Home / Ekonomia / Investimet kapitale sipas muajve, 27% e disbursimeve do të bëhen në nëntor – dhjetor

Investimet kapitale sipas muajve, 27% e disbursimeve do të bëhen në nëntor – dhjetor

Edhe pse një vit elektoral, shpenzimet dedikuar investimeve publike me fonde buxhetore do të jenë të spostuara në fund të vitit 2017. Sipas Ministrisë së Financave, në dy muajt e fundit të vitit, janë planifikuar të shpenzohen 27% e fondit të investimeve, teksa kulmi pritet të arrijë në muajin dhjetor.

Fondi i planifikuar i investimeve këtë vit është 74 miliardë lekë, ndërsa 20 miliardë do të shpenzohen në muajt nëntor dhe dhjetor, më saktësisht 12 miliardë lekë do të shpenzohen vetëm në dhjetor.

Deri në qershor, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, është planifikuar të shpenzohet 38% e fondit të planifikuar të investimeve.

Përdorimi i fondeve të buxhetit për fushatë u kufizua me ndryshimet që u bënë vitin e kaluar në ligjin e ri organik të buxhetit.

“Në vitet buxhetore, gjatë të cilave mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ekzekutimi i deficitit buxhetor deri në fund të tremujorit të parë të vitit buxhetor nuk mund të jetë më i lartë se 30% e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor. Ekzekutimi i deficitit deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit buxhetor nuk mund të jetë më i lartë se 55% e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor dhe deri në fund të nëntëmujorit të vitit buxhetor nuk mund të jetë më i lartë se 80% e deficitit vjetor”, – thuhet në ligjin e ri organik të buxhetit.

Për vitin 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.9% e PBB ose 74.4 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh dhe mbështetjen për sektorin e energjisë me 3 miliardë lekë).

Ministria e Financave, në planifikimin e investimeve për vitin 2017, ka mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si edhe në vitin 2016, do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Për vitin 2017 janë planifikuar 46.2 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 27.2 miliardë lekë financim i huaj.

Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 90.2% e vlerës totale të investimeve të planifikuar në PBA për vitin 2017, shkon për financimin e projekteve në vazhdim.

Sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 90.4% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe 9.6% e investimeve për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 90% e planit të investimeve për vitin 2017 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Shtesat kanë synuar një financim sa më optimal të projekteve në përputhje me objektivat e ministrive dhe institucioneve për vitin 2017.

Leave a Reply

%d bloggers like this: