Home / roze / Shuhet Laura Biagiotti

Shuhet Laura Biagiotti

Bota e modës është në zi për humbjen e Laura Biagiottit, të shuar në moshën 73-vjeçare pas një ataku kardiak.

Gruan që arriti të kthente rrobaqepësinë e së ëmës në një dyqan të famshëm veshjesh në Romë, e më pas e shndërroi emrin e vet në një markë të njohur në mbarë botën, “New York Times” e quante “Mbretëresha e kashmirit”, materiali i preferuar i saj.

Dy vite më parë, Biagiotti do të festonte në Javën e Modës në Milano, 50 vite karriere të padiskutueshme. Gjysmëshekulli krijimtari, që e çoi në majat e produkteve “Made in Italy” dhe e rreshtoi në mesin e të paktave stiliste femra që pushtojnë tregjet globale.

Ajo ishte e para italiane që prezantonte veshjet e saj në një sfilatë në Kinën e vitit 1988, ndërsa viti 1995 do ta gjente në hollin e teatrit të madh të Kremlinit, në Moskë. E lindur në Romë 4 gushtin e 1943-shit, Laura, që prej viteve ’70 diktonte një modë që synon linjat e gjera, të cilat marrin formë rreth trupit (shpikja e saj e stilit ‘kukull’) dhe ngjyra të cilat i lidh me qytetin e vet, të bardhën e të kuqen.

Stilistja e madhe kishte studiuar për letërsi, ndërsa dëshira e fshehur ishte të bëhej arkeologe. Në fund ndoqi një tjetër pasion. Biagiotti ka stiluar veshje për yje që përfshijnë Ingrid Bergman dhe Bette Davis, gjatë kohës kur punoi me Emilio Federico Schuberth, në vitet ’60. Laura do të mbahet mend si një stiliste që e donte ndryshimin, por kujdesej të ruante në të njëjtën kokë rrënjët e saj italiane, ku dashuria për artizanatin ndërthurej me respektin për natyrën.

Leave a Reply

%d bloggers like this: