Home / Kosova / Ambasadori francez: Haradinaj po gjykohet për akuza të reja

Ambasadori francez: Haradinaj po gjykohet për akuza të reja

Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka thënë se Ramush Haradinaj po mbahet ende në Francë dhe po gjykohet atje, jo për akuzat në të cilat ishte shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare, por për disa akuza të reja të ardhura nga Serbia.

Chabert ka dhënë këtë deklaratë, pasi ka mbajtur një ligjëratë në “Kolegjin AAB” në Prishtinë me temën, “Diplomacia Publike Franceze”.

“Fletëarrestet e lëshuara nga Serbia, Francës i duhet t’i shqyrtojë, pasi kemi të bëjmë me akuza të reja dhe jo akuzat për të cilat tashmë Haradinaj veç ishte përgjigjur dhe ka rezultuar i pafajshëm”, tha ambasadori Chabert.

Diplomati francez foli lidhur me diplomacinë në Francë se si funksionon, për përgjegjësitë që kanë institucionet si dhe për Kosovën dhe mbështetjen që Franca i ka dhënë.

Ambasadori Chabert po ashtu e komentoi edhe mundësinë e fitimit të zgjedhjeve të ardhshme në Francë nga kandidatja Marie Le Pen dhe mundësinë e ndryshimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës.

“Për mua është ndryshe, për mua Kosova është një vend tërësisht soveren, i pavarur, dhe pas Gjermanisë ne jemi dy vende që e kemi njohur Kosovën para Shteteve të Bashkuara të Kosovës. Për mua Kosova është një vend, i cili i ka të gjitha prerogativat e një vendi të pavarur dhe për ne është tërësisht një vend i pavarur”, tha ai.

Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Chabert tha se Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtete mike dhe kjo është një çështje që duhet zgjidhur.

“Kanë qenë dy kushte për të cilat janë parashtruar, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, dhe unë mendoj se Mali i zi është një shtet aq mik i Kosovës i cili i ka pranuar rreth 1 milion refugjatë gjatë luftës në Kosovë, dhe unë mendoj se nuk duhet të ketë vështirësi për demarkimin e një kufiri me një shtet mik me të cilin nuk ke kurrëfarë telashesh. Askush nuk ka parashtruar kusht Kosovës për demarkimin e kufirit me Serbinë meqë e dimë se nuk është realizuar,”, tha ambasadori Chabert, raporton KP.

Ai po ashtu tha se përgjigja pse ky kusht për liberalizimin e vizave nuk është përmbushur duhet të kërkohet nga deputetët e parlamentit të Kosovës dhe jo tek Bashkimi Europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published.