Home / Ekonomia / Inflacioni bie në 1.9%. Ende larg objektivit të BSH

Inflacioni bie në 1.9%. Ende larg objektivit të BSH

Rritja e çmimeve u ngadalësua për të tretin muaj rresht në prill, duke zbritur sërish poshtë objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Instituti i Statistikave raportoi se, muajin e kaluar, inflacioni vjetor shënoi nivelin 1.9 për qind, nga 2.1 për qind që ishte një muaj më parë.

Sipas INSTAT-it, ndikimin kryesor në formimin e inflacionit e kanë dhënë ushqimet. Krahasuar me një vit më parë, çmimet e ushqimeve janë rritur me 3 për qind, ndërkohë që zëri i dytë me ndikimin më të madh ka qenë grupi i transportit. Sipas INSTAT, krahasuar me një vit më parë, kostot e transportit për qytetarët janë rritur me 4.3 për qind.

Por, edhe pse çmimet e ushqimeve dhe transportit janë rritur, kjo nuk ka mjaftuar për ta rikthyer inflacionin rreth nivelit 3 për qind, që është kuota e preferuar për Bankën e Shqipërisë. Në mars, Qeveria rriti pagat për punonjësit e sektorit publik me rreth 10 për qind. Por siç duket, të paktën për prillin, rritja e pagave nuk ka shkaktuar rritje të inflacionit.

Kjo, pasi çmimet e disa artikujve të tjerë, veçanërisht veshjeve dhe kostove të mirëmbajtjes së shtëpisë, janë ulur respektivisht me 2.3 për qind dhe 0.3 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Prirja rënëse e treguesit të inflacionit gjatë 3 muajve të fundit mund të rikthejë sërish shqetësimet për Bankën e Shqipërisë. Përgjithësisht, kur çmimet rriten me ritëm të ngadaltë, kjo sinjalizon tërheqje të konsumit në ekonomi. Kjo është arsyeja se, përse Banka preferon një shifër inflacioni rreth 3 për qind, një shifër që gjykohet si e shëndetshme për ekonominë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.