Home / Teknologji / Kur teknologjia e vjetër bëhet prirja e re

Kur teknologjia e vjetër bëhet prirja e re

Të lindurit në moshën dixhitale kanë pak gjasa të kenë përjetuar magjinë e gramafonit. Por kjo teknologji 150 vjeçare, po përjeton një ringjallje në mbarë botën. Materiali në vazhdim na rrëfen për një kompani çeke, prodhuesja më e madhe e gramafonave në vend dhe kontributin e saj në këtë qasje të re ndaj muzikës së regjistruar.

Disa dekada përpara se të dilte muzika dixhitale, ekzistonte gramafoni. Për të dëgjuar muzikë mjaftonte të vendosje një disk dhe gjilpërë mbi pllakën e gramafonit.

Në zhdukjen e tij ndikoi dixhitalizimi si dhe mundësia që muzikën të mund t’a merrje me vete.

Por tashmë po shihen mundësi të rikthimit të gramafonit dhe kompanitë po punojnë për plotësimin e një kërkesë në rritje.

Kompania çeke “SEV Litovel” e katërfishoi prodhimin e tyre duke filluar nga viti 2009, duke prodhuar 125 mijë gramafona.

Kompania prodhon pothuajse të gjitha pjesët dhe secili gramafon ndërtohet me dorë. Çmimet variojnë nga 200 në rreth 10,000 dollarë.

“Besojmë se kompakt disqet do të zhduken. 10 vite nga sot do të ketë vetëm transmetim nëpërmjet kompjuterit dhe rreth 20 për qind e të ardhurave nga muzika, do të vijë prej sistemit analog”. thotë drejtori i projektit Heinz Lichtenegger.

Në sistemin analog muzika regjistrohet dhe luhet përsëri nëpërmjet pajisjesh jo dixhitale. Dhe për këtë duket se ka kërkesë në rritje. Në 2015 amerikanët blenë muzikë analoge me një vlerë prej 416 milionë dollarësh, që shënon nivelin më të lartë për blerje të kësaj natyre që nga viti 1988.

Përkrahësit e kësaj forme të transmetimit të muzikës, thonë se kjo ka lidhje me nevojën e konsumatorëve për të gjetur gjëra që ua bëjnë jetën më të këndshme dhe u ngadalësojnë disi ritmin.

“Muzika ka nevojë për kohë, nuk shtyp për këngën që pason pa dëgjuar të gjithë regjistrimin. Dhe sigurisht duhet të kujdesesh për atë që ke regjistruar”.

Po jo vetëm kaq! Përkrahësit argumentojnë se muzika e regjistruar e që luhet në mënyrë jo dixhitale tingëllon më mirë.

“Arsyeja kryesore është tingulli analog. Është i këndshëm për t’u dëgjuar dhe nuk të lodh. Vjen më i natyrshëm në të gjitha aspektet dhe përafron më shumë me tingujt e një koncerti apo muzike live. Kjo është arsyeja pse është rikthyer”, thotë një shitës gramafonash, Ludek Motlicek.

Kjo tingëllon si një melodi suksesi për prodhuesit, shpërndarësit dhe shitësit, të cilët besojnë se tregu i gramafonave gëzon një potencial të madh botëror.

Leave a Reply

%d bloggers like this: