Home / Ekonomia / Eksportet në rritje. Në 5 muaj, 120 milionë euro

Eksportet në rritje. Në 5 muaj, 120 milionë euro

Eksportet u rritën për të pestin muaj me radhë në ritëm dyshifror, duke rekuperuar plotësisht rënien në dy vitet e shkuara.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se për 5 muajt e parë të vitit, Shqipëria eksportoi 111 miliardë lekë mallra në tregjet e huaja, ose 16.7 për qind më shumë se një vit më parë. E shprehur në vlerë, rritja është 16 miliardë lekë ose 120 milionë euro.

Sipas INSTAT, rimëkëmbja e eksporteve është udhëhequr veçanërisht nga materialet e ndërtimit dhe metalet, të cilat kanë kontribuar me 5.5 për qind në rritjen totale të eksporteve.

Veç materialeve të ndërtimit, dy grupe të tjera me ecuri pozitive kanë qenë nafta me mineralet, si dhe industria e fasonit. Eksportet shqiptare u ulën dy vjet rresht në periudhën 2015-2016 si rezultat i rënies së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare.

Por që prej fillimit të këtij viti, tendenca është përmbysur dhe eksportet janë jo vetëm në një trajektore, por edhe me bazë më të gjerë.

Sipas INSTAT, nga 9 grupe produktesh që janë në total, eksportet janë rritur për tetë prej tyre. I vetmi grup me rënie janë prodhimet e drurit dhe letrës, pasoje e moratorimut per prerjen e pyjeve, por pesha e tij në eksportet totale është e ulët.

Ecuria pozitive në 5 muajt e parë të këtij viti ka rekuperuar plotësisht rënien e eksporteve gjatë periudhës 2015-2016.

Por pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet një ekonomi me nivel të ulët eksportesh, më pak se 20 për qind e Prodhimit Kombëtar dhe pjesa dërrmuese e tyre janë produkte të papërpunuara, të cilët kanë pak vlerë të shtuar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: