Home / Politika / Koloneli bëhet ministër. Do jetë koleg me Kodhelin

Koloneli bëhet ministër. Do jetë koleg me Kodhelin

Ministri i Brendshëm teknik i propozuar nga Partia Demokratike, kolonel Dritan Demiraj vjen nga radhet e Forcave të Armatosura shqiptare, me një karrierë 24-vjeçare, ndërsa prej vitit 2014 jeton në SHBA.

Kolonel Demiraj është nga komandantët e parë që ka përgatitur dhe drejtuar trupat speciale komando në misonet e para paqeruajtëse në Afganistan dhe vende të tjera.

Aktualisht Dritan Demiraj ka statusin e kolonelit në rezervë, pasi u lirua nga radhet e FA në vitin 2014 për shkelje të ligjit për statusin e ushtarakut. Ai rezultoi se kishte kryer 104 udhëtime jashtë vendit pa lajmëruar eprorët.

Pas lirimit, Ministria e Mbrojtjes depozitoi ndaj tij dy kallëzime penale për keqpërdorim të forcave speciale komando. Sipas kallëzimit, Demiraj kishte angazhuar forcat komando në kundërshtim me ligjin në një kampionat europian për të rinjtë në peshëngritje, në qytetin e Durrësit dhe në një tjetër rast i ka angazhuar në kërkim të floririt në zonat e Mokrës.

Të dy këto materiale kallëzuese janë pushuar nga prokuroria, ndërsa vetë Demiraj i ka cilësuar si të gënjeshtërta dhe të urdhëruara nga ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, të cilën tani do ta ketë përballë në tryezën e qeverisë.

Por përplasja e Demirajt me ministren Kodheli është më e thellë se kaq. Vëllai i kolonel Demirajt, Taulant Demiraj, ka qenë truproja e ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, ndërsa në kohën kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe akuzoi SHIU-n se kishte përgjuar eksponentë të PS dhe diplomatë të BE-së në vendin tonë, Taulant Demiraj mbante postin e nëndrejtorit të shërbimeve inteligjente ushtarake.

Ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj njihet edhe si i apasionuar pas sporteve marciale, çka e vërteton edhe në postimin e tij në Facebook, një ditë para se t’i propozohej emri për ministër teknik. Por marrëveshja politike ndoshta do të bëjë të panevojshme që këto aftësi sportive ai t’i përdorë gjatë mbledhjeve të qeverisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: