Home / Kosova / Thaçi: Kosova do ta themelojë ushtrinë gjatë këtij viti

Thaçi: Kosova do ta themelojë ushtrinë gjatë këtij viti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur besimin se demarkacioni me Malin e Zi, do të përmbyllet në mënyrë konsensuale prej partive politike të Kosovës pas zgjedhjeve, ndërsa, edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, do të themelohet në të ardhmen e afërt.
Ai në një intervistë për televizionin N1, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të vonohet me zgjerim, sepse këtë vakum janë duke e shfrytëzuar të tjerët.

“Serbia ende vazhdon të mbetet problem i rajonit. Serbia ende nuk ka ndodhur denacifikimi, në Serbi ende nuk ka ndodhur demillosheviqizimi i politikës për këtë arsye ka problem të cilat I krijon qoftë në Mal të Zi, qoftë në Maqedoni, qoftë në Veri të Mitrovicës, qoftë në Republika Sërpska. Për këtë arsye mendoj edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ruajnë fokusin për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në anën tjetër sot Serbia është bërë bazë e ndikimit ushtarak Rus në Ballkanin perëndimor. Për Shqipëri të madhe flet Beogradi, dhe as Kosova e as Shqipëria. Për të mbuluar aktivitetet e veta destabilizuese të Serbisë në rajon”, tha ai.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Thaçi ka thënë se është izolim i padrejtë që po i ndodhë Kosovës, pasi nga 95 kritere Kosova i ka implementuar 94 prej tyre.

“Demarkacionin me Malin e Zi e kanë future krejt në mënyrë të panevojshme, sido që të jetë ne jemi të përkushtuar që ta përmbyllim. Demarkacioni nuk është problem mes Kosovës dhe Malit të Zi, është çështje e brendshme e Kosovës dhe besoj që pas zgjedhjeve do të përmbyllet në mënyrë konsensuale prej partive politike të Kosovës”, tha ai.

Ai ka folur edhe për ushtrinë, duke thënë se Kosova do ta themelon ushtrinë e vet gjatë këtij viti.

Kurse, sa i përket Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, Thaçi ka theksuar se është obligim edhe kushtetues, edhe ligjor.
“Është pjesë e marrëveshjes së Brukselit, nuk paraqet ndonjë rrezik për konsolidimin e shtetit, por nuk do të ketë natyrisht karakter legjislativ dhe ekzekutiv. Pra, do të themelohet në të ardhmen e afërt”, ka thënë Thaçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.