Maqedonia

BESA kundër BDI, s’pranon Xhaferrin për kryeparlamentar

Kuvendi i Maqedonisë kërkon zgjidhje për krizën politike pas thellimit të saj në fillim të seancës konstituive pasi ajo u kthye në një maratonë fjalimesh politike dhe akuzash për destabilizimin e këtij vendi.

Partitë politike thonë se zgjidhja e këtyre problemeve duhet diskutuar. Por, VMRO e Nikola Gruevskit, do të vazhdojë të bllokojë foltoren e Kuvendit për aq sa të jetë e mundur.

Shqiptarët thonë se zgjidhja do të bëhet përmes institucioneve. Por, mospranimi i lëvizjes Besa të kandidaturës së Talat Xhaferrit, ka ndryshuar situatën. BDI, kandidati i së cilës është i propozuar për kryetar të Kuvendit, thonë se lëvizja Besa do të paguajë çmim politik.

“Është problemi i kulturës parlamentare, është diçka që edhe opinioni duhet të mësohet. Në të gjithë këtë situatë, ajo që dua të veçojë është e mira që debati u kthye në Parlament, se si do të ecin gjërat tani le të shohim”, shprehet Xhevat Ademi, BDI.

Por, kjo nuk e brengos liderin e Besës. Nëse do të ketë kandidat tjetër, ata do ta diskutojnë.

“Qytetarët e thanë fjalën e tyre në zgjedhjet e fundit. Unë e kam thënë shumë herë se për shqiptarët e Maqedonisë, sa më e dobët është BDI-ja, aq më të fortë janë shqiptarët e Maqedonisë”, shprehet Zeqiria Ibrahimi, lëvizja Besa.

Lideri i LSMD-së, Zoran Zaev, i pyetur nga Top Channel, thotë se kjo është një fushatë për të ikur nga përgjegjësia. Dhe, problemet nuk i sheh si etnike.

“Kjo është një përbuzje e turpshme. Ata bëjnë sikur nuk kuptojnë asgjë. Por, mund të them se nuk do të mund të zgjasë përgjithmonë dhe ditët i kanë të numëruara”, shprehet Zaev.

Seanca e Kuvendit ka vazhduar dhe fundi i saj nuk dihet. Lideri VMRO, Nikolla Gruevski, thuhet se ka udhëtuar në Maltë për punë partiake.

VMRO thotë se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për zgjidhjen e krizës parlamentare, ndërsa partitë shqiptare janë të bashkuara për një zgjidhje institucionale, por lëvizja Besa nuk pranon kandidatin e BDI-së. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen punimet e kuvendit pasi ka shumë deputetë për të diskutuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button