Ekonomia

Projektligji i ri për auditin: Bizneset do të hapin letrat

Me hyrjen në fuqi të projektligjit të ri për Auditin dhe Pasqyrat Financiare, bizneset detyrohen të publikojnë bashkë me bilancet në QKB edhe pagat e ekzekutivëve, planet e biznesit dhe analizën e riskut, teksa bizneset me interes publik do të publikojnë edhe rregulloret e brendshme.
Ndryshon klasifikimi i bizneseve për qëllime raportimi, duke i bërë 99% të bizneseve aktuale mikronjësi.
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar dhe ekspertë të sektorit pohuan se pragjet e reja të klasifikimit janë të larta për nivelin e njësive tona

Vitin që vjen do të lehtësohet raportimi financiar për personat fizikë dhe ndërmarrjet e vogla. Për kompanitë e mëdha do të shtohet barra e raportimit, ku përveç bilanceve dhe pasqyrave financiare do të publikohen me detyrim edhe planet e biznesit dhe projeksionet e tjera të zhvillimit. Bizneset e huaja do të lehtësohen nga një barrierë ekzistuese, pasi do të kenë mundësi të raportojnë bilancet në valutë. Këto ndryshime mundësohen nga një projektligj i ri për “Kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” i cili aktualisht është në fazë konsultimi me grupet e interesit.
Përkrah thjeshtësimit dhe transparencës që sjell për bilancet e bizneseve, baza e re ligjore po kritikohet nga ekspertët për standardin e ri të klasifikimit që sjell për bizneset, i cili nuk i përgjigjet zhvillimit të ekonomisë sonë.

Propozimet e reja ligjore parashikojnë që bizneset të klasifikohen në katër njësi për qëllime raportimi, që marrin në konsideratë xhiron vjetore, numrin e të punësuarve dhe aktivet, duke plotësuar në këtë rast një nga kriteret e anëtarësimit në BE.
Sipas kritereve të reja të klasifikimit do të ketë mikronjësi (deri në 10 të punësuar); njësi ekonomike të vogla (mesatarisht 50 punonjës); njësi të mesme (numër mesatar punonjësish 250) dhe Njësi të mëdha me mbi 250 punonjës. Aktualisht, INSTAT raporton bizneset, sipas grupimeve me 1-4 të punësuar; 5-9 të punësuar; 10-49 të punësuar dhe mbi 50 të punësuar.

Profesori i Kontabilitetit në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Ekonomisë, Sotiraq Dhamo, thotë se klasifikimi i ri i bizneseve për qëllime raportimi nuk i përgjigjet ekonomisë sonë. Duke adoptuar direktivën e BE-së, drafti ka sjellë një klasifikim që ekonomia jonë nuk e ka arritur. Ky klasifikim është normal për vendet e Europës Perëndimore, ku ekonomia është në atë fazë që të konsiderojë mikrondërmarrje bizneset me 10 të punësuar, por ky klasifikim nuk vlen për Shqipërinë, pasi 99 për qind të ndërmarrjeve që operojnë aktualisht klasifikohen si të vogla. Ai thotë se bizneset e vogla në territorin shqiptar kanë xhiro dhe numër të punësuarish realisht shumë më të vogël se klasifikimi i ri. Edhe Instituti i Kontabilistëve të miratuar pohoi se pragjet e klasifikimit janë të larta për nivelin e njësive tona.

Rritet transparenca, raportohen edhe pagat e ekzekutivëve

Ministria e Financave shpjegon se projektligji ka shtuar transparencën, duke kërkuar disa shënime shpjeguese shtesë lidhur me numrin e të punësuarve, kategorizimin e të ardhurave dhe pagesat e bëra për auditimin e pasqyrave financiare. Audituesit gjithashtu pohojnë se projektligji i ri i bën bilancet e bizneseve më të thjeshta, më të lexueshme dhe më transparente. Audituesi Berti Pashko tha se, politikat për kontabilitetin dhe hartimin e pasqyrave financiare po synojnë të bëhen sa më të thjeshta dhe të lexueshme për të gjitha grupet e interesit, kjo për vetë faktin e krizave që po kalon sistemi botëror. Njëkohësisht trendi është që këto pasqyra të japin sa më shumë informacione të hollësishme për bizneset, gjë që do të bëjë që të rriten investimet apo financimet në shoqëritë të cilat kanë parametra pozitivë, tha ai.

Përtej kërkesave të parashikuara në standardet kontabël të aplikueshëm, në shënimet shpjeguese bizneset duhet të paraqesin me ligjin e ri edhe numrin mesatar të punëmarrësve gjatë periudhës raportuese. Gjithashtu bizneset e mesme, të mëdha dhe ato me interes publik, shumën e pagave që u jepet për periudhën raportuese anëtarëve të organeve ekzekutive, drejtuese dhe mbikëqyrëse.

Projektligji i ri detyron bizneset të raportojnë numrin mesatar të punëmarrësve gjatë periudhës raportuese, të zbërthyer sipas kategorive, kostot e personelit në lidhje me periudhën raportuese, të zbërthyera sipas pagave, kostove të sigurimeve shoqërore dhe kostove të pensionit.

Bizneset detyrohen të publikojnë emrin dhe selinë e regjistruar për secilën prej njësive ekonomike në të cilat biznesi ose vetë, ose përmes një personi që vepron në emër të tij, zotëron një interes në pjesëmarrje, duke treguar përqindjen e kapitalit të zotëruar, fitimin ose humbjen për periudhën më të fundit raportuese.
Gjithashtu ligji i detyron njësitë ekonomike të mëdha dhe ato me interes publik, përtej kërkesave të parashikuara në standardet kontabël të aplikueshëm, në shënimet shpjeguese duhet të paraqesin tarifat gjithsej për periudhën raportuese të kërkuara nga secili auditues ligjor apo firmë auditimi në lidhje me auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore. Bizneset do të publikojnë edhe tarifat gjithsej të kërkuara nga secili auditues ligjor ose firmë auditimi për shërbimet e tjera të dhënies së sigurisë, për shërbime këshillimore tatimore dhe për shërbime të tjera jo auditimi.

Analiza e riskut, publikim me detyrim

Projektligji i ri i detyron bizneset të përgatisin raportin e ecurisë së veprimtarisë i cili, nëpërmjet një analize gjithëpërfshirëse, paraqet në mënyrë të drejtë zhvillimin dhe performancën e njësisë ekonomike, shoqëruar me një përshkrim të risqeve dhe pasigurive kryesore me të cilat njësia mund të përballet.

Me qëllim paraqitjen sa më të kuptueshme të zhvillimit, performancës dhe pozicionit të njësisë, raporti duhet të përmbajë treguesit kryesorë të performancës financiare dhe, nëse është e mundur, jofinanciare të lidhur me aktivitetin, duke përfshirë informacion për çështjet e mjedisit dhe punonjësve. Analiza duhet, kur është e mundur, të përfshijë referenca dhe shpjegime shtesë për shumat e raportuara në pasqyrat financiare të periudhës raportuese.
Projektligji i ri përcakton se, raporti i ecurisë së veprimtarisë duhet të tregojë gjithashtu, edhe zhvillimet e ardhshme, të njësisë ekonomike; aktivitetet në fushën e kërkimit dhe zhvillimit; informacionet që kanë të bëjnë me marrjen e aksioneve të veta; ekzistencën e degëve të njësisë ekonomike; politikat dhe objektivat e menaxhimit të riskut financiar.

Bizneset gjithashtu detyrohen të shpjegojnë ekspozimin ndaj riskut të çmimit, riskut të kreditit, riskut të likuiditetit dhe riskut të flukseve monetare. Përjashtohen nga detyrimi për përgatitjen e raportit të ecurisë së veprimtarisë mikronjësitë dhe njësitë e vogla ekonomike dhe njësitë ekonomike jofitimprurëse për të cilat shifra e aktivit ose e të ardhurave në pasqyrat financiare nuk tejkalon vlerën 30 milionë lekë.

Korporatat do publikojnë planet e biznesit

Njësitë e mëdha ekonomike, të cilat janë me interes publik dhe e tejkalojnë kriterin e numrit mesatar prej 500 të punësuarish gjatë periudhës raportuese, duhet të përfshijnë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport jofinanciar, i cili përmban informacionin e nevojshëm për një kuptim më të mirë të zhvillimit të vetë njësisë ekonomike, performancës, pozicionit dhe ndikimin e aktivitetit të saj në lidhje me mjedisin, çështjet sociale dhe ato të punësimit, respektimin e të drejtave të njeriut, antikorrupsionin dhe çështje të ryshfetit, thotë projektligji i ri për kontabilitetin. Gjithashtu, kompanitë e mëdha detyrohen të bëjnë një përshkrim të shkurtër të modelit të biznesit dhe një përshkrim të politikave të ndjekura nga njësia ekonomike në lidhje me këto çështje.
Korporatat duhet të publikojnë bashkë me bilancet riskun kryesor në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me aktivitetin e shfrytëzimit të njësisë ekonomike duke përfshirë, kur është e nevojshme, lidhjet e biznesit, produktet ose shërbimet të cilat kanë të ngjarë të shkaktojnë ndikim të ndërsjellë dhe se si njësia ekonomike e menaxhon riskun e tyre. Kërkohet të publikohen treguesit kryesorë të performancës jofinanciare në lidhje me biznese të veçanta.

Kur kompania nuk ndjek politika në lidhje me një ose disa nga çështjet e kërkuara, raporti jofinanciar duhet të japë një shpjegim të qartë dhe të arsyeshëm përse është vepruar kështu. Ky raport duhet të japë referenca dhe shpjegime shtesë të vlerave të raportuara në pasqyrat financiare vjetore.
Audituesi ligjor apo shoqëria e auditimit duhet të verifikojnë nëse është hartuar raporti jofinanciar/raporti i konsoliduar jofinanciar.

Rregulloret e brendshme, tani edhe për publikun

Bizneset me interes publik (të tilla si bankat) sipas projektligjit të ri përshijnë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport për drejtimin e brendshëm të njësisë ekonomike. Ky raport përmban rregullat dhe kodet për drejtimin e brendshëm të cilat njësia ka vendosur vullnetarisht të zbatojë.
Duhet të publikohen të gjitha informacionet përkatëse për praktikat e drejtimit të brendshëm që biznesi i zbaton përtej kërkesave të legjislacionit dhe një përshkrim të tipareve kryesore të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut.
Bizneset me interes publik duhet të publikojnë përbërjen dhe funksionimin e organeve ekzekutive drejtuese, mbikëqyrëse dhe i komiteteve të tyre.

Me ndryshimet e reja ligjore, ata gjithashtu duhet të publikojnë bashkë me bilancet edhe një përshkrim të politikave të zbatuara në lidhje me organet ekzekutive drejtuese dhe mbikëqyrëse në lidhje me aspekte të tilla si, për shembull, mosha, gjinia, apo prejardhja arsimore dhe profesionale, objektivat e këtyre politikave të ndryshme, si janë zbatuar dhe rezultatet për periudhën raportuese. Informacioni lidhur me këtë paraqitet si rubrikë më vete e raportit të ecurisë së veprimtarisë dhe publikohet së bashku me raportin e ecurisë së veprimtarisë.
Kur bizneset me interes publik nuk veprojnë sipas rregullave të drejtimit të brendshëm të shoqërisë, ato duhet të japin një shpjegim se cilat janë pjesët e kodit të drejtimit të brendshëm, të cilat nuk i zbaton dhe arsyet për këto shmangie, kur njësia ekonomike ka vendosur të mos bëjë lidhjen me dispozitat e një kodi të drejtimit të brendshëm ajo shpjegon arsyet për këtë.

Bizneset e vogla dhe të mesme me interes publik janë të përjashtuara nga detyrimet e parashikuara të publikojnë rregulloret dhe kodet e brendshme që i kanë vendosur vetë.

Industria nxjerrëse, raporte shtesë

Bizneset që janë aktive në industrinë nxjerrëse ose shfrytëzimin për lëndë drusore të pyjeve duhet të hartojnë dhe publikojnë një raport për pagesat që u bëhen institucioneve shtetërore në mënyrë vjetore, përcakton projektligji i ri për Kontabilitetin. Profesor Sotiraq Dhamo thotë se kjo është një risi që nuk është sanksionuar në ligjin aktual të kontabilitetit që rregullon raportimin.

Bizneset në sektorin e industrisë nxjerrëse dhe me interes publik trajtohen si njësi të mëdha pavarësisht sa i ka të ardhurat nga veprimtaria, aktivin ose numrin mesatar të punëmarrësve gjatë periudhës raportuese.
Projektligji i ri përcakton se nuk është nevoja që në raport të merret në konsideratë çdo pagesë, qoftë në formë pagese të vetme apo në formë vargu pagesash të lidhura, nëse është nën vlerën 13,5 milionë lekë brenda një periudhe raportuese. Raporti i pagesave jep informacionet për shumën gjithsej të pagesave që u bëhen institucioneve shtetërore Këto kompani duhet të publikojnë të drejtat e prodhimit, tatimet sipas legjislacionit tatimor në fuqi, pa përfshirë tatimet mbi konsumin, rentën minerare, dividendët, shpërblimet, tarifa, taksa dhe pagesa të tjera në lidhje me licenca dhe koncesione, pagesa për përmirësime të infrastrukturës.
Kur një institucioni shtetëror i bëhen pagesa në natyrë, ato raportohen në vlerë dhe, sipas rastit, në vëllim jepen shënimet përkatëse për të shpjeguar se si është përcaktuar vlera.

Çdo biznes me interes publik që është aktive në industrinë nxjerrëse ose në shfrytëzimin për lëndë drusore të pyjeve, nëse është objekt i detyrimit për të përgatitur pasqyra financiare të konsoliduara, duhet të përpilojë edhe një raport të konsoliduar për pagesat që u bëhen institucioneve shtetërore.
Njësia mëmë konsiderohet se është aktive në industrinë nxjerrëse ose në shfrytëzimin e pyjeve nëse ndonjëra prej njësive ekonomike të kontrolluara prej saj është aktive në industrinë nxjerrëse ose shfrytëzimin e pyjeve.

AuditBilancet do të publikohen në internet

Projektligji detyron bizneset e mesme dhe të mëdha të publikojnë në web-et e tyre pasqyrat financiare vjetore. “Njësitë ekonomike të mesme, të mëdha dhe ato me interes publik, duhet të publikojnë pasqyrat financiare vjetore edhe në faqet e tyre zyrtare të internetit jo më vonë se 7 muaj nga data e raportimit”, thuhet në projektligj. Kontabilisti Berti Pashko pohon se, kjo procedurë nuk do të ketë ndonjë kosto të madhe detyrimi për bizneset, pasi ato edhe tani i kanë të publikuara në faqen e web të Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Njësitë ekonomike, brenda 7 muajsh nga data e raportimit, depozitojnë për publikim pranë QKB, pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë/raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë, raportin e auditimit, në rastet kur përgatitja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, konform kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Organet drejtuese të bizneseve dhe ato mbikëqyrëse, në varësi të kompetencave që u njeh ligji, janë përgjegjës për të siguruar që pasqyrat financiare vjetore dhe raporti i ecurisë të hartohen dhe publikohen në përputhje me kërkesat e këtij projektligji. Sakaq auditimi ligjor i pasqyrave financiare nuk e çliron organin e drejtimit ekzekutiv dhe atë mbikëqyrës të njësisë ekonomike nga përgjegjësitë, të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

———-

INTERVISTA 1

Dhamo: Klasifikimi i ri i bizneseve nuk u përgjigjet zhvillimeve në ekonominë tonë

Profesori i Kontabilitetit në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Ekonomisë, Sotiraq Dhamo, thotë se klasifikimi i ri i bizneseve për qëllime raportimi nuk i përgjigjet ekonomisë sonë.

 

Cilat janë risitë që sjell ligji për “Kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”?

Risia më e madhe që sjell ky projektligj i ri, i cili është ende në fazën e diskutimit, ka të bëjë me rritjen e kufijve të klasifikimit të bizneseve si në Bashkimin Europian deri në vitin 2028. Evidente në këtë drejtim është rritja e kufirit të xhiros që klasifikon bizneset si mikrondërmarrje. Me projektligjin e ri, pasqyrat financiare për bizneset e vogla do të jenë më të thjeshta, ndërsa për bizneset e mëdha do të jenë më të plota. Risia tjetër lidhet me detyrimin që ka kontabilisti i autorizuar të firmosë të gjitha pasqyrat financiare. Gjithashtu me ligjin e ri, bizneset e mëdha dhe kompanitë e huaja kanë mundësi të raportojnë në euro bilancet dhe pasqyrat financiare.
Ndryshimet e reja ligjore detyrojnë kompanitë e mëdha të jenë më transparente, pasi përveç raportimeve financiare që do të jenë të njëjta me standardet ndërkombëtare, do të paraqesin edhe raportet e drejtimit. Këto raporte paraqesin strategjitë dhe planet e biznesit të kompanive edhe për vitin fiskal në vijim. Për sektorë të veçantë si minierat dhe nafta, raportohen disa tregues ekstra që kanë të bëjnë me rezervat dhe planet për nxjerrjen e tyre.

A përputhet klasifikimi i ri i bizneseve me stadin e zhvillimit ekonomik të vendit?

Nuk mund të them se përputhet plotësisht. Klasifikimi i ri i bizneseve për qëllime raportimi është shumë i lartë, pasi është zgjeruar shumë fasha e mikrondërmarrjeve. Ky kriter i adoptuar nga vendet e BE nuk i përgjigjet zhvillimeve reale të ekonomisë sonë, pasi bizneset e vogla në vendin tonë kanë xhiro dhe numrin e të punësuarve realisht shumë të vogël se klasifikimi i ri. Me ligjin e ri, mikrondërmarrjet duhet të plotësojnë dy prej këtyre tre kritereve: 1-Aktivi 15 milionë lekë, 2-Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) 30 milionë lekë,-Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese është 10, kur struktura e ndërmarrjeve në vendin tonë është në një realitet krejt tjetër.

———-

INTERVISTA 2

Pashko: Raportimet e bizneseve do të bëhen më të lexueshme

Eksperti kontabël, Berti Pashko, tha se projektligji i ri është në rrugën për t’iu afruar standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar për t’u bërë i lexueshëm nga të gjitha palët e interesuara

 

Si e vlerësoni projektligjin e ri për “Kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”?

Si të gjithë vendet e tjera, edhe ne duhet të përfshihemi në përmirësimin e standardeve të kontabilitetit dhe ky projektligj do të ndihmojë në përmirësimin dhe përcaktimin e bizneseve në bazë të vlerave të tyre reale në tregun e lirë, në bazë të direktivave të BE. Kjo do të ndikojë edhe në llogaritjen e tatimeve ndaj tyre dhe në një thjeshtësim të lejueshmërisë të të dhënave të tyre financiare. Pra edhe ne po bëjmë rrugën tonë për t’iu afruar standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar për t’u bërë i lexueshëm nga të gjitha palët e interesuara.

Çfarë avantazhesh sjell ky projektligj në tërësi?

Avantazhet janë të shumta. Së pari, ndarja sipas madhësisë ndihmon në përcaktimin se çfarë pasqyrash financiare dhe kontabiliteti duhet të përgatisë secila prej tyre. Së dyti, saktësohet më mirë pesha që ato do të zënë në pagesën e detyrimeve tatimore. Së treti, janë të lexueshme nga të gjitha grupet e interesit. Së katërti, njohja dhe përdorimi nga të gjithë specialistët të këtyre standardeve bën të mundur që këto të shërbejnë si një “fjalor” për të gjithë në punën e tyre. Së pesti, çdo përmirësim i shërben profesionit dhe e bën atë të jetë i barabartë me të gjithë, pavarësisht se cili shteti i përkasin.

A krijon kosto detyrimi i bizneseve të vogla dhe të mesme për të publikuar pasqyrat financiare në web-et e tyre?

Besoj se nuk do të ketë ndonjë kosto të madhe detyrimi për bizneset, pasi ato edhe tani i kanë të publikuara në faqen e web të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo mund të lehtësohet nëse ekziston dëshira për të bashkëpunuar në të mirën e përbashkët, pastaj rrugët për të ulur kostot gjenden lehtësisht.

Mund të na jepni një opinion tuajin në tërësi për efektet e këtij ligji?

Për mua, përmirësimi i vazhdueshëm është në të mirën e të gjithëve sepse na shërben të jemi sa më afër specialistëve të huaj dhe të mos jemi inferiorë ndaj tyre. Duke qenë prezent në disa kongrese të IFAC-ut, kam vënë re se në fushën e kontabilitetit, dhe hartimit të pasqyrave financiare po synohet që ato të bëhen sa më të thjeshta dhe të lexueshme për të gjitha grupet e interesit, kjo për vetë faktin e krizave që po kalon sistemi botëror, njëkohësisht trendi është që këto pasqyra të japin sa më shumë informacione të hollësishme për vazhdimësinë dhe pavarësinë e bizneseve të ndryshme, gjë që do të bëjë që të rriten investimet apo financimet në shoqëritë të cilat kanë parametra pozitivë. Njëkohësisht nëpërmjet përmirësimit bëhet e mundur që të gjithë specialistët e fushës të bëhen një faktor edhe më i rëndësishëm në aktivitetin e këtyre shoqërive dhe ta thonë më fort fjalën e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button