Home / Ekonomia / Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Të kthehet vëmendja tek ekonomia dhe tek sipërmarrja private

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Të kthehet vëmendja tek ekonomia dhe tek sipërmarrja private

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përshëndet marrëveshjen e arritur së fundi midis forcave politike, e cila i jep fund bojkotit parlamentar dhe çon vendin në një proces zgjedhor brenda standardeve.

Për katër muaj me radhë, bllokimi i dialogut politik dhe bojkoti parlamentar, krijoi një situatë shqetësuese për sipërmarrjen shqiptare.

Vazhdimisht kemi kërkuar zhbllokimin e kësaj situate, pasi çmojmë se është nevojë e domosdoshme garantimi i stabilitet politik e që në mënyrë të drejtpërdrejtë çon dhe rritje të indikatorëve ekonomik.

Në këto 27 vitet e fundit, sipërmarrja shqiptare ka qenë konsumuese e rregullt e krizave politike në vend, dhe ka pësuar vazhdimisht rënie dhe dobësim të kapaciteteve të saj, duke mbetur kështu larg konsolidimit dhe standardizimit për të qenë konkurruese në rajon.

Vëmendja e politikes shqiptare për sipërmarrjen ka qenë e pamjaftueshme dhe këtë fakt e shohim vazhdimisht, jo vetëm gjatë fushatave elektorale por edhe gjatë ushtrimit të një mandati qeverisës. Ka munguar pothuajse krejtësisht dëshira për t’u konsultuar për politikat publike të lidhura me prodhimin, tregun, konkurrueshmërinë dhe klimën e të bërit biznes.

Ne sot, i kërkojmë forcave politike të kthejnë vëmendjen tek ekonomia dhe tek sipërmarrja private, për të filluar menjëherë komunikimin dhe dialogun konstruktiv, me qëllim që kërkesat dhe rekomandimet tona të bëhen pjese e axhendave të tyre ekonomike.

Politika shqiptare duhet të dëgjojë me vëmendje çdo shqetësim dhe problematikë të sipërmarrjes private, pa paragjykim, por me një analizë të kujdesshme dhe të kualifikuar, për të garantuar që ekonomia të rrisë performancën e saj.

Përpara kemi sfida të mëdha për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian dhe sipërmarrja private ka një rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në këtë proces.

Për këtë qëllim, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, fton të gjithë forcat politike për të bashkë-organizuar tryeza apo forume konsultimi, mbi çështjet e lidhura me ekonominë.

Jemi të gatshëm të trokasim në dyert e çdo partie politike parlamentare, pasi sipërmarrja private ka interes që të kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme, të jemi një ekonomi konkurruese në rajon dhe të garantojmë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: