Home / Ekonomia / Suficiti buxhetor, 45 mln euro më 2017 u përdor për shlyerjen e borxhit

Suficiti buxhetor, 45 mln euro më 2017 u përdor për shlyerjen e borxhit

Arka e shtetit ka performuar me suficit këtë vit, ku të ardhurat kanë qenë të paktën 6.3 miliardë lekë më shumë se shpenzimet në tremujorin e parë.

Ministria e Financave ka sqaruar se kjo shumë është përdorur për të ulur borxhin publik.

Në mënyrë të detajuar 2.9 miliardë lekë nga suficiti janë përdorur për të shlyer huanë e huaj afatgjatë, ndërsa 4 miliardë lekë u përdoren kryesisht për pagesën e maturimit të huamarrjes së brendshme, bëjnë me dije Ministria e Financave.

Situata Buxhetore për periudhën janar-mars 2017 rezultoi me një suficit të përgjithshëm prej rreth 6.3 miliardë lekë, ndërkohë që ishte planifikuar një deficit 2.3 milionë lekë. Deficiti buxhetor për vitin 2017 planifikohet të jetë në nivelin 2.0% të PBB. Për të dytin vit radhazi balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.7% duke shënuar nivelin më të lartë në 25 vite.  Për shkak të këtyre kufijve Ministria e Financave parashikon se niveli i borxhit publik të targetuar, do të ulet me rreth 2.7 pikë përqindje dhe do të vijojë këtë trend rënës në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Në përputhje të plotë me detyrimet që rrjedhin prej Ligjit Organik të Buxhetit nr 57/2016, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Në përputhje me këtë dispozitë (rregull fiskal) të LOB, ligji vjetor i buxhetit 2017 targeton një nivel të borxhit publik total në 69.1% të PBB nga niveli prej 71.8% e PBB i targetuar për vitin 2016.

Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës, nuk mund të jetë më e lartë se vlera respektive e parashikuar ose vlerësuar në raportin “Perspektiva ekonomike botërore” (World Economic Outlook), të Fondit Monetar Ndërkombëtar, më i fundit i publikuar në kohën kur ligji vjetor i buxhetit dorëzohet për miratim në Kuvend. Kjo dokumentohet qartësisht në relacionin shoqërues të ligjit vjetor të buxhetit;

Deficiti në buxhetin 2017 është planifikuar 36% më i ulët se sa shpenzimet kapitale të planifikuara direkt për qeverisjen qendrore ose rreth 46% më e ulët se sa shpenzimet kapitale të financuara nga qeverisja qendrore, por të alokuara edhe për FZHR, si dhe për sektorin e energjisë në formë kredie direkte për investime drejt këtij sektori.

Leave a Reply

Your email address will not be published.