Home / Politika / Nuk ka komisionerë, KQZ: PD dhe PR nuk paraqesin emrat

Nuk ka komisionerë, KQZ: PD dhe PR nuk paraqesin emrat

Vetëm 6 ditë larg zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, duket se shqetësimi më i madh mbetet po ai, mungesa e komisionerëve.

Partitë politike vijojnë të mos dërgojnë propozimet e tyre për komisionerë të qendrave të votimit pranë KZAZ-ve përkatëse.

Janë 30 KZAZ, nga 90 gjithsej në të gjithë Shqipërinë të cilat ende nuk kanë përmbyllur fazën e emërimeve të komisionerëve, konkretisht në qarqet kryesore Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë dhe Gjirokastër. Në disa qendra votimi, asnjëra nga partitë garuese më 25 qershor nuk ka dërguar propozimet.

Në qarqe të tjera PS i ka dorëzuar dhe KZAZ janë në pritje edhe këto ditë për propozimet nga PD dhe PR. KQZ përsërit apelin për subjektet zgjedhorë në kushtet kur administrimi i zgjedhjeve është në ngërç.

“Ndodhemi vetëm 6 ditë para datës së zgjedhjeve ndaj KQZ i kërkon partive politike që kanë të drejtën në bazë të Kodit Zgjedhor për të propozuar anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit ti dorëzojnë propozimet e tyre menjëherë pranë KZAZ-ve përkatëse”, tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Afati i caktuar për trajnimin e komisionerëve në KZAZ është ora 16.00 deri në orën 19.00, një mënyrë kjo për të mos i penguar në orët e paradites në oraret zyrtare të punës.

Gjithsej në të gjithë Shqipërinë do të ngrihen 5362 QV. Nga 7 komisionerë për secilën qendër votimi, në të gjithë vendin të dielën e 25 qershorit, do të angazhohen 37.500 komisionerë.

Por nga ta, shumë pak komisionerë janë propozuar nga partitë politike dhe kanë nisur trajnimin, duke e vendosur institucionin më të lartë zgjedhor në vend, në një ngërç 6 ditë përpara zgjedhjeve.

Trajnuesit janë gati për trajnimin e komisionerëve por duhet ende që partitë ti dorëzojnë emrat e tyre, teksa count down-i drejt 25 qershorit ka nisur numërimin mbrapsht.

Leave a Reply

%d bloggers like this: