Ekonomia

TAP, mbërrin në Kuvend marrëveshja e rishikuar e shtetit pritës; Ja çfarë ndryshon

Marrëveshja e rishikuar e vendit pritës mes Shqipërisë dhe projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline pritet të marrë miratimin e Kuvendit për të nisur nga zbatimi.

Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shprehjen e vullnetit të TAP për:

– Rishikimin e periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh;

– Rritjen e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;

– Dyfishimin e fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350,000 euro në 700,000 euro;

-Memorandumin e Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale.

Në vitin 2012, qeveria shqiptare e asaj kohe hyri në bisedime me gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (projektin) duke supozuar se mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë do të lidhej dhe nënshkruhej një marrëveshje me qeveritë e vendeve pritëse, e cila më pas do të depozitohej pranë parlamenteve përkatës për ratifikim.

Ndërsa në prill 2013, Parlamenti shqiptar nënshkroi Marrëveshjen Krahasuese.

Më pas, në dhjetor të 2013-s, edhe Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Vendit Pritës.

Kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të gjitha shtetet pasi përmes saj përcaktohen përfitimet dhe detyrimet nga ky projekt, i cili do të ndikojë jo pak në ekonomitë e këtyre vendeve, veçanërisht atë të Shqipërisë dhe Greqisë si dy vende nga ku kalon më shumë ky projekt.

Ndërkaq aksionerja spanjolle, Enagas, e cila është edhe një nga aksionerët (16%) ka parashikuar që të investojë rreth 1.4 miliardë euro deri në vitin 2020.

Po kështu, vetëm pak ditë më parë ka qenë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila zhvilloi edhe në Tiranë takime të nivelit të lartë me përfaqësues të projektit TAP, ku u bisedua angazhimi i bankës për të kredituar projektin. Në total parashikohet që BERZH të investojë rreth 1.5 miliardë euro, shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë nga ky institucion financiar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button