Kosova

Në mbrojtje të UÇK, debati për luftën pas dënimit të ish-komandantëve

Kuvendi i Kosovës është përfshirë nga debati në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Debati u nxit nga dhënia e vendimit  përfundimtar procesit “Drenica I dhe II”, ku të akuzuar për “krime lufte” komandantë të UÇK-së, midis tyre dhe Shefi i Shtabit, ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi.

Së bashku deputetët e PDK-së dhe VV janë të mendimit se dënimet janë të padrejta, por ndahen në faktin se kush është fajtori që lufta e UÇK-së sipas tyre po përdhoset në këtë mënyrë. Ndërsa për kryetarin e Nismës, Limaj, vet viktimë e gjykimeve të tilla, kjo seancë është e gabuar.

Deklarata më e fortë vjen nga kryetari i Kuvendit, njëkohësisht kryetar i partisë së dalë prej UÇK-së, Partisë Demokratike të Kosovës.

“Por, pranimi i standardeve jobalancuese të drejtësisë, nga ne si shqiptarë në Kosove, nuk nënkupton edhe legjitimimin e cenimit të moralit njerëzor dhe kauzës sonë për liri, as UÇK-së dhe aq me pak qenien e shtetit tonë sovran! Duhet të merret në konsiderate edhe mesazhi që mund të dërgohet përmes këtyre proceseve tek qytetarët tanë, si besim dhe standard në drejtësi! Shqetësimi qytetar është se në këto procese ka mangësi të zbatueshmërisë së ligjeve në fuqi dhe ballafaqimit apolitik të fakteve dhe provave; dhe një tendencë të ndëshkimit me çdo kusht të luftëtarëve të lirisë. Kjo po shkakton mosbesim dhe frikë tek qytetarët, se diçka nuk është në rregull me standardet e kërkuara të drejtësisë”, tha Kadri Vesi, kryetar i Kuvendit.

“Në Kosovë ka sunduar doktrina e UNMIKU-t;  krimet e Serbisë në Kosovë nuk hapen, as gjykohen sepse dëmtohet multietniciteti dhe kjo na ka dëmtuar. Fatkeqësia e LDK dhe PDK është që janë dakordësuar me këtë parim, me këtë doktrinë”, tha Glauk Konjufca, VV.

“Përveç gabimeve që kemi bërë një gabim tjetër, e dimë që kjo seancë veç sa i dëmton njerëzit, është e vonuar. Është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.

Ndërsa për shefin e grupit të LDK-së, së cilës në këtë seancë në sallë i mungoi edhe kryeministri dhe disa ministra, situata të tilla duhen kaluar në të mirë të shtetit ligjor.

Debati u thirr nga Kuvendi pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit, e cila  la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore për dënimin për krime lufte të  komandantëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës. Një debat i ngjashëm në kuvend pak vite më parë u pasua me kritika nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë, të cilët thanë se kuvendi nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button