Ekonomia

Projektligji, rimbursohet akciza për lëndën e parë të prodhimit të ilaçeve, Manjani kërkon argumente shtesë

Edhe pse ka vetëm pak ditë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në paktën fiskale 20167, Ministria e Financave ka çuar një projektligj të ri cili përfshin  rimbursimin e akcizës për lëndën djegëse që përdoret për industrinë farmaceutike në vend.

Nga kjo masë e re e qeverisë përfiton vetëm një kompani, që prodhon barna në vend.

Sipas korrespondencës, që disponon “Monitor”, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili jep mendim, për të gjitha projektligjet që entet publike çojnë në qeveri është shprehur me rezerva për këtë ndryshim.

“Përmes ndryshimit të tabelës “Industria” në Aneksin 10 të vendimit, propozohet të shtohet rimbursimi i lëndëve djegëse që do të përdoren gjatë proceseve teknologjike të prodhimit të barnave. Përveç argumentit se kjo masë do të nxisë prodhimin vendas te barnave, vlerësojmë se nevojitet një analizë me e detajuar e nevojës se parashikimit të një mase të tillë lehtësuese dhe të ndikimit që mund të sjellë rimbursimi i këtij procesi”, thuhet në shkresën që Manjani ka dërguar në Ministrinë e Financave, si përgjigje e kërkesës për mendim të dërguar nga financat.

Me tej ai është shprehur se do të japë “ok” që ky ligj të kalojë për miratim të mëtejshëm në qeveri vetëm pasi të jenë reflektuar sugjerimet e Ministrisë së Drejtësisë.

Nga ana tjetër Ministria e Financave në relacionin përkatës që shoqëron projektligjin ka pohuar se ndryshimet i shërbejnë nxitjes së industrisë vendase dhe projektligji saktëson rregullat dhe procedurat për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregtisë dhe nevojave të operatorëve ekonomikë të akcizës.

Ndryshimet rishikojnë gjithashtu procedurën e rimbursimit të masës “bio” për të cilën rimbursohet akciza në përmbajtjen e biokarburanteve si dhe vendosja e kritereve dhe kryerja e verifikimeve për të përfituar rimbursimin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button