e diellit dhe në anën veriore më të vogla në mënyrë që të ndalojnë humbjen e energjisë.

Sa e përdor Shqipëria energjinë e rinovueshme
Në të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë, 99% e burimeve të energjisë në Shqipëri rezulton të jetë ajo hidrike që prodhohet përmes hidrocentraleve. Shqipëria ka vetëm një termocentral fotovoltaik i cili ende nuk ka arritur të prodhojë energji elektrike. Shumica e konsumit vendas vjen përmes kaskadës së Drinit, dhe një pjesë tjetër plotësohet nga HEC-et private.

monitor 750.indd

Por zyrtarisht, Shqipëria nuk ka asnjë të dhënë mbi mënyrën se si përdorin energjinë për kursim ndërtesat e saj. Në relacionin shoqërues të këtij projektligji në Kuvend thuhet se “sektori i banesave zë përqindjen e dytë më të madhe të konsumit final të energjisë në Shqipëri, pas transportit. Sektori ka zënë një përqindje relativisht të qëndrueshme të konsumit total final të energjisë, gjatë periudhës 2009-2014, duke variuar nga 26% në 28%, me një tendencë të qartë në rritje gjatë kësaj periudhe. Në terma absolutë, konsumi i energjisë në banesa ishte 11% më i lartë në vitin 2014 sesa në vitin 2009.”
Por të dhënat më të sakta të saj vijnë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Ai ka bërë një studim për vendet e Ballkanit, dhe shprehet se Shqipëria nuk i përmbush Standardet e Eficencës së Energjisë. “Volumi i transmisionit të koeficientit të humbjeve të energjisë është 1 gradë Celsius nga temperatura e jashtme te temperatura e brendshme. Ky indikator është shumë i vjetër dhe është përdorur në vitet 80’. Nuk i korrespondon standardeve europiane që shprehin performancën e energjisë”, thotë raporti.

Detyrat e Shqipërisë për të kursyer energjinë
Në strategjinë e saj, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka vendosur këto detyrime për të kursyer energjinë:
– Reduktimin me 9% të kërkesave për energji deri në vitin 2018. Objektivi prek kryesisht ndërtimet të cilat zënë 45-50% të konsumit të energjisë në bilancin energjetik.
– Kostot e ndërhyrjeve me masa të eficencës së energjisë që të jenë në përputhje me kostot efektive, të cilat justifikojnë kursimet që lidhen me kërkesën e energjisë gjatë ciklit të jetëgjatësisë së ndërtesës.
– Rikonstruksionet e ndërtesave llogariten të jenë 2-3% të stokut ekzistues në vit. Kjo shumë që lidhet me rinovimet duhet të shoqërohet me masa të eficencës dhe llogaritet të ketë një efekt 10-20% më të shtrenjtë në vlerën e rikonstruksioneve.
– Krijimin e rrjetit lokal për audituesit dhe certifikuesit e performancës së energjisë dhe financimin e skemave mbështetëse për llojet e ndërhyrjeve.
“Ne kemi bërë një strategji për rinovimin e ndërtesave. Shqipëria në përgjithësi ka një stok të ri ndërtesash, nuk e ka të vjetër si vendet e tjera. Por ajo që duhet thënë dhe del nga studimi është se nëse marrim një vend të Bashkimit Europian, ndërtesat që janë ndërtuar me rregulla të kësaj natyre atje, sepse ne nuk kemi pasur rregulla, i kanë rezistuar më shumë kohës. Një cikël i rikonstruksionit të ndërtesave në një vend të Bashkimit Europian vjen shumë vonë, pas 30, 40 ose dhe 50 vitesh. Kurse në Shqipëri të gjithë e shohim që në një ndërtesë 10-vjeçare je i detyruar të bësh disa rikonstruksione që kanë të bëjnë me ndryshimin e dritareve, vendosjen e një paneli fotovoltaik, një panel diellor për ujin e ngrohtë, do të ndryshosh ndriçimin, do të ndryshosh bojlerin… pra fakti që ndërtesat tona janë pa rregulla të kësaj natyre bën që cikli i tyre i rinovimit të vijë, brenda 15 viteve ose 20 viteve të jetës së ndërtesës. Në këtë kuptim ne kemi bërë gati një plan dhe mendojmë se ndërtesat do të hyjnë në rinovim. Dhe m.q.s bëhet ky rinovim, të bëhet me eficencë”, – thotë Gjergj Simaku.
Strategjia del në konkluzionin se nëse ndërmerren masa efektive për eficencën e energjisë (skenar aktiv) nëpërmjet financimit të drejtpërdrejtë dhe krijimin e bazës institucionale të domosdoshme, ky raport në fund të vitit 2020 do të jetë me një kursim prej të paktën 60 ktoe ose ndryshe, më pak energji e llogaritur në:
– Energji elektrike 700 GWh më pak krahasuar me konsumin prej afërsisht 7.6 TWh në vitin 2014 dhe parashikimin për vitin 2020 prej 9 TWh;
– rreth 80 000 m³ dru zjarri më pak për ngrohje
– rreth 15 000 tonë GNL (gaz i lëngshëm) më pak për ngrohje dhe gatim.
Ky skenar aktiv përbën një kursim prej: o 8.4 mld lekë për energjinë elektrike në terma konsumi dhe rreth 3.4 mld lekë në terma gjenerimi. Gjithashtu, do të thotë se do të kemi 0.3 TWh më pak importe të energjisë elektrike. Me këtë skenar llogaritet të kemi 78 tonë CO2/vit, më pak gaze serre në atmosferë. Për sa u takon druve të zjarrit, kursimi llogaritet në 192 milionë lekë më pak dhe 47 tonë CO2/vit më pak gaze në atmosferë.
Ndërsa kostot efektive të ndërhyrjeve, me qëllim kursimin e energjisë në ndërtesa, llogariten të jenë:
a) Për ndërhyrje standarde, kostoja për metër katror është 45-50 €/m² (6 200 – 7 000 lekë/m²) sipërfaqe e banueshme.
b) Për ndërhyrje të avancuara, kostoja për metër katror është 50-85 €/m² (7 000 – 12 000 lekë/m²) sipërfaqe e banueshme.
c) Për ndërhyrje ambicioze, kostoja për metër katror është 85-120 €/m² (12 000 – 17 000 lekë/m²) sipërfaqe e banueshme.

Financimi i gjelbër
“Ne kemi zhvilluar së fundi një plan kombëtar për eficencën e energjisë. Targeti për kursimet e energjisë elektrike në përgjithësi vjen nga sektori i transportit ku kemi dhe konsumin më të madh të naftës dhe nënprodukteve të saj dhe sektori tjetër që vjen pas tij nga zhvillimi i madh i bilancit të sistemit energjetik janë ndërtesat. Konsumatori shtëpiak, konsumatori rezidencial është konsumatori më i madh në Shqipëri dhe është më i drejtpërdrejtë. Në këtë kuptim, ne në planin kombëtar për eficencën e energjisë kemi vendosur disa targete, disa objektiva për të arritur dhe një prej mënyra për të arritur këto objektiva janë edhe futja në fuqi e ligjeve si ky për performancën e energjisë elektrike. Sigurisht që e kemi pasur më të lehtë që të bëjmë një plan për rikonstruksionin e ndërtesave publike por gjithsesi, nëpërmjet kushteve të caktuara ne ndërhyjmë dhe te ndërtesat private”,- thotë Gjergj Simaku.
Ai tregon se ka disa vite që Ministria e Energjisë dhe Industrisë po ngre Fondin e Eficencës së Energjisë, i cili do të shërbejë për të financuar energjinë e gjelbër. Kjo nënkupton kredi të buta për ndërtuesit që zbatojnë standardet apo subvencione për qytetarët që marrin pajisje, të cilat kursejnë energjinë. “Financimi për këto rinovime është një kërkim tjetër që ne bëjmë në këtë drejtim. Si e gjejmë ne financimin? Ka shumë forma të suportit të financimit. Një prej tyre është fondi për eficencën e energjisë. Nëse dikush kërkon të zëvendësojë një kondicioner të vjetër me një kondicioner të ri inverter të një klasi të lartë energjie, atëherë mund të aplikosh për subvencion pranë këtij fondi. Ose në rastin që ndërton godina që konsumojnë shumë pak energji pas rikonstruksionit, atëherë fondi bëhet i gatshëm për të dhënë një grant të kësaj natyre”, shpjegon ai.
“Ligji e parashikon krijimin e fondit të energjisë së rinovueshme dhe pritet VKM-ja për funksionimin e tij. Ai do të jetë i hapur dhe jo i mbyllur, nuk do të jetë një fond buxhetor. Sigurisht që buxheti do të japë kontributin e vet, por ne mendojmë që në këtë fond të mbledhim të gjitha grantet dhe subvencionet që vijnë për eficencën e energjisë dhe të aplikojmë në fonde të mëdha të klimës sepse është drejtpërdrejt kursim energjetik. Ne mendojmë se ndërtesat private duhet të përfitojnë nga ky fond, por përveç kësaj, janë dhe linjat e kredisë një alternativë me interes pothuajse 0”,- përfundon Simaku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button